Kolec P. Traboini: IZET SHEHU – POETI
Kujtoj me respekt poetin Izet Shehu. Në një nga ardhjet e mia në Atdhe nga Amerika në vitin 2008 më nderoi me praninë e tij në promovimin e librit tim “Itaka grua” dhe më dhuroi librin e tij me poezi lirike “Drithërime muzgu” me autograf, të cilën e ruaj ndër ato libra me vlerë të bibliotekës time, sepse poezia e Izet Shehut është si verë e vjeter, sa më shumë kalon koha aq më shumë vlerë ka.
E lexoj serish pas 16 vjetëve dhe ndjejë të fryjë erë lirizmi e them, shpirti i poeti është i përjetshëm. Natyrish është fjala për poetë të vërtetë e jo për rraqurina Facebooku me të cilat është mbushur tumllas laramano-poezia e antologjive shterpë të hartuara në kuzhinën e mediokrritetit, të atyre që nuk e kanë idenë çfarë është poezia, nuk kanë lexuar asnjë autor të madh të huaj, po kaverdisen në tarhananë e Hasan Zykos. Dhe pasi të kenë botuar një paçavure liber dalin në ca emisione për të dhënë mend si shkruhet poezia.
Kështu bën edhe qyqja kur bën vezet në folenë e zogjëve të tjerë.
Të pakten lexoni poetët shqiptar.
Nderim për poetin Izet Shehu që kurrë nuk trumbetoi, por krijoi poezi që lexohen me kënaqësi pas dekadash.
Kjo ndodh me poezinë e bukur e të vërtetë, ashtu si ndodh me verën e vjetër.
Kolec P. Traboini
*********************
IZET SHEHU
MË PËLQEN DASHURIA
Më pëlqen dashuria që më deh si vera,
Që më bën të qesh, kur duhet të qaj,
Që më bën të fluturoj lakuriq si era.
Që më bën të shkumëzoj si jasemin i bardhë.
Më pëlqen dashuria që m’i lbyr sytë,
Që prushin dhe akullin ma përzien përbrenda,
Që zërin dhe ajrin ma dridh e ma ndrydh, Që gjakun e nxehtë ma rreh në tëmbtha.
Më pëlqen dashuria që s’e përfill dimrin, Më pëlqen dashuria që e sfidon verën,
Që e erëmon dhe të vyshkur trëndafilin. Që e erëmon dhe të tharë luleshqerrën.
***
Kam një mendim që shpesh e kruaj,
Kam një mendim që s’jua kam thënë: “Zot, pse i bëre kuajt
Të dashurojnë e flenë në këmbë?!,,
***
Më jep një buzëqeshje ta marr me vete, Mbase më bie rruga në të tjera planete. Mbase më bie rruga të shkel dhe në hënë, Atje buzëqeshja, mbase më bëhet këngë. Më jep një buzëqeshje si trëndafil të bardhë,
T’i marr pak erë, kur të mbushem me mall.
HOMERI
Mbi një muzg shkon shaluar
Homeri i lashtësisë
“Iliadën” e mban ndër duar,
“Odisenë” mbi kurriz.
Preku mjekrën
Edhe tha:
“Fati është si unë i verbër.
Dhelpra lindi në Itakë,
Qyqja në Trojën e vjetër.
Kal’ i drunjtë nuk është zhdukur,
Rri i strukur në çdo skutë.
Hapni sytë,
Një ditë të bukur
Dheun prapë do ta tund”.
Pastaj shkon mbi muzg shaluar
Sipër maleve me borë.
“Iliadën” e mban në duar,
S’e lëshoka plak i gjorë!
Marrë nga libri “Drithërime muzgu”, 2006
Please follow and like us: