Olimbi Dafa rrëfen vetveten me vëllimin poetik “Fytyra e jetës”
Nga Albert Z. ZHOLI
Olimbi Dafa, duket se penën nuk e heq nga dora asnjë moment dhe tani para lexuesit, prezantohet me vëllimin poetik “Fytyra e jetës”. Kur ecën në këmbë rrugëve të Tiranës, mes shoqeve në kafene, mes bisedave të shumta telefonike apo mes miqsh, në portrete krijuesish në gazeta, në lëvizje të ndryshme apo çaste meditimi në shtëpi, ajo mendon vetëm dhe vetëm të shkruaj. Tematika e krijimtarisë së saj është e larmishme, plot ndjenjë dhe perceptime që të sjellin çdo gjë afër sikur e ke përjetuar vetë atë çast, atë situatë, atë dialog, atë pamje, ngjarje, skenë… Ajo i gëzohet emrit gjyshe, i gëzohet nipit dhe mbesës që ja bënë jetën pranverë. Sa me ngjyra zemre përshkruan ajo portretin e vajzës së saj sikur të jetë një krijesë hyjnore.
Pena e saj duket se është një vëzhguese e vëmendshme e gjithçkaje që ndodh në atdhe, që nga problemet sociale, politike, ekonomike, kulturore apo shoqërore. Stili saj ka një organizim të brendshëm që kërkon të zbërthejë delikaten, të panjohurën dhe enigmën. Harmonzimi poetik i vargjeve, vjen nga larmia e informacioneve që ajo merr në përditshmëri, pasi jetën nuk e shikon si një pemë për të marrë frytet, por si një pemë që e frymëzon, me lidhje të dyanëshme, i jep jetë dhe merr dritën e bukur poetike. Në këtë vëllim autorja vjen me një poezi më të ngjeshur në mendim, më të pjekur në ide, më të harmonizuar në mesazh dhe më të besueshëm në trajtimin jetësor. Mes dhjetëra poezive qysh në hyrje më bëri përshtypje poezia:
Nusja
Që ku erdhi nusja,
na u prish terezia,
gjumi s’na zë natën,
na u prish qetësia.
Ule zërin nuse,
se na turpërove,
na dëgjojnë komshijet,
e na përgojove!….
Një portretizim elegant i një problemi koherent. Problem që haset në të shumtën e çifteve të reja shqiptare. Një problem mbarë botëror që autorja e ka përshkruar me ngjyra humori. Nuset e reja janë të dëshiruara pas luksit, jetës pa stres, dëshirës për të shijuar gjithçka, por gjithmonë larg vjehrrave. Po nuset a kanë nëna?! Në përditshmërinë tonë shohim gra të veshura shik, me orë, bizhuteri, makina luksoze e cila kalon pa parë majtas apo djathtas, madje është aq e lumtur me madhështinë e saj fallco të floririt, sa nuk shikon as ndonjë lypës që mund ta shtyp me takat e saj të larta. Kjo është një kategori e vogël, por shumë e larguar nga realiteti, nga dhimbja, fukarallëku, hallet, problemet e shoqërisë. Ato e shikojnë vjehrrën me mospërfillje, e largojnë nga shtëpia, duan vetëm luks pa punë. Kjo kategori kulmin e kënaqësisë e shijon kur blen një çantë 300 dollarë, se sa të blejë apo lexojë një roman. Falsiteti kësaj kategorie grash është se ato as dinë të gatuajnë, as të hekurosin, as të kujdesen për fëmijët.
Realja është zhvendosur në hapësirën më të padukshme të gjithësisë. Me pak fjalë autorja ka bërë një vjershërim sintetik “Një maskë në fytyrë s’e bën zonjë një grua”. Fjala grua është fjalë magjike. Grua do të thotë nënë e mirë, do të thotë sakrificë, netë pa gjumë, punë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve, do të thotë përkushtim, kursim, vizion, krenari pa luks të shfrenuar.
Një nga nevojat tona bazë është të kuptohemi dhe të pranohemi nga njerëzit e tjerë, me thjeshtësinë tonë, me veshjen e thjeshtë por të bukur. Kërkesat e disa grave janë shumë, por realiteti është krejt tjetër, pasi në jetë jo çdo nevojë plotësohet, ndaj nuk duhet të ndihemi vetëm, në ankth, të depresuar, të shqetësuar, të braktisur dhe me ndjesi të tjera negative nëse nuk kemi luks apo mbushur trupin me sende të florinjta.
O Zot, përse gratë qajnë aq lehtë?’ Zoti u përgjigj: “Kur e krijova gruan m’u desh të ta krijoj të mbinatyrshme.
– Ia kam dhuruar supet aq të forta që ta mbajë peshën e botës dhe njëkohësisht, aq të buta që të krijojë rehati.
– Ia kam dhënë forcën e brendshme që të përballojë lindjen e fëmijës dhe mospranimin të cilin shumë herë e përjeton nga vetë fëmijët e saj.
– Ia kam dhënë forcën, e cila i ndihmon që gjithmonë të shkojë përpara edhe atëherë kur të gjithë të tjerët dorëzohen. Të kujdeset për familjen e saj edhe atëherë kur është e sëmurë dhe e lodhur, gjithnjë pa u ankuar. Kjo duhet të jetë gruaja ideale.
Emigrantit
Në qarkullimin e gjakut të Atdheut të munguar,
jam unë emigranti i dëshpëruar,
që ëndrrat më ngelën pezull në emigrim,
e dielli që s’më ngroh në dhe të huaj,
ja shton vlerat, shpirtit të Atdheut tim!
S’më zë gjumi çdo natë s’më zë,
për rrënjët që i braktisa dhe lashë në Atdhe,
dhe asnjëherë se bëj gjumin të qetë,
se në vesh më vjen një zë i fuqishëm,
që është zëri i Atdheut që më thërret.
Një poezi tepër e veçantë që më rrëmbeu. Jam pjesë e kësaj poezie pasi kam qenë 7 vjet në emigrim…
Kufijtë e Europës janë të mbushur me varre emigrantësh dhe refugjatësh të paidentifikuar, duke i lënë familjet e tyre të kërkojnë, shpesh më kot, për të vërtetën e asaj që ndodhi, kur dhe ku. Emigrantët, turmë e dhimbshme njerëzore, që humbet jetën rrugëve, gjatë migrimit, ose që mbijeton pa iu njohur dinjiteti e as të drejtat.
“Sa vëllezër dhe motra sot ndodhen në të njëjtën gjendje, si shtegtari i shëmbëlltyrës? Shumë! Sa janë grabitur, zhveshur, rrahur gjatë rrugës? Largohen të mashtruar nga trafikantët e paskrupullt. Më pas shiten si mall tregu, kapen, burgosen, shfrytëzohen, robërohen. Poshtërohen, torturohen, dhunohen. E shumë e shumë vdesin pa arritur kurrë qëllimin e tyre. Rrugët e migrimit të kohës sonë janë të populluara nga burra e gra të plagosur e të braktisur gjysmë të vdekur, nga vëllezër e motra, britma e të cilëve arrin deri tek Zoti. Shpesh janë njerëz të ikur nga lufta dhe terrorizmi, siç e shohim fatkeqësisht në ditët e sotme”, – ka theksuar Papa në një çast lutjeje në Sheshin e Shën Pjetrit. Por është dhe një realitet tjetër…
Por nëse do flasim për letërsinë, emigracioni ka dhe një anë tjetër. Një anë pozitive. Emigracioni solli dhe krijimin e një elite me aftësi të veçanta në art, sport, letërsi e shumë sfera të tjera. Një pjesë e mirë emigrantësh shqiptarësh arritën të individualizohen në sfera të artit apo dhe fushave të tjera, duke u kthyer në ambasadorë të Paqes dhe mirëkuptimit të vendeve me njëri tjetrin dhe duke krijuar një imazh të ndryshëm për emigracionin shqiptar. Shumë krijues emigrant kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në botë. Nuk thuhet më kotë, letërsia e bukur vjen nga dhimbje të mëdha… Poetika e Olimbisë në këtë vëllim është e pasuruar me gjetje tematike të larmishme, me fabula jetësore të befasishme të cilat i ka shkrirë në vargje
poetike plot finesë. Poezitë në këtë vëllim japin një ngjyrim emocional në rritje nga poezia në poezi, sepse autorja duke qenë kryeprotagoniste e situatave të vargjeve poetike ka derdhur mbi to nektarin më të ëmbël të fjalorit të pasur shqiptar. Autorja, ka një stil të vizatur thjeshtë, por që i ngjan një pikture delicate që nga çasti në mund të të verbojë nga shkëlqimi i harmonise estetike. Duke qenë vetvetja, me stilin e vet të sinqertë autorja në të gjitha poezitë ka një fjalor të pasur, një gërshetim të poezisë me filozofinë, një harmonizim të tematikës me gjetjet artisitke të poezisë, një tendencë për të qenë transparente në vargëzim por edhe me nëntekst, kur e vërteta poetike trillohet për të tërhequr lexuesin.
Në mjaft poezi poetja duket se dialogon me veten që mund të duket si një prozë, por në të vërtetë është një mjeshtëri artsitike e poetes që edhe një togfjalësh proze e zbukuron mjeshtërisht poetikisht. Duke parë tematikën në tërësi në libër lexohet qartazi se autorja është gjurmuese e së veçantës, inspirueses, intrigueses por edhe e së bukurës. Hyrja e poezisë në histori bëhet në mënyrë të sintetizuar duke treguar dijet e saj por edhe dëshirën për të sjellë realitete atdhetare që e bëjnë poezinë shumë transparente dhe mesazhsjellëse.
Të gjitha poezitë e librit kanë unitet në linjën artistike, lartësimin e figurative poetike që formatojnë një poezi sa koherente dhe moderrne, po aq klasike dhe lirike. Një harmonizim i dyanshëm që nuk trillon por vërteton madhështinë e vargut që del nga zemra.