Albspirit

Media/News/Publishing

“TEMPULLI QË NA MËKOI DHE NA BEKOI ME DIJE PËR JETËN”

Ibrahim Emiri
Dy fjalë për librin me kujtime “TEMPULLI QË NA MËKOI DHE NA BEKOI ME DIJE PËR JETËN”.
Kujtime dhe mbresa në përkushtim të 100 vjetorit të çeljes së Liceut të Gjirokastrës, sot gjimnazi “Asim Zeneli” 1924 – 2024.
Në kohën e rinisë sonë ishte vlerësim i gjithëpranuar se Gjirokastra magjike kishte dy kështjella: 1. kalanë hijerëndë mesjetare, si simbol të qëndresës, 2. liceun, gjimnazin “Asim Zeneli”, i cili konsiderohej “Tempull i Dijes”, jo vetëm prej ndërtesës impozante, por sidomos prej trupës pedagogjike cilësore dhe niveli i lartë i mësimdhënies.
Në nëntorin e vitit të kaluar ishte 100-vjetori jubilar i atij gjimnazi, i cili meritonte një kremtim dinjitoz, por mosvlerësimi apo injorimi prej institucioneve qendrore të shtetit ishte mjaft zhgënjyes. Kremtimi i jubileut të gjimnazit shekullor u organizua vetëm nga pushteti lokal, sikur ai gjimnaz të mos kishte vlera të veçanta me karakter kombëtar në të gjitha fushat e jetës. Ai gjimnaz i ka dhënë Atdheut jo vetëm qindra personalitete të shquara të dijes, shkencës e kulturës , por edhe rreth 150 luftëtarë për çlirimin nga okupatori nazi-fashist, një e treta e të cilëve dhane jetën për liri. Fatmirësisht në ceremoninë e organizuar nga pushteti vendor me rastin e 100-vjetorit të gjimnazit u akordua titulli “Qytetar Nderi” për dy prej mësuesve legjendë të atij gjimnazi, Luis Çene dhe Agim Shehu. Ne ish gjimnazistët, propozues për titullin, i jemi falenderues Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës.
Ideja për botimin e një libri me mbresa e kujtime kushtuar gjimnazit emblematik të Gjirokastrës lindi prej një grupi të vogël ish-gjimnazistesh rreth një vit para 100-vjetorit të tij, jo vetëm si një dëshirë nostalgjike, por sidomos si një obligim. Megjithëse përgatitja e librit u realizua në kohë, botimi i tij nuk u bë i mundur në prag të festës jubilare për arsye financiare, megjithë premtimet e Bashkisë Gjirokastër. E rëndësishme është që më në fund u realizua. “Më mirë vonë se kurrë”, thotë populli. Si antar i grupit përgatitës të botimit falenderoj zotërinjtë Ilir Babaramo e Alket Veliu, të cilët me dashamirësi mundësuan botimin e librit
Libri është një mozaik shkrimesh që karakterizohen si nga elemente të përbashkët ashtu edhe nga elemente të ndryshëm. E përbashkëta e shkrimeve është se ato kanë të njëjtin objekt: gjimnazin “Asim Zeneli”, si dhe i përkasin të njëjtës moshë, moshës së bukur rinore të gjimnazistit. Libri karakterizohet gjithashtu edhe nga e ndryshmja sepse mbresat e kujtimet janë shkruar nga ish-nxënës të gjimnazit tashmë me mosha të ndryshme, me kënd-vështrime të ndryshme, si dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme në kohë.
Le të jetë ky libër një kontribut modest me mbresa e kujtime të disa prej ish-nxënësve për “tempullin e dijes”, gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës.
Please follow and like us: