Arben Iliazi: Një dokumentar që na rrit krenarinë kombëtare
“Koha për t’u kthyer në shtëpi” ishte një befasi jashtë çdo parashikimi, që u përcoll me mjaft emocione nga spektatorë të shumtë, përfaqësues nga trupi diplomatik, studiues, gazetarë, historianë, që kishin mbushur sallën të mërkurën në mbrëmje në kinema “Millenium” në Tiranë.
“Një dokumentar që na rrit krenarinë kombëtare”, u shpreh shkrimtari i njohur dhe veprimtari i shquar nga Kosova, Avni Dehari, të cilin e kisha në krah.
Misioni bazë i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” është para së gjithash rritja e krenarisë kombëtare të shqiptarëve, përmes promovimit të historisë dhe veprave të shquara të humanizmit shqiptar, ku bën pjesë edhe trashëgimia e vyer e Çamërisë .
Këndellur nga kjo frymë erdhi ekskluzivisht për publikun shqiptar ky film dokumentar. Në këndvështrimin tim kjo vepër është një kontribut i spikatur i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin” dhe drejtuesit të saj Alket Veliu, si ideator dhe producent.
Puna e admirueshme e Admirina Peçit, si skenariste dhe regjisore, duke na dhënë një tablo racionale të genocidit dhe kronologjisë së spastrimit etnik, duke unifikuar shumësinë e situatave historike, ka bërë të mundur të dallohet qartë arsyeja nga historia dhe vepra të vijë me një frymë të re.
Dokumentari nuk fokusohej vetëm te tragjedia, por përshkohej nga vullneti për të nxjerrë në pah një trashëgimi historike e gjenetike të Çamëve. Në këtë trashëgimi kombëtare pulson arsyeja dhe mungesa e arsyes, drejtësia dhe padrejtësia, e vërteta dhe falsifikimi i historisë. Në këtë dokumentar nuk kishte asgjë idilike.
Por kishte shumë poezi e dramë. Çamëria vjen në këtë film me krenarinë e qënies së vet të papapërsëritshme, me legjitiminitetin e vet historik e kombëtar. Vepra e vë realitetin çam, çështjen e pazgjidhur çame, përballë parimeve universale të Drejtësisë, të cilat bota demokratike i trumbeton me forcë dhe ndoshta me hipokrizi.
Mesazhi i veprës vjen kuptimplotë: Çamëria nuk është fantazmë apo një kufomë historike që kërkon përshpirtje, por një realitet tragjik që kërkon vlerësim të sensit historik nga të dya vendet, Greqia dhe Shqipëria, kërkon një unitet moral të vërtetë, një vullnet kombëtar, bazuar mbi Kushtetutën shqiptare, por edhe mbi Parimet Universale të Drejtësisë.
Qëllimi nuk është aspak përndezja e pasioneve nacionaliste, apo ndonjë “apokalips”, por nxitja e triumfit të Drejtësisë mbi një të vërtetë historike të patjetërsueshme.
Mesazhi ishte i qartë edhe për politikën tonë të jashtme, e cila ka lënë brutalisht mënjanë problemet kombëtare, me teori e justifikime abstrakte.
Në marrëdhëniet me Greqinë, siç me të drejtë apeloi ambasador Shaban Murati, politika dhe diplomacia duhet të jetë e qartë në mëvetësinë e saj, me koordinata e shenja dalluese, një qeverisje që t’i përkasë korpusit të kombit.
Politika asimiluese greke ka goditur deri në marrëzi urtësinë e kësaj bote, me një genocid dhe spastrim etinik unikal, duke sfiduar gjithë ligjet fondamentale të njerëzimit. Mbajtja çelur e plagës çame është një eksploziv i rezikshëm edhe për vetë Greqinë e cila, duke mohuar brutalisht këtë çështje, i bishnon përgjegjësive të kohëve moderne dhe ndërton alibi të bazuara te megalomania dhe deliri biologjik.