Taip Sulko: Sapo doli nga shtypi romani im “I arratisuri”
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju them se sapo doli nga shtypi romani im “I arratisuri”. Falenderoj botuesin Naim Zoto për punën e shkëlqyer. Mirënjohje të veçantë kam për mikun tim, Çerçiz Loloçi, i cili është recenzent, e ka lexuar disa herë dhe s’e fsheh se ka rënë në dashuri me këtë libër.
Dëshiroj të them pak fjalë për romanin “I arratisuri”:
Eshtë libri i jetës time. Jo vetëm se merr shkas prej saj. Kam punuar shumë vjet për të. E kam shkruar dhe rishkruar me dëshirë, e, në ecje e sipër, kam parë si plotësohet e shpërfaqet më mirë ajo që quhet cohë e jetës, ku autori le ngjyrat, vizatimet, pikturat, artin e fantazisë.
Jam i gëzuar me këtë trajtë të fundit të këtij libri. Në qendër të tij është një djalosh, i sapodukedalë nga fëmijëria, që arratiset e, më së shumti, atje, në arrati, i zbulohen thekshëm, herë si ëndrra, herë si zhgjëndrra, ato që përbëjnë të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të pështirën, ajo çka e bën të padurueshme një kohë, por mbi të gjitha, ajo që e mban jetën në këmbë, që ne e presim dhe kërkojmë, dashuria.
Herë-herë, gjatë shkrimit, rrëfimi në këtë libër më është dukur si vrapim, kalim i shpejtë nga një ndodhi tek tjetra, nga një rrëfim tek tjetri, nga një aventurë tek tjetra. Ngjarjet zhvilohen në një mot të ndërrueshëm tregimi, me kapërcime të papritura, herë me zymtësi frike, herë me përndezje marrëzie, herë me breshër padrejtësie e herë me këndellje si ajo e passhiut e të bukurës, e dashurisë.
Nuk po zgjatem miqtë e mi,
Libri “I arratisuri” do jetë së shpejti në duar tuaja. Besoj se, kur ta lexoni, do ta kuptoni se fjalët që rendita më sipër, nuk burojnë nga një zjarrmi krijuese e çastit.
Me mirënjohje për ju.
Please follow and like us: