Albspirit

Media/News/Publishing

Esmeralda Shpata: Aura

Në atë llohë dëbore mendimet më trazonin, sikur dridheshin në një fushë të bardhë, të paanë. Qerpikët më rëndonin nga një ngricë e lehtë që më së shumti vinte nga brenda sesa nga jashtë.
Doja ta nxirrja një cigare nga kutia metalike, ajo ka një mbishkrimin të çuditshëm që nuk e kam deshifruar dot, por natyra nuk donte ta prishte ngricën qoftë dhe me një flakë shkrepseje.
Ndejta gjatë afër drurëve që nuk po mund t’ua përcaktoja llojin ashtu si i kishte zhveshur dimri. Lloha e lehtë me qiellin e zbrazur nga çfarëdolloj rrezeje, ajri i ftohtë me drurët e zhveshur nga të gjitha petkat dhe përfytyrimet e mia të vjetra, të ikura bashkë me të, po më pëlqenin.
Kishte kaluar gati një vit dhe nuk i dihej si kisha mbijetuar për të mbërritur në këtë palcë dimri, për të parë këtë pamje që më së shumti më ka mbledhur në një qark të brendshëm për t’më treguar sa i dobët jam.
Po prisni një histori me gra, një histori të dhimbshme dashurie, ku tradhtia, ndarja e vdekja ma kanë mpikur zemrën e ma kanë dimëruar trupin. Asnjëra nga këto të lartpërmendurat s’është, nuk ka si të jetë. Sado tragjike të jetë ajo lloj humbje, sado e thellë të jetë humnera ku të ka hedhur, njeriu e ka gjetur shpikjen; vë plloça të mëdhenj mbi plagë, ngre shkallare që të kalojë në majë të gishtave dhe ikën disi. S’harron të hajë, nis të pijë ndonjë gotë për ta platitur sadopak dhimbjen dhe u kacavirret me thonj ditëve.
Halli im qe ndryshe. Kishte një vit që e kisha minuar zemrën.
Aura quhej.
E pashë një vit më parë, në mes të kësaj toke e këtyre pemëve, në mes të kësaj zbrazëtie të lagësht e me temperatura nën zero.
Kishte veshur një pallto të rëndë të dalë mode, çizme me qepje të trashë anash, kishte lidhur një shall të thurur me dorë, dukej si një masë e madhe leckash mbi borë, sikur e kishte lëshuar nga asgjëja një re e kolme gri.
Iu afrova për t’i dhënë ndihmë në mes të atij acari, por u shtanga.
Një grua surreale nxjerr veten nga dengu i rrobave, me një daltë të vogël në dorë erdhi drejt meje, më pa thellë në sy, hyri brenda trurit tim dhe rrëmoi për të gjetur nuk di çfarë. M’i shkallmoi neuronet, ua hoqi atë bigorr që kishin zënë, i shkundi fort, aq sa u ra poshtë çdo grimcë a pluhur që përbënte një kuptim. U ul këmbëkryq në hipofizë dhe me dorë kontrolloi e hoqi ato tumore që kishin mbirë si kërpudha në atë gjendër të vogël. I shtrydhi ndër duar sa asgjë e frikshme s’mbeti prej tyre.
Si i kontrolloi të gjitha shqisat, rregulloi, lau e pastroi çdo gjë, imthi e thërrimthi, vuri veshin e po dëgjonte atë gurgullimë të paqtë të venave, që pa alegori e shpinin gjakun te zemra si ujin në një mulli bloje. Së fundimi, hetoi së brendshmi çdo gjë me sy dhe vuri buzën në gaz.
O Zot, ç’punë të hollë kishte bërë!
Vuaj! Që nga ajo ditë që e takova Aurën time, ndiej praninë jashtëndijore të një dimri, gruaje të veshur keq apo një fati që nuk di pse më ka zgjedhur.
Please follow and like us: