Sotir Peci – patrioti e publicisti, mësuesi e gjuhëtari, politikani e ministri vizionar
Kistaq BALLI
Sotir Peci lindi në Dardhë të Korçës më 1873 nga një familje e qytetëruar që merrej me tregtinë e lëndës drusore. Vendlindja dhe prejardhja e tij familjare kanë rolin e formimit të tij rinor, si dhe ndikimin pozitiv që do të ushtronin ato gjatë aktivitetit të tij.
Në mënyrë panoramike po formuloj kronikën e jetës së tij, për të krijuar sado pak imazhin e punëve, aktivitetit e angazhimeve të tij kryesore, në arenën e zhvillimeve të dendura e komplekse shqiptare në 2-3 dekadat e para të shek. të 20-të.
Studimet e mesme e universitetin për matematikë-fizikë i ka përfunduar në Athinë e, aty, deri në vitin 1900, falë prirjeve e pasionit të tij letrar, iu bind obligimit për të marrë përsipër botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit, që, deri atëhere, ishtë vepra më madhore e gjuhës shqipe. Kjo ishte edhe shtytja e parë e përkushtimit të tij ndaj gjuhës shqipe.
Në vitin 1905 emigron në Sh.B.A.
Gjatë viteve 1906-1908 është botues e drejtor i gazetës së parë e të vetme shqiptare “Kombi” në Sh.B.A. Për disa kohë, në këtë gazetë, Fan Noli ka qënë redaktor dhe kryeredaktor i saj.
Më 1908 (14-21 Nëntor) zgjidhet e merr pjesë si delegat i shqiptarëve të Sh.B.A-së dhe Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit në Kongresin e Manastirit.
Më 1909-1910 emërohet profesor i shkencave të natyrës në Shkollën Normale të Elbasanit.
Më 1911-12 e gjejmë derjtor të Mësonjëtores Shqipe në Korçë.
Këshilltar për arsimin i ministrit Luigj Gurakuqi në qeverinë e Ismail Qemalit e takojmë Sotir Pecin në vitet 1912-13.
Më pas do të shfaqet si refugjat në Shkodër, ku bën pjesë në organizatën atdhetare “Krahu Kombëtar”, të kryesuar nga Nikollë Ivanaj. Njëheresh punon anëtar (4 Shtator 1916) në “Komisinë Letrare” të Shkodrës, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi, e cila tentoi futjen e “gjuhës së përbashkët” shqipe në administratën shtetërore.
Në qeverinë e Durrësit (të k/ministrit Turhan Pashë Përmeti), më 1919, ai emërohet Drejtor Arsimi për Tiranën.
Më 1920 aktivizohet intensivisht si një prej organizatorëve dhe drejtuesve kryesorë të Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe si një prej hartuesve kryesorë të Statutit të Parë Themeltar të shtetit shqiptar. Në kabinetin qeveritar të dalë nga ky kongres, ai emërohet ministër i arsimit.
Prej vitit 1921 – 1924 e takojmë deputet, ministër e një prej katër anëtarëve të Këshillit të Lartë (Regjencës).
Eshtë eksponent aktiv e udhëheqës i ngjarjeve që lidhen me të ashtu quajturin Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit më 1924, ndërkohë që vijon detyrën e tij të regjentit. Pas dështimit të këtij revolucioni, i radhitur si kundërshtar politik i Ahmet Zogut, emigron në Itali, ku vijon për disa vjet aktivitetin politik e patriotik si udhëheqës i Shoqërisë “Bashkimi Kombëtar” i emigrantëve shqiptarë në Itali dhe boton gazetën shqipe me të njëjtin titull. Ndërkohë, është i dënuar nga Zogu me vdekje në mungesë
Në vitin 1928 përfiton prej amnistisë së dytë, të shpallur nga mbreti Zog dhe shkon në Greqi, ku kalon vitet e fundit të jetës, duke punuar intensivisht në fushën e letrave, sidomos në atë të hartimit të një fjalori voluminoz shqip-shqip, me rreth 20.000 fjalë, të cilit nuk arriti t’i mbarojë përpunimin e fundit.
Gjatë kësaj periudhe janë shfaqur e shtuar hapur debatet, kundërshtitë, divergjencat e tij politike me Fan Nolin.
Më 1932 ndahet nga jeta në Follorinë të Greqisë. Varroset në Korçë me nderime të larta zyrtare.
“Gazeta e Korçës” e atyre ditëve shkruan: “…Populli i Korçës me një ceremoni serioze por tepër impozante përcolli…në banesën e përjetëshme Sotir Pecin…, veteranin e dëgjuar në punimin për atdhe, mësuesin e madh të brezit të sotmë, nacionalistin e patrembur në indipendencën e Shqipërisë, punëtorin e palodhur të arësimit kombëtar, burrin e shtetit të ndershmë dhe të nderuar prej të gjithë…”
Siç mund të kuptohet, Sotir Peci është personalitet elitar në jetën politike, intelektuale e sociale të Shqipërisë, veçanërisht gjatë viteve 1905-1925. Veprimtaria e tij intensive është shumëdimensionale dhe kontributet e tij kanë influencuar në rrjedhën e ngjarjeve kryesore të asaj periudhe. Jeta dhe vepra e Sotir Pecit ishin binomi i harmonisë, por edhe reaksioni i kundërshtisë, që çlironin energji aktive, atdhetarisht panergjike. Ato synuan udhët e përpjeta, që e çuan në përballjen me problemet madhore të Shqipërisë së asaj kohe. Një përgjithësim i kontributeve të tij do të ishte ambicja për afirmimin, radikalizimin dhe integrimin e çështjes shqiptare në rrjedhën e historisë moderne europiane. Me këtë vizion, ai paraqitet si një figurë poliedrike, me prurje të spikatura në fushat e atdhetarisë e publicistikës, arsimit e pedagogjisë, filologjisë e gjuhësisë, politikës e shtetarisë.
Shpesh herë, këto atribute janë vështirë të ndahen a të siten nga njëri-tjetri, sepse ato zhvillohen e emetohen si një përjetim i përbashkët organik intelektual, si një veprimtari e përditshme, në të cilën jeta kërkon ballafaqime e angazhime, shpesh, për disa probleme njëheresh, ashtu siç vijnë nga qerthulla e botës prolikse shqiptare e ballkanike.
Porse, me dëshirën vetëm sa për të cekur, qoftë edhe përkitazi, do të ofroja dy-tri evenimente kulmore të veprimit të tij në fushat respektive, në kontekst të ngjarjeve madhore të arenës shqiptare.
1.Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit është gazeta e parë shqiptare, githashtu e para gazetë në gjuhën shqipe (pra, para Kongresit të shkronjave shqipe të Manastirit 1908 dhe atij të Elbasanit më 1909) e botuar në Sh.B.A, e cila, për aq kohë sa ekzistoi, u bë tribuna e patriotizmit, atdhetarizmit, prezantimit dhe mbrojtjes së çështjes shqiptare, e indipendencës dhe integritetit ndaj pasioneve ultranacionaliste dhe tendencave të ndarjes e aneksimit të saj.
Po ashtu, nga fundi i jetës, ai debuton sërish me gazetën “Bashkimi Kombëtar”, synimi i së cilës ishte, po ashtu, ndërgjegjësimi për çështjen kombëtare shqiptare.
2.Si politikan e shtetar, Sotir Peci, falë realizmit, pragmatizmit, por edhe të lagpamësisë, pjekurisë, konsekuencës e korrektësisë do të krijonte një vektor të pandërprerë ngjitjeje e afirmimi të plotë si personalitet në funksionet e deputetit, ministrit e regjentit, që e la i fundit detyrën e tij, ndonse i rrezikuar midis dy kundërshtarëve të vet, Zogut e Fan Nolit.
3.Në fushën e pedagogjisë, arsimit e shkencës Sotir Peci prezantohet fillimisht si pedagog në Normalen e Elbasanit, pastaj drejtor në Mësonjëtoren Shqipe të Korçës, ndihmës për arsimin i Ismail Qemalit, drejtor i Arsimit për Tiranën në qeverinë e Durrësit e, më pas, ministër arsimi. Këto detyra, natyrisht, janë atribute të aftësive, edukimit, njohurive, përvojës e vlerave pozitive, që ai vuri në shërbim të shqiptarizimit të plotë kombëtar të shkollave, të reformave arsimore e, sidomos, të përpjekjeve për hartimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Më 1912 ai botoi “Viti Premtar i Gramatikës” dhe planifikoi botimin edhe të 24 teksteve të tjerë.
4. Si lëvrues e artizan i gjuhës shqipe, Sotir Peci shfaqet një autoritet shkencor, që influencoi jo pak, sidomos në problemin e formimit dhe njesimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrës në të dy kongreset e Alfabetit, hartues i një libri gramatikor, botues gazetash, hartues i një fjalori voluminoz shqip-shqip, anëtar Komisisë Letrare dhe studiues i përhershëm i fenomeneve gjuhësore e letrave shqipe, leksikolog e leksikograf, ai shprehu opinione adekuate rreth gjendjes dhe të ardhmes të gjuhës shqipe, duke u bazuar në idenë e tij të moderuar të përdorimit të të dy dialekteve “toskërisht” e “gegërisht” dhe se, gjuha letrare do të konsolidonte fizionominë e vet pas eksperiencave të gjata, duke mos u ngutur e duke lënë kohën të bënte punën e vet.
Së fundi, do ta perifrazoja figurën e zotit Peci si përfaqësuesin e personalitetin e shquar të atij brezi punonjësish atdhetarë të pararojës, që vazhduan dhe shndërruan përpjekjet iluministe rilindase në një lëvizje të re mbarëkombëtare për formimin, integrimin dhe afirmimin e një kombi e shteti modern.
Please follow and like us: