Albspirit

Media/News/Publishing

Fondacioni Çamëria shfaq dokumentarin ‘Koha për t’u kthyer në shtëpi’! Alket Veliu: Lufta, misioni dhe ëndrra

“Koha për t’u kthyer në shtëpi”! Mbrëmjen e djeshme u mirëprit me një interes të jashtëzakonshëm në një sallë të tejmbushur që gëlonte mes shumë personaliteteve në kinema “Millenium” në Tiranë filmi dokumentar kushtuar genocidit grek mbi popullsinë e pafajshme shqiptare në Çamëri!

Një prodhim i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” që drejtohet nga Alket Veliu.

Dokumentari me skenar dhe regji të Admirina Peçit rindërtoi jetën e familjeve çame përpara dhe pasi nisi spastrimi etnik që u mori jetën mijëra fëmijëve, të moshuarve, grave dhe burrave përmes disa masakrave në vitet 1944-1945.

Dëshmi të gjalla. Rrëfime autentike të të mbijetuarve të genocidit, me dëshirën e vetme për t’u kthyer në trojet e tyre.

 Mizori, përdhunime dhe vrasje. Varrezave masive. Si u projektua nga shteti grek që në vitin 1844 ideja e spastrimit etnik në Çamëri në trevën e banuar historikisht nga shqiptarët.

Momentet historike kur kjo ide u vu në zbatim, mes shumë intrigave politike, ushtarake e diplomatike si dhe si u finalizua ky projekt ogurzi në vitet 1944-1945 nga ushtria greke e komanduar prej Napoleon Zervës.

Fakte dokumentare, dëshmi të dorës së parë dhe analiza historike e diplomatike nga Shaban Murati, Pëllumb Xhufi, Irakli Koçollari, Hasan Bello, etj, për një prej dramave më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare.

Drejtësia ende mungon edhe pas 80 viteve nga masakrat dhe dëbimi me dhunë! Drejtuesi i Fondacionit, Alket Veliu foli për luftën me heshtjen e shtetit, misionin dhe ëndrrën e shqiptarëve të Çamërisë.

Është një dokumentar që hedh dritë mbi historikun e shqiptarëve të Çamërisë. Është një sfidë e madhe që ne shqiptarët kemi pasur këto 80 vite dhe luftë e madhe me heshtjen. Misioni ynë është që të hedhim dritë mbi atë që ka ndodhur.

Janë shumë ata të cilët kanë ndërruar jetë, kanë ikur me një brengë të madhe por janë jo pak ata që kanë lindur në Çamëri, vazhdojnë jetojnë dhe ëndrrën e kanë më të madhe se të rinjtë të kthehen në shtëpitë e tyre. 

Një prej të cilëve është edhe im atë që ka ardhur 4 vjeç nga Çamëria dhe cdo pyet veten e vet, çfarë të keqe kam bërë unë 4-vjeç në Çamëri që më dënuan? Dhe jam i dënuar për të jetuar larg shtëpisë sime.

Është një pyetje që ne të gjithë duam t’i japim përgjigje dhe përmes këtyre aktiviteteve është pikërisht përgjigja që duhet t’i japim që me shumë mjeshtëri është dhënë përmes këtij dokumentari, që ka një shtrirje që nga antikiteti, nga ana tjetër ka edhe inskenime të ngjarjeve që kanë ndodhur në 1944”, tha Veliu.

/5pyetjet.al

Please follow and like us: