OXHAKU I FRASHËLLINJVE ME 7 DJEM DHE 2 VAJZA
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Jeta e Frashëllinjve në vite, shifra dhe fakte. Në dekada Frashëllinjtë e shquar të kombit shqiptar njiheshin si “tre vëllezërit Frashëri”, ndërkohë që ata ishin shtatë vëllezër dhe dy motra. Abdyli ishte djali i parë i Halit bej Frashërit dhe Eminesë nga Korça, bijë e Mirahorëve, mbesë e pashallarëve të Plasës. Abdyli lindi 185 vjet më parë më më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit, Abdullah Hysni, por në fshat u thirr Abdyl, kurse në rrethin familjar akoma më shkurt “Dule”. U nda nga jeta më 23.10.1892 në Stamboll. E dyta në radhë nga fëmijët e oxhakut të Frashëllinjve ishte vajzë dhe që e quajtën Nafizeja që ishte lindur 183 vjet më parë, më 1841. Fëmija i tretë ishte Sherifi që ishte lindur 181 vite më parë, më 13 dhjetor 1843, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. I katërti dhe i pesti i fëmijëve ishte Naimi i lindur 178 vite më parë, më 25 maj 1846. Fakt është se nëna e tij Emineja lindi dy binjakë, por njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë “Naim”, që në gjuhën arabe do të thotë “i fuqishëm”, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i gjashtë ishte vajzë Shanishaja e lindur 176 vite më parë më 1848, Fëmija i shtatë ishte Samiu, djali që u bë burrë i madh i kombit i lindur 174 vite më parë, pra më 1 tetor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18.6.1904. Fëmija i tetë ishte Tahsimi që ishte lindur më 171 vite më parë, më 27 janar 1853. Fëmija i nëntë ishte Mehmeti që ishte lindur 168 vite më parë, më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 21 dhjetor 1918 kur ishte 62 vjeç. Jeta dhe vepra e shquar e frashëllinjve është sa sinjifikative aq edhe me vlerë kombëtare. Ndërkohë që trungu familjar Halit bej Frashërit nga Frashëri dhe Eminesë korçare sollën në jetë gjashtë djem e dy vajza por që historia njeh me kontribute të jashtëzakonshme Abdylin, Naimin dhe Samiun. Mosha mesatare që kanë jetuar fëmijët e oxhakut të Frashëllinjve ka qenë tepër e vogël, vetëm 44 vjeçare (saktësisht 44.125). Në mënyrë kronologjike dhe të përmbledhur sipas vitlindjes Frashëllinjtë kanë këto të dhëna: Abdyli (1839-1892) vdiq 53 vjeç, Nafize (1841-1894) 53 vjeçe, Sherifi (1843-1874), vdiq 31 vjeçar, Naimi (1846-1900) vdiq 54 vjeçar (bashkë me Naimin lindi edhe një djalë binjak por nuk mundi të jetonte), Shanisha (1848-1871), vdiq 23 vjeçare, Sami që thirrej në osmanllisht Shemshedin (1850 – 1904) vdiq 54 vjeçar, Tahsimi (1853-1876) vdiq i ri 23 vjeçar, kur ishte student, Mehmeti (1856-1918) u shua në moshën 62 vjeçare. Që të gjithë fëmijët e Eminesë dhe Halit Frashërit lindën në Frashër. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një shekull nga shuarja e Frashëllinjve fizikisht fama e vëllezërve Frashëri vijon të jetë si një rrezatim që nuk shuhet kurrë, për shërbimin e shquar ndaj kombit shqiptar.
*
Halit Bej Frashërit – oxhak i parë në Dangëlli!
Halit bej Frashëri dhe mbarë frashërllinjtë përbëjnë një prej oxhaqeve që i përket origjinës nga trungjet fisnike, atdhetarë, patriotiokë, aristokratë shqiptarë. Kontributi është sinjifikativ në historinë shqiptare në dy shekujt e fundit për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit shtetëror si dhe për krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie origjinale. Dyert e mëdha të Frashërit, nuk ishin pronarë të mëdhenj latifondistë, por funksionarë të lartë të perandorisë dhe tregtarë të mëdhenj dhe në më të shumtën e rasteve kanë banuar në qendër të sulltanatit në Stamboll. Titujt që shumë Frashërllinj kanë mbajtur kanë qenë në bej me grada (rytbe) që prej shekullit të XVII me ferman të Sulltanit por edhe me leje mbretërore nga Egjypti sikurse është rasti i familjes Frashëri. Në Frashër pashallarë kanë qenë dega e Vilakëve dhe e Sulejmanbellinjve të Frashërit, ndërsa stema personale në Frashër kanë pasur Adhamidhi dhe Totoni. Frashëri, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala osmane “Dag-ili”, që do të thotë “Mal/Malësi”, ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, sikurse thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”. Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896 kishte 28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot njësia administrative Frashër ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci, Selenica. Frashëri rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, shtrihet në një hapësirë relievi rreth 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, në vitet 1431-1432 evidentuar nga shkrimtari dhe historian i madh turk Halil Inalxhik. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg me 20 dyqane, me rreth 300 shtëpi, sipas Kristo Frashërit. Ishte “një qytet i vogël malor”, shkruan Sami Frashëri në veprën e tij “Kamus-ul-Alam”. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët/Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë/Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit/Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit/Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët.
Në rrënjët e Frashëllinjve
Gjenealogjia e oxhakut të Dulellarëve, ndodhen në Institutin e Historisë, dhe mund të depërtojmë deri te katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, Beqiri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi nga Turqia dhe Shqipëria e kanë thënë fjalën e tyre, sikurse është A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”(emri në turqisht i Sami Frashërit), Ankara, 1969, thotë se Katragjyshi Beqiri i Frashëllinjve ka qenë spahi, pa përcaktuar timarin e tij. Djali i parë i Beqirit ishte Fejzullahu, në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte Muhtari, shkurtimisht thirrej Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Alfred Frashëri, në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, publikim i vitit 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë: Kajmaku, Jakupi, Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin e Durmishin, sipas Kristo Frashërit. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër si oxhaku i Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut. Në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, shkruan Sami Frashëri, “Kamus ul Alam”, Istanbul, Vëll. III, 1891). Më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, Haliti, tregoi simpati për reformat centralizuese, por nuk u bë oficer i karrierës por mbeti serçeshme, spahi që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Sulltanati. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin. Te vjet më vonë më 1857, Haliti u nis me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859. Haliti nuk pati fëmijë me gruan e parë. Me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve, por që banonte në Korçë. Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë, por që u rënua më 1892. Por 82 vite më pas më 16.6.1974 u ringrit mbi themelet dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri, ku ishin të pranishëm në përurim, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, dhe nipi i Samiut, Emin Ereri. Ishte një përkujdesje dhe vlerësim nga ish rregjimi i kaluar. Shtëpia është me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri është ndërtuar me dhjetë dhoma dhe dy korridore me përmasa të mëdha, ku nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të shquar përmetar Odise Paskali.
Emine Mirahori nga Korça, mbesë e pashait të Plasës, nga oxhaku i Sinan Pashës
Emineja lindi më 3 maj 1814 në Korçë. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit, i cili i takonte brezit të dhjetë pasardhës të Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit të qytetit të Korçës. E ëma e Eminesë, Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar devshirme nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II, Iljaz Mirahori luftoi për marrjen e Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e sulltan Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçë më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, sipas profesor Ferit Duka. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008). Emineja u bë bashkëshortja e dytë e Halit Bej Frashërit, mbesë e pashallarëve të Plasës, nga martesa e të cilëve sollën në jetë tetë fëmijë. Në shkëlqimin më të madh të oxhakut të rëndë të Frashëllinjve e zënë tre frashëllinjtë e njohur në mbarë shqiptarinë: Abdyli, Naimi dhe Samiu. Poeti ynë kombëtar Naimi në një prej poezive të vëllimit “Lulet e Verës”, e shkroi enkas për Korçën e nënës së tij Eminesë, e cila ishte bijë e Mirahorëve, themeluesve të qytetit të qytetin e Korçës. Fakt është se nëna e tetë frashëllinjve Emineja ishte e bija e Islam Mirahorit dhe Zymbyles. Vetë Zymbylja, e ëma e Eminesë, ishte bijë e Mehmet pashë Plasës, pasardhës i Sinan Pashës, një prej pashallarëve më të fuqishëm të Toskërisë. Për gjyshin e vellëzërve Frashëri, nga dera e nënës që kishte fituar qytetari shprehja popullore: “Do të dijë der’ e Plasës?!”. Ndërkohë që është e njohur se, Plasa është një fshat në veri të Korçës, në shekujt XVII e XVIII ka qenë banimi i fisit të Sinan Pashës, i cili ishte ndër Pashallarët më të fuqishëm të trevës toske. Kjo familje e përmendun ka pasë në Plasë saraje të mëdha, ndër më të shquarat në trevën arbërore nën pushtimin osman. Populli në kohë të fuqisë së kësaj familjeje thoshte: “Do të dijë der’ e Plasës!” për të treguar se oxhaku ose fisi i Pashallarëve të Plasës nuk trembej as nuk merrte në sy çfardo rreziku”, pasi tregonte elementë të dukshëm të fuqisë dhe pushtetit ekonimik, politik dhe administrativ e ushtarak të këtij oxhaku me emër. Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më 28 prill 1861. Emineja pati shtatë djem dhe dy vajza, por që jo të gjithë jetuan gjatë sepse një djalë binjaku i Naimit u shua që në ditët e para të lindjes, tre nga fëmijët e saj u shuan në moshë shumë të re nga 23 deri në 31 vjeç.
*
Abdyl Frashëri fymëzues i autonomisë së LSHP-së misionar i shekujve për atdhetari
Abdyl Frashëri, deri sa u bë në moshën 17-18 vjeçare e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, taksës mbi bagëtinë dhe të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë.
Punonte si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka mësuar arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave”. (Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896). Abdyli si vëllai i madh i vëllazërisë më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi, Mehmeti, përfunduan me sukses gjimnazin “Zosimea”. Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, shkruan Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, ushtarak i karrierës, në Janinë. Ballkëzi Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, sipas Alfred Frashërit.
Abdyl Frashëri nuk ishte vetëm një menaxher i aftë dhe shumë i zoti i familjes së tij, por u shqua si personalitet politik qysh më 1877 kur zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman, po ashtu dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, lartësohet në sytë e opinionit mbarëshqiptar si një burrështetas i madh, udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar e orator i talentuar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që funksionoi më 1978-1881. Abdyli kishte një trup mbimesatar, portret të gdhendur nga gjëmimet e historisë së vuajtjeve shqiptare, me vështrim të fukusuar në hallet e popullit dhe mëvetësinë e Shqipërisë.
“Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë, dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut, dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, përcaktonte një nga shqiptarët e mëdhenj të shekullit të kaluar Faik bej Konica më 1898. (Efthim Dodona,“Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010).
Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halit, por vdiq shpejt. Djali i dytë, lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halit, jetoi pak sepse dhe ai ndërroi jetë fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mithati, dhe vajza e vetme, që kishte emrin e gjyshes, Eminesë jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, ka shkruar Kristo Frashëri. Abdyli gjatë veprimtarisë së LSHP, u kap më 27.4.1881 në afërsi të fshatit Buqës, pranë Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje. Dënimi ju kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10.5.1881 në Kalanë e Prizrenit dhe dolli më 31.5.1884. U internua në Ballëkesir të Anadollit dhe pas një viti, në Bandërma deri më 31.5.1886, ditë kur u fal dhe u vendos në Stamboll.
Vëllai i tij Sami Frashëri shkruante për të: “Abdyl Frashëri ka qenë një zotëri me zgjuarsi e guxim të jashtëzakonshëm, i mësuar dhe i durueshëm ndaj mundimeve trupore, trim sa nuk bëhet … E donte shumë familjen e farefisin … Ashtu si jeta e tij edhe vdekja e tij ka qënë e jashtëzakonshme, ka dhënë shpirt duke thënë fjalë burrërore dhe duke dhënë këshilla të mënçura”. (Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll.V, Istanbul, 1896). Abdyli ndërroi jetë më 23.10.1892 dhe u varros në varrezat e Merdiven-Kojit të Stambollit. Eshtrat e tij u sollën nga shteti në Shqipëri, në Përmet, më 19.3.1978, nga një delegacion i përbëre nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo. Qëndroi arkivoli me eshtrat e Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër, nga 20 marsi deri më 9 qershor 1878, i mbështjellë me flamurin kombëtar, pastaj u çua në Tiranë dhe, më 11 qershor 1978, u vendos, si dhe arkivoli me eshtrat e Naim Frasherit, të cilat më parë preheshin në Kryegjyshatë, në Varrin Monumental apo Përmendoren e tre Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku ngrihen edhe bustet e tre vëllezërve, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, të derdhur në bronz nga Odise Paskali, Thoma Thomai dhe Spiro Bakallbashi. Arkivoli me eshtrat e Abdylit, u shoqërua nga Frashëri në Tiranë, edhe nga nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Ballkëzia, e shoqia e Abdylit, u nda nga jeta 24 vjet më vonë në Stamboll, në mars 1916. Më qershorin e vitit 1978 me ndërmjetësinë e dy kryeministrave Mehmet Shehu dhe Bulent Exhevit, eshtrat e Abdyl Frashërit u kthyen në Atdhe, ndërkohë që ishte koha kur në Shqipëri festohej 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
*
Naim Frashëri apostull, bilbil i shqiptarizmës dhe penëndritur i Shqipërisë
Naim Frashëri që ka merituar titullin “Naim Shqipëria” dhe është varrosur 5 herë
Naim Frashëri i dha emër dhe dimension të ri gjuhësor shqipes, prandaj ai njihet për së shumti nga vepra e tij. Përmendet se në “Zosimea” përfundoi studimet me “fort mirë”. Veprat e Naim Frashërit: “Istori e Shqipërisë”, “Ihtiraat ve ke, sfiyat, “Fusûli erbe’a. Francizcadan me’huzdur”, “Tahayyulat”, “Bagëti e bujqësija”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, në dy pjesë; “Ho alêthês pothos tôn skypetarôn hypo D.”, “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Dituritë për mësonjëtoret e para“, “Luletë e verës”, “Mësime…”, “Parajsa dhe fjala fluturake”, “Ho Erôs. Poêmata prôtotypa eis asmata oktô met’ eikonôn”, “Fletore e Bektashinjet”, “Iliadë e Omirit-Këngë e parë, “Istori’ e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Dëshira e vërtetë e Shqipëtarëvet”, Vepra të zgjedhura, 1-2. Nga Akademia e Shkencave, Tiranë,1980, 1985), Vepra 1-7. Rilindja, Prishtinë, viti 1986; Vepra letrare’, 1-5, Tiranë 1995, 1996 etj. Janë vepra që flasin qartë në çdo epokë. Referenca e brezave bën që poetë dhe jo vetëm t’i referohen dhe ta bëjnë më të njohur veprën edhe përmes veprave që lënë gjurmë. Një prej tyre është poeti kombëtar Lasgush Poradeci i ka shkruar dy poema plot frymëzim për Naim Frashërin, dy poema të jashtëzakonshme. Dhe në fakt asnjë poet shqiptar nuk ka folur si Lasgushi për përkushtim, atdhedashuri, përfytyrim kozmik, ide me fuqi e zjarr që krijon e mitizon monumentin e përjetësisë poetike, Naimin. Ai e sjell nga sheshi i Qerbelasë, përmes sakrificës titanike e konceptuale në shekuj, e depërton në trimëritë stërgjyshërore, që jehojnë me një të përmallshëm, por gjithë dritë mendimi naimjan: “Ndaj fërfëllon si yll me flakë,/Prej shkretëtirës së harrimit…”. Sa të jetë jetë dhe dritë përmbi dhe kënga, publicistika, studimet, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri nuk do të rreshtin. Naimi është referencë e brezave të mëdhenj e të vegjël, do të jetë një udhërrëfyes për të treguar atë që shqiptarët gjykonin e mendonin për poetin kombëtar Naim Frashëri. Naim Frashëri ishte i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo flasim për këtë bilbil dhe apostull të shqiptarizmës. Naimi gdheni këngë që janë rrënjosur thellë në memorien e kombit shqiptar: “T’i Shqipëri më ep nder më ep emrin shqipëtar,/Zemërën ma gatove plot me dëshirë e me zjarr!”. Nga ana tjetër është ndër të rrallët poet që ka merituar titullin “Naim Shqipëria”. Gjuha Naimjane është gjuha që flet për lirinë dhe i tregon rrugën përparimit të kombit tonë. Gjuha shqipe e Naimit është kushtrim për gjithë brezat e kombit shqiptar: “Gjuha: shpirti i shenjt’ i kombit, që kalon duke kënduar!/ Gjuha: zjarr, ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!/ Gjuha: afsh’ i gjall’ i jetës! Shpat’ e ndritur e lirisë!/ Gjuha: yll’ i vjershërisë! Gjuha: Verb’ i Perëndisë!”. Gjuha dhe stili naimjan nga pena e një pinjolli të Frashëllinjve, vjen e skalitur: “o shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të madh që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!”. Homazhin, dhembjen dhe vlerësimin për poetin e shpreh gjithë elegancë elegjia e Çajupit: “Vdiq Naimi, vdiq Naimi,/Moj e mjera Shqipëri,/ Mendjelarti, zemërtrimi,/ Vjeshëtori si ai..”. Naimi është poeti kombëtar që ndikoi fuqishëm në jetën e shqiptarëve duke u bërë shkrimtari dhe poeti madhështor i Rilindjes sonë Kombëtare, atdhetari, mendimtari, veprimtari shquar i kulturës së letrave shqipe. Vargjet dhe proza, mendimi kritik dhe shprehës vijnë në libër në një unitet vlerash për poetin kombëtar Naim Frashëri, mendim dhe vlerësim që nuk do të mungojë asnjëherë për poetin dhe shkrimtarin e kalibrit të lartë të fjalës dhe mesazheve të gdhendura për shqiptarinë dhe kulturën kombëtare të kombit, prandaj do të ngelet titan dhe do të thirrët për ndihmë sa herë dallgët e globalizimit do të ngrihen në planetin tonë gjithënjë e më të vogël. Është fakt se të gjithë deshën që të merrnin sadopak flakë nga flaka e qiririt të naimizmit. Për këtë eshtrat e Naim Frashërit, ja luajtën nga vendi pesë herë, për ta nderuar dhe për të marrë nderim prej përjetësisë së tij. Kështu më 20.10.1900 varroset në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që përkthehet: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”. Pas 37 vjetësh më 2.6.1937, Naimi varroset tek Kryegjyshata botërore e bektashinjve që u kishte kënduar me aq pathos, në kohën e Mbretërisë shqiptare.
Nënkolonel Shefki Shatku, Komandant i Xhandarmërisë shqiptare solli eshtrat nga Stambolli, dhe ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Ishin mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës ku populli hidhte lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit. Ishte vërtetuar ajo që shkruante Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënd të fundmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin eshtrat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica në gazetën “Albania”, (Bruksel, Nr.4, 20.04.1901). Më 9.4.1940 sërish në Kryegjyshatë nga mëkëmbësi mbretëror Francesko Jakomoni do zhvillonte një ceremony tjetër rivarrimi; më 20.4.1950 pranë kryeministrisë dhe më 10.6.1978 në kodrat e Liqenit artificial të Tiranës në ish-kodrën e dëshmorëve të LANÇ-it, atje ku prehen edhe sot aktualisht. Shekujt do të shkojnë dhe breza të tjerë shqiptarësh do të transmetojnë fjalët poetike: “Në mes tuaj kam qëndruar,/ Dhe jam duke u përvëluar,/Që tu japë pakëz dritë,/Natën ta bëjmë ditë,/Kur më shihni se jam tretur,/Mos kujtoni se kam vdekur,/Jam i gjallë dhe jam në jetë,/Jam në dritë të vërtetë..!”. Naimi do të mbetet “një Hije e Shenjtëruar, që endet mes të gjallëve” dhe që ndriçon të gjallët e kombit shqiptar. Naimi ishte një nektar i mendimit shqiptar bilbil gjuhe dhe apostull shqiptarizmi. Vitet do të kalojnë dhe vepra e Naimit vetëm do të lartësohet në sytë e shqiptarëve kudo ku jetojnë, sepse ata do ta thonë me krenari që, “Ne flasim gjuhën e bukur të Naimit”.
*
Sami Frashëri filolog dhe fenomen mbarëkombëtar i klasit aristokrat i mendimit
Samiu, një erudite i quajtur nga qindar studjues një “përmendore pune”
Samiu ishte fëmija i shtatë i familjes së Halitit dhe Eminesë, që mësimet e para i mori në Teqen bektashiane të Frashërit. Me nismën e vëllait të madh, Abdylit më 1865 vendosen në Janinë. I shquar për inteligjencë natyrale, Samiu kreu me sukses gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Ai punoi për pak kohë në sekretarinë e Vilajetit të Janinës dhe kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, sikurse shkruan vetë Sami Frashëri në “Serveti Funun”, më 1896. Ai ishte një ndër organizatorët kryesorë të formimit të “Komitetit Shqiptar të Stambollit” më 18 dhjetor 1877, ndërsa më 12 tetor 1879, në moshën 29 vjeçare, zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqipe”.
Në vitet 1884-1885 drejtoi revistat “Drita” e më tej edhe “Dituria”. Hartoi për nevojat e shkollës shqipe libra. Më 1899 botoi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, vepër që u përkthye në greqisht nga Fan Noli. Është autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat qe ai drejtoi në Turqi, midis të cilave në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, ndërsa në gjuhët turke e arabe, “Kamus ul Alam”, në gjashtë vëllime, për të cilën ai punoi më shumë se një dekadë. Samiu është autori i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamusi Turki” me 40.000 fjalë e shprehje, autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (1882) dhe “turqisht-frëngjisht (1885), arabisht-turqisht (Kamus-i Arabi).
Ai publikoi në gjuhën turke drama e romane, ndër të cilat veprën “Besa”, më 1875. Disa libra e broshura i përmblodhi te “Biblioteka e Xhepit”. Ai me cilësitë e jashtëzakonshme drejtoi revistat e gazetat “Hadika”, “Tarabullus”, “Sabah”, “Aile”, “Hafta”, “Terxhumani Shark”, që u bë organi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Samiu ishte një përkthyes i talentuar dhe kështu ai përktheu shumë vepra, sidomos nga frëngjishtja, ku studiues të veçantë e kanë quajtur Samiun një “përmendore pune”. “Një njeri, një akademi”, shkruan studjuesi Shexhaattin Tural. Fakt është se të tre vëllezërit, Abdyli, Naimi e Samiu, janë simbole të atdhedashurisë dhe emblema të kulturës e diturisë në Shqipëri. Në kujtimet e Guri Sevo (botuara më 1936), shkruan: “Një ditë e pyeta mësuesin tim, Petro Nini Luarasin, “se cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?”. Petro Luarasi iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?”.
Mjaft sinjifikative dhe domethënëse përgjigjia. Samiu, në Stamboll u njoh dhe u martua me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje nga paria e Stambollit. Au u martua kur ishte 34 vjeç, më 1884. Me Eminenë dhe bashkëjetoi 10 vjet me të si dhe kishin katër fëmije: Samijen, Sadiun, Sadijen dhe Ali Samiun. Me vdekjen e Eminesë, më 1894, pas një viti, më 1895, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin, vajzën e Ibrahim Pashës nga Laçenjtë e Frashërit, që në atë kohë jetonte në Stamboll, me të cilën pati një djalë, Skënderin. Samija, vajza e madhe, u martua me Rashid Mansur Ererin, i cili për një periudhë ishte ministër i financave të Turqisë. La dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri.
Ali Samiu, 1886-1951, studioi në shkollën e Gallatasarajit në Stamboll dhe më 1905 krijoi klubin e futbollit, që u regjistrua zyrtarisht më 1912. Ali Samiu, apo si quhet nga viti 1934, Ali Sami Yen (Ali Samiu i ri), ishte presidenti i parë i klubit sportiv të Gallatasarajt, prandaj edhe stadiumit të futbollit të Gallatasarajt, ndërtuar më 1964 me 25500 vende në Stamboll, iu dha emri “Ali Sami Yen”. “Samiu ishte i dhënë shumë pas fëmijëve. Në çështjen e edukimit të tyre ai nuk ndalej përpara asnjë sakrifice”, shkruan studiuesi turk A.S.Levend. “Deri në vitin 1899 në shtëpinë tonë kishte gjithmonë mysafirë. Midis tyre kishte priftërinj, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, orientalistë, të huaj, të rinj e të vjetër. Sami Frashëri dinte të respektonte mendimin e tjetrit dhe dinte të sillej me secilin. Me fëmijët sillej si fëmijë”, shkruan i biri i tij Ali Sami. (Hekmet Turhan Daghoglu, “Semsettin Sami”, Stamboll, 1934). “Samiu … ka pasë shtatin e gjatë dhe …me bel të hollë, me ball të gjanë dhe pak të dalun përjashta. Ngjyrën e syve e ka pasë të zezë dhe shumë të shkëlqyeshme …Si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri gjithmonë serioz dhe në të folur tëi ambël dhe buzagaz …me secilin person ka ngjallë respekt e dashuni të thellë”, shkruan Niazi Sulçe, (Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008).
Nga të dhënat për Sami Frashërin del se “Ai ka patur letërkëmbime të shumta. “Samiu ka patur letërkëmbim shumë të gjerë, të dendur, të cilin e zhvillonte në shtatë gjuhët që zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, arabisht, persisht, greqisht, shqip. Ai dërgonte 10-15 e deri ne 20 letra në ditë”, shprehej dikur vajza e madhe e Samiut, Sania, që i ka qëndruar vazhdimisht pranë Samiut. (shkruar nga Gazmend Shpuza “Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1980). Sami Frashëri jetoi fare thjeshtë, shpesh edhe në varfëri. Nuk ju ndanë edhe borxhet. Sapo u nda nga jeta, shtëpia dhe biblioteka e tij prej 20.000 vëllimesh, u shitën që familja jo të jetonte por të mbijetonte. Kolosi Sami Frashëri nuk punoi kurrë për pasuri por për shqiptarinë, pasi edhe Porta e Lartë e ndoqi, persekutoi, internoi, e izoloi, aq sa vitet e fundit iu ndalua edhe të dilte edhe shtëpia. Në këto kushte ai u nda nga jeta ditën e shtunë, ora 21, ditën e 18 qershorit 1904, ndërkohë që eshtrat e tij ndodhen në varret e njohura të Fario Kunit në Erenkoy të Stamboll, një lagje ndërmjet Goztepe dhe Çatallçeshme përtej Bosforit. Edhe Ahmet Davutoglu kur ishte Ministër i jashtëm turk (13.2.2013) ka thënë se, “Sami Frashëri është një thesar për Turqinë dhe do të qëndrojnë e prehet në Stamboll”. Por këtë çështje do ta zgjidhë koha gjykoj, pasi Samiu ka qenë është dhe do të jetë prezent në dejet e gjakut shqiptar me veprat dhe kujtimin e tij të pashuar. Në 54 vite jete Samiu shkroi 54 vepra monumenbtale, ku Turqia e njeh si babai i Enciklopedistëve ndërsa Shqipëria si ideologun themelor të Rilindjes sonë kombëtare.