Komision parlamentar kundër korrupsionit që bën qeveria me kryesues nga ajo
Me nismën e kryeministrit Edi Rama, parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolutë javën e kaluar për krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, por kritikët pretendojnë se ai ka të bëjë më shumë me krijimin e një PR pozitive sesa me goditjen e korrupsionit.
Ai shkaktoi habi në vend, ku shumë e kanë hedhur poshtë si një përpjekje të qeverisë së udhëhequr nga Partia Socialiste për t’u rietiketuar si një luftëtare kundër korrupsionit pasi një sërë ish-ministrash dhe deputetësh socialistë u akuzuan nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimi i Organizuar, SPAK, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Rama prezantoi fillimisht atë që njihet si “Rezoluta për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” në një takim të Partisë Socialiste në prill.
Kur rezoluta u miratua nga parlamenti më 27 maj, Rama u tha ligjvënësve se nisma “është e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
Por shqetësime janë ngritur gjithashtu se ajo mund të përbëjë një përpjekje për të ndërhyrë në sistemin e reformuar të drejtësisë në vend dhe për të penguar punën e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar – organe të krijuara si rezultat i një programi reforme në drejtësi që ka vazhduar me mbështetjen e SHBA dhe BE-së, që nga viti 2016.
Kur foli për rezolutën kundër korrupsionit në parlament, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Bledi Çuçi, pretendoi meritën e partisë së tij për prezantimin e programit të reformës në drejtësi, duke thënë se për shkak të tij, në Shqipëri “rrëzuam mitin e pandëshkueshmërisë”.
“Por pa dyshimin më të vogël, po kaq i vërtetë është edhe fakti se korrupsioni nuk është zmbrapsur deri aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë. E pikërisht për këtë arsye, në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë “, u shpreh Çuçi.
Komisioni i ri i Posaçëm i Ramës, i cili do të ketë gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, do të mund të thërrasë në parlament krerët e institucioneve të drejtësisë.
Megjithatë, krerët e prokurorive tashmë paraqesin raporte vjetore në parlament dhe pyeten për punën e tyre nga ligjvënësit, ndërsa opozita është shumë kundër idesë së komisionit të ri, duke e parë atë si një manovër politike në emër të partisë në pushtet.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i tha BIRN se “nismat që nuk janë konsensuale, pa veprime konkrete, duken patetike dhe jofunksionale”.
Një muaj më parë, deputetë që votuan pro rezolutës për ngritjen e komisionit të ri liruan nga burgu dhjetëra persona të dënuar për korrupsion përmes një amnistie; ata po luftojnë kundër SPAK-ut sipas raporteve ndërkombëtare”, shtoi Xhemollari
Ai i referohej amnistisë së miratuar nga parlamenti që fali rreth 100 zyrtarë që ishin dënuar nga Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dyzet prej tyre ishin dënuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa 60 të tjerë ishin dënuar për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera publik ose shpërdorim detyre.
Për më tepër, sipas SPAK-ut, ulje dënimi kanë përfituar 16 zyrtarë të tjerë të dënuar për korrupsion, 11 të dënuar për shkelje të barazisë në tendera publik, si dhe shtatë gjyqtarë e prokurorë të dënuar për korrupsion. Dy nga përfituesit ishin dënuar për shpërdorim detyre.
“Kur një premtim publik dhe solemn për të luftuar korrupsionin bie ndesh me veprimet e kryera, logjika na bën të mendojmë se kjo ishte një shfaqje tjetër për BE-në dhe SHBA-në – për të mbuluar efektin tronditës të skandaleve të korrupsionit që kanë goditur vendin në vitin e fundit”, pohoi Xhemollari.
Asnjë konsensus mes palëve
Parlamenti fillimisht e mbështeti rezolutën e iniciuar nga kryeministri për krijimin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion më 27 maj vetëm me votat e Partisë Socialiste në pushtet të Ramës, pa mbështetje të opozitës. Më pas ajo u miratua më 30 maj me vetëm deputetët e Partisë Socialiste që votuan pro.
Grupi më i madh i opozitës në parlament, i njohur si Rithemelimi, nuk mori pjesë në votim, duke thënë se nuk mund të mbështeste nismat kundër korrupsionit nga ajo që e përshkroi si një qeveri të korruptuar.
Afrim Krasniqi, kreu i Institutit për Studime Politike, i tha BIRN se nismat për “çështje serioze si integrimi në BE dhe antikorrupsioni” kanë nevojë për marrëveshje mes të dyja partive kryesore dhe nuk duhet të imponohen nga partia në pushtet.
“Nëse mazhoranca qeverisëse donte vërtet të fokusohej në reforma, do t’i duhej … t’i propozonte dokumente zyrtare opozitës. Në praktikë, ajo e bëri këtë si një nismë e asamblesë së vet kombëtare… dhe ministrave të Partisë Socialiste”, tha Krasniqi.
“Kjo do të thotë se… është një nismë qartësisht partiake, e bërë për të kënaqur nevojat politike të ditës”, argumentoi ai.
Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Rithemelimit, tha se deputetët e tij nuk votuan pro rezolutës kundër korrupsionit, por jo sepse janë pro korrupsionit.
“Ne nuk jemi kundër luftës kundër korrupsionit, nuk jemi kundër qeverisjes së mirë, nuk jemi kundër sundimit të ligjit”, tha ai për BIRN.
Por ai tha se e konsideronte veprimin e Ramës si PR politik dhe vuri në dukje se nuk ka pasur asnjë bisedë mes partive kryesore për detaje praktike të nismës.
“Ne jemi kundër propagandës dhe përdorimit politik të kësaj çështjeje. Sot kërkojnë ngritjen e një komisioni, ndërkohë që asnjë deputet as nuk e ka parë projektvendimin”, tha ai.
“Kjo tregon se sa seriozisht e marrin ata luftën kundër korrupsionit. Kjo tregon se sa serioze është kjo nismë. Kjo tregon edhe një herë se për shumicën e Partisë Socialiste, korrupsioni, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit janë thjesht propagandë e përditshme”, shtoi ai.
Gjuhë toksike e përdorur kundër SPAK-ut
Ndërsa po krijohej Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, SPAK-u, i cili ka nisur një sërë çështjesh gjyqësore të profilit të lartë ndaj zyrtarëve, po përballej me turbulenca.
Më 22 maj, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, raportoi në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit për punën e institucionit. Një nga problemet kryesore që ai theksoi ishte mungesa e bashkëpunimit të institucioneve të tjera me SPAK-un.
I pyetur për nismën për ngritjen e Komisionit të ri të Posaçëm Antikorrupsion, Dumani u tregua i kujdesshëm, duke thënë thjesht se “mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe e sigurisë ligjore duhet të drejtojë çdo reformë”.
Gjatë vitit të kaluar, gjuha e shumë politikanëve, veçanërisht atyre nën fokusin e SPAK-ut, është bërë gjithnjë e më akuzuese.
Ajo arriti kulmin kur ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e quajti Dumanin “kloun” në një konferencë për shtyp. Meta e ka quajtur gjithashtu Dumanin “zëdhënës politik” të Partisë Socialiste në pushtet.
Ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë deklaruar mbështetjen e tyre për Dumanin.
Vetë prokurori këmbënguli se ai “nuk ka lidhje me politikën” dhe “nuk është peng i askujt”.
Ai këmbënguli gjithashtu se ka “zero shanse që dikush të ndikojë” në punën e SPAK-ut.
Nuk është ende e qartë se kur do të fillojë punën si duhet Komisioni i ri i Posaçëm Antikorrupsion, apo se cilat do të jenë lëvizjet e tij të para.