Ekskluzive/Rrëfimi i regjisorit Saimir Bajo për filmin e tij të fundit!
Unë, Beni dhe gjithë familja Bajo, një epokë, një brez në kërkim të ëndrrës drejt artit – rrëfimi i regjisorit Saimir Bajo për filmin e tij të fundit!
Siluetat e tyre fëmijërore gjallojnë nën hijet e rënda të shtëpive gjirokastrite. Hapat rendin plot vrik në tatëpjetat e rrugëve të kalldrëmta. Një drekë në familjen Bajo, pastaj një tingull violine që luhet diku dhe një nudo e ndaluar që nis e ravijëzohet në faqen e pasme të një libri me kapak të kuq të Enver Hoxhës…! Këto dhe të tjera detaje të imta nga memoria e Saimir Bajos, shfaqen me një çiltërsi fëmijënore në filmin e tij “Violinisti”, nga të parët skenare të regjisorit që duket se e ka pikënisjen plot 25 vite më parë, por duket se këtë herë, kanë një tjetër motiv edhe më të fortë, një dedikim për vëllain e tij, skulptorin Arben Bajo. Ky film artistik është bazuar te kujtimet, copëza nga jeta personale e regjisorit me elemente që ndërtojnë ngjarje autentike – por ndërkohë kjo nuk është thjesht një histori kaq personale, pasi jep dimensionin e një periudhe, të një brezi duke dhënë mesazhe të forta.
“Mesazhi i filmit është: njeriu mund ta humbasë një dashuri apo një ëndërr, por kjo nuk duhet ta çojë atë në një tragjedi por në një dashuri dhe ëndërr të re”, thekson regjisori Saimir Bajo, prej vitesh me një karrierë të shkëlqyer në kinemanë dhe televizionin çek.
Gjeneza e filmit, rrëfen Saimiri për “Bordo”, nuk ishte aspak humbja e trishtë e të vëllait, Arben Bajo, madje ai kujton se ndodhej në Tiranë, vetëm pak ditë para se vëllai i tij të ndërronte jetë nga Covid-19, pikërisht për të kristalizuar idetë e realizimit të filmit. Skenari i “Violinisti” është nga të parët që kam bërë para 25 vitesh, kur unë nuk e njihja aq mirë skenarin. E kisha si projekt dhe erdha për t’u takuar me Benin për të parë vendet e xhirimit dhe për të nisur më pas përgatitjet. Kemi qëndruar bashkë gati 10 ditë, duke biseduar për skenarin, madje ai më dha edhe disa sugjerime dhe ide, siç ishte ajo për antenën për të kërkuar stacionet italiane”, rrëfen regjisori shqiptar, që prej vitesh po korr sukses jashtë Shqipërisë.
Por fati nuk e deshi, që ai dhe vëllai të ishin pjesë e filmit. Arben Bajo u largua papritur nga jeta, duke lënë një pas një dhimbje të madhe në familje, mes miqsh, por jo vetëm. Kjo humbje e dhimbshme e përloti, por nuk e gjunjëzoi Saimirin: ai i ndërpreu përkohësisht projektet e nisura në Çeki dhe Lituani, i mbështetur nga e ëma, me një peng në zemër udhëtoi drejt Gjirokastrës, për të realizuar filmin që kishte dashur. Edhe pse pa Arbenin në krah, siç e kishte projektuar që në krye të herës, gjeti forcë për të piketuar vendndodhjet, madje edhe protagonistët brenda një kohe rekord. E pranon se nuk ishte aspak e lehtë, pesha e dhimbjes përzihej me kujtimet që i ngjallnin ecejaket në rrugicat e qytetit ku u lindën, aty ku ishte pikëzuar talenti dhe e ardhmja e tyre, si dy artistë të ardhshëm.
Saimiri ka një ndjeshmëri të lartë artistike, emocionohet dhe përlotet teksa flet për të vëllain. “Filmi ishte programuar dhe unë duhet ta përfundoja. Shkuam me nënën në Gjirokastër dhe aty vendosa që ta xhiroj. I bëra të gjitha përgatitjet vetëm – edhe pse ishte moment shokues, xhirimet filluan. Mora forcë, shkova te shkolla 9-vjeçare “Urani Rumbo”, pastaj te shkolla e muzikës në Gjirokastër, bëra vetë audicionet dhe shumë shpejt gjithçka ishte gati”, tregon Saimir Bajo. Edhe pse i komentuar më së shumti si një dedikim për Benin, “Violinisti” në fakt është një film, jo vetëm për vetë Saimirin dhe të gjithë familjen Bajo, por për të gjithë Gjirokastrën, epokën komuniste ku ata u rritën, ëndrrat e dy fëmijëve për të gjetur rrugën drejt së ardhmes, por edhe një mënyrë që përshfaq të gjitha dimensionet e një familje të madhe, e cila ka frymëzuar breza të tëra në qytetin jugor.
Saimiri nuk e fsheh se xhirimet u realizuan në një kohë rekord, brenda katër ditë e gjysmë, nën presionin e një vape të tmerrshme 42 gradë Celsius, vetëm me dy–tri orë gjumë dhe një punë intensive. “Nga një anë isha i shkatërruar nga drama, që kisha kaluar, por ndihesha akoma më i fortë për ta realizuar filmin sa më mirë”, kujton ai. Saimiri, i cili prej njëzet vitesh, punon si pedagog i regjisë së filmit dhe dokumentarit në disa Akademi shumë prestigjioze të Filmit të Çekisë, edhe pse u mëson studentëve që filmi është një proces i gjatë, këtë herë bëri krejt të kundërtën.
E pranon se ka qenë në luftë me kohën – njëkohësisht ishte regjisor dhe skenarist, por edhe gjithçka tjetër, sepse donte që filmi të realizohej në mënyrë të përkryer. Nuk e fsheh aspak, se edhe pse ishte i rrethuar nga stafi dhe aktorët, shpesh është ndier vërtetë i vetëm, por në fund ja ka dalë. “Fëmijët protagonistë në film i kam gjetur vetëm një pasdite, ishte një zgjedhje brilante, madje aty kuptova se kam edhe aftësinë për të gjetur kastingun e duhur, për një film për fëmijë”, shprehet Bajo.
Duke qenë si ai dhe i vëllai ishin protagonistë, është përpjekur që të krijojë një raport unik me personazhet e filmit, të frymëzojë dy të vegjlit e zgjedhur për të luajtur jetën e tyre, në një epokë krejt tjetër. “Me Fjordin patën një raport besimi – e mora në shtëpi, u bëmë miq e shokë, në mënyrë që të krijonim personazhin. Edhe pse nuk kishte eksperiencë në film, kam arritur ta përfshij dhe t’i shpjegoj gjithçka, duke e vendosur në situatat e përcaktuara”, thotë regjisori i filmit “Violinisti”.
Gjithë atmosfera e filmit, ishte një memorie e bukur, ndaj nuk kishte sesi Saimiri të mos emocionohej, ju desh të kthehej pas në kohë, jo vetëm krah vëllait, por me gjithë familjen dhe gjendjet që kishin përjetuar dikur të gjithë së bashku. E gjithë kjo gjendje ndihet në film natyrshëm, qoftë nga imazhi por edhe dialogët. “Unë e kam marrë historinë time si fëmijë – sepse 90 për qind e saj është vërtetë – dhe e kam dramatizuar, e kam treguar në këndvështrimin e një fëmije 5-6-vjeçar”, thotë Saimir Bajo. Të gjitha grimcat e kujtimeve janë reale, siç ishte pikërisht momenti kur i vëllai Beni kishte fituar konkursin për klarinetë – ndërsa te Saimiri kishte lindur edhe dëshira e tij, për t’u bërë muzikant. Pa harruar rolin e babait, jo vetëm në film, por edhe në jetë, pasi siç shprehet Bajo, ishte ai që krijoi atmosferën artistike në shtëpi, edhe pse me profesion ishte inxhinier gjeolog, ai ishte shumë liberal dhe intelektual, madje shpesh e mbushte me tingujt e muzikës së fizarmonikës gjithë shtëpinë. “Edhe pse jetonim në një provincë dhe vend konservator si Gjirokastra, ne bënim muzikë. Jam me fat që kam lindur në Gjirokastër, sepse ky vend më ka dhënë shumë, nga peizazhi tek arkitektura, por edhe njerëzit. Edhe pse në film ndihet paksa ndikimi i kinemasë italiane, mund të them që ky është një film autentik shqiptar”, shprehet Saimir Bajo.
Kur e pyes për titullin “Violinisti”, regjisori, ka një çiltërsi gati fëmijënore: sepse ai e nisi rrugën për tu bërë violinist nga një xhelozi fëmijënore që kishte ndaj të vëllait Benit, por në fund, e gjithë kjo shërbeu që ai të dashurohet me artin. “Unë nuk e kisha talentin, por e shihja Benin gjithmonë që ishte djali më i talentuar i familjes, kishte gjithë vëmendjen, ndaj doja të bëhesha si ai. Ne jemi rritur në një familje, ku jemi ushqyer me art. Babai na ka frymëzuar me artin, muzikën jazz, madje shikonim edhe filma të ndaluar. Ndaj, e gjithë historia në film është reale dhe e përjetuar, duke realizuar në fund një film artistik si ‘Violinisti’”, pohon Bajo.
Arsyeja që ky film është kaq autentik, por edhe universal, është sepse gjithçka vjen përmes syve të një fëmije të pafajshëm. Një fëmijë që ëndërron të bëhet violinist, por që i ka duart tepër të shkurtra për t’i rënë violinës. Një fëmijë që ´´dashurohet´´ në mënyrë platonike me mësuesen e bukur të violinës, por që ´´dështon´´ edhe në këtë ´´ëndërr´´, dhe humb jo vetëm ´´pafajësinë´´ por dhe ´´të dyja dashuritë e mëdha´´: violinën dhe mësuesen e bukur. Një fëmijë që në vend ´´të dramës´´ së humbjes së ´´dashurisë dhe ëndrrës´´, në fund vendos të gjejë pafajësisht ´´një dashuri dhe një ëndërr të re´´: të bëhet Regjisor. “Unë jam bërë regjisor shumë vite pasi kam mbaruar studimet për italisht, por në mënyrë inkoshiente e kisha atë ndjesinë që një dite do të bëhesha regjisor”.
Kur e pyes si ka qenë raporti me Benin, Saimiri arrin të pikturojë brenda pak çastesh, gjithçka që i lidhte ata të dy në mënyrë të pazgjidhshme, jo vetëm gjakun, pasionin dhe ADN për artit. “Beni ishte gjithmonë një lider, i fortë, gjeni, talent i spikatur. Ai e dinte gjithmonë se çfarë donte. Unë u rrita në hijen e Benit – por kam qenë në simbiozë me të, ai më mbronte për çdo gjë. Ai ishte vëlla, shok, frymëzim, bashkëbisedues edhe kritik, kemi patur një raport shumë të afërt. Unë edhe tani jam me Benin – kam një prezencë të tij gjithmonë”, shprehet ai i emocionuar.
Prej vitesh, Saimir Bajo është një ndër regjisorët më të suksesshëm në Çeki, por edhe në Lituani. Saimir Bajo është një ndër regjisorët më aktivë në Pragë dhe aktualisht është duke u përgatitur për xhirim, si bashkëskenarist dhe regjisor në një serial televiziv të suksesshëm (true crime), për grupin më të madh mediatik çek dhe evropian CME (i ngjashëm me platformën Netflix) për Evropën Qendrore, Voyo, NOVA TV. Njëkohësisht, Saimir Bajo është bashkëskenarist dhe regjisor i një filmi të gjatë artistik, që do të xhirohet në 2025 në Itali dhe Çeki, me produksione të njohura italiane dhe çeke. Saimir Bajo po bashkëpunon si regjisor në një projekt tjetër shumë ambicioz me shkrimtaren bestseller botërore dhe skenaristen belge nga Zelanda e Re, Christine Leunens, bazuar nga novela e saj ´´Caging Skies´´, është adaptuar skenari dhe realizuar filmi i famshëm ´´Jojo Rabbit´´, fitues i OSCAR për Adaptim Skenari në 2020.
“Objektivi im në kinema është humaniteti, më tërheq shumë tema e përplasjes së individit të lirë, me sistemet dhe pushtetin në të gjitha kohërat. Pra, tema e lirisë! Filmi “Violinisti”, ishte një dramë humbja e vëllait, në një moshë të re, por kjo dhimbje e madhe u transformua në një shpresë – një mundësi për ta kujtuar Benin, për ta sjellë sot këtu për lexuesit, për të qenë gjithmonë me ne”, përfundon regjisori Saimir Bajo.