Rudina Muharremi Beja: PA NDALIM
Ja deti atje tej,
zhurmën ia ndiej ende dallgëve,
ja rëra me gjurmët e mia
ndiej ende kumbimin e hapave.
Të njëjtat gjurmë,
mbart dhe qyteti i ndriçuar me fenerë të zbehtë
përhumbur përshtjellimit të njerëzve,
ndërsa zemra
ah zemra,
ajo gjallërohet vetëm atëherë
kur symbyllur të mendoj
tek qëndron ulur aty ku qielli puth tokën
me flokët e zbardhur e fytyrën e lodhur
përballë horizontit të paskaj,
tek më pret,
ndërsa orët vrapojnë pa ndalim!
Please follow and like us: