Sazan Goliku: Në Gjirin e Vlorës
Ç’më guduliska këmbët si buzë fëmije
rëra që tërhiqet me dallgën bashkë.
Po unë kridhem e nginjem kaltërsi
me peshq e zogj notoj e këlthas.
O tinguj të ngjyrave, o lojë e rrezeve!
Lëvizje e pakapshme e ujit e ajrit!
Këtu jam fëmijë, harroj të dal bregut
dhe pse nga sipër më josh erë e malit.
Magjia e detit në valë më ka shndërruar
e gjuhën e valëve në shpirt e përkthej.
Dehem nga elementet ku jeta u ngjiz,
jam bërë i padukshëm dhe veten s’e gjej.
Sërish nata buron nga fundi i detit,
por dielli e fundos me rrezet shigjetë.
Ngadhnjimin e dritës mbi hijet e natës
e ndiej dhe e shoh mbi tokë e det.
Ngjitem mbi shkëmb. Nga muskujt më rrjedhin
perlat e njelmëta me diell në mes.
Krah pulëbardhe më mbijnë në shpatulla…
Valët pëshpërisin dëshirën që s’tretet.
Please follow and like us: