Vatra në Boston kujtoi 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Flamur Vezaj
Në bibliotekën publike të qytetit Quincy, në jug të Bostonit, Vatra mblodhi komunitetin shqiptar për të kujtuar 80 vjetorin e gjenocidit grek ndaj Çamërisë.
Në një sallë të mbushur me shqiptaro-amerikanë dhe familje me origjinë nga Çamëria, gjithçka nisi pas intonimit të himnit kombëtar amerikan dhe atij shqiptar, si dhe një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, që nisi në qershor të vitit 1944.
Për të kujtuar 80 vjetorin e një prej ngjarjeve më të rënda ndaj popullit shqiptar, aktivitetin përkujtimor e hapi kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, me fjalën “Mos Harroni Çamërinë”.
Më pas, për këtë ngjarje të rëndë folën edhe personalitete të ndryshme, si vatrani z. Klajdi Haruni për ngjarjen e gjenocidit grek ndaj Çamërisë, viktimat dhe detaje të ndryshme të ndodhura në qershor të 1944 e në vazhdim. Studiuesi z. Agron Alibali foli për “Çështjen Çame sipas të drejtës ndërkombëtare”, profesoresha znj. Oltiana Muharremi për “Ndikimi Ekonomik nga Gjenocidi ndaj Shqiptarëve Çamë”, dhe vatrani z. Artur Vrekaj renditi detaje historike të përfshirjes së klerit grek në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe bashkëpunimin e tyre me nazistët gjermanë. Aktivistja e komunitetit shqiptar në Boston, znj. Eva Hysi, emocionoi të pranishmit me baladën për Çamërinë. Ndërsa shkrimtari z. Namik Selmani lexoi poezinë “Aromë Çamerie” nga libri i tij antologjik “Çamëria, bisk i ëndrrës”.
Për gjenocidin grek ndaj Çamërisë dhe shpërnguljen e shqiptarëve, të pranishmit dëgjuan edhe rrëfimin emocional të një nga të mbijetuarit e asaj kohe, tashmë 88 vjeçare, znj. Rruke Klefti. Më pas folën pjesëtarë të familjeve Haruni, Hysi, Zenelaj, Duraj-Avdulla me origjinë çame, të cilët jetojnë në SHBA.
Nuk munguan poezitë, shfaqja e dokumentarit për 80 vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve, si dhe mesazhet përshëndetëse për këtë organizim të VATRES në Boston. Ndër këto mesazhe ishte edhe ai i kryetarit të shoqatës patriotike “Çameria” z. Liljan Idrizaj, të cilin e lexoi z. Jorid Çelaj, dhe mesazhi i vatranit çam nga Kalifornia, z. Ahmet Xhafo, të cilin e lexoi para të pranishmëve z. Fuat Memelli, ndërsa përshëndetjen e regjisorit z. Bujar Alimani e lexoi znj. Lindita Meçe.
Veç këtyre, aktivitetin e organizuar nga VATRA e përshëndetën edhe sekretari i përgjithshëm i VATRES, dr. Pashko Camaj, i ardhur nga Nju Jorku, sekretari i VATRES në Uster, profesor Thanas Gjika, si dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare në Boston, z. Artian Rreza nga “Çunat e Bostonit”, znj. Roberta Nashi/Panariti nga “Albanian’s Fighting Cancer” (AFC), kryetarja e shoqatës “Labëria” në Boston, znj. Rudina Bardhi, një nga përfaqësueset e grupit social “Gocat e Bostonit”, znj. Edlira Duraj/Avdulla, si dhe në emër të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, z. Mhill Velaj.
Në fund, para se dy moderatorët e këtij eventi, anëtarët e kryesisë së VATRES, znj. Lindita Meçe dhe Ervis Dhima, të mbyllnin aktivitetin, ftuar kryetarin e VATRES në Boston, z. Maksutaj, i cili falënderoi një nga një të gjithë folësit që bënë të mundur këtë aktivitet dhe premtoi se mesazhet dhe sugjerimet e bëra gjatë aktivitetit përkujtimor, VATRA në Boston do të mundohet t’i realizojë në vazhdim.