Sadik Bejko: Dy poezi dhe pak histori
Një gjeneratë e artë poetësh në mote të vështira me Sadik Bejkon, Natasha Lakon, Niko Kacalidhën dhe Ndoc Gjetjen.
Rreth 60 vjet më parë
LETËR NËNËS
E dashur nënë,
unë i riu, si gjithë studentët e tjerë
veç me ca lirika në xhepin tim,
po të shkruaj trishtimin pas pushimeve të kësaj vere
të kujtoj ty; je mall im, je gëzim.
Unë fshatari nga Jugu i ashpër
që vështroj drejt në krojet e syve të tu
i dua krejt nënat dhe bijtë e tyre të dashur,
i dua gjithë njerëzit mbi botë tutje e tëhu,
s’e fsheh: shpesh m’u mbledhka gur një lëmsh
nga kjo botë ndarë në fatlumë e në të pafatë
botë me të vdekur të mëdhenj më gjallë sesa të gjallët
botë ku ka aq shumë trumcakë e ca pak elefantë.
Nënë, m’i ruaj pantallonat që grisa këtë verë
me to yt bir shkollari punoi si bujk
dhe u nis tej e më përtej katundeve shpesh herë
thellë nëpër shkëmbinj dhe nëpër kaçubë.
Kur yjet fijet i thurnin e i tirrnin nëpër natë
kur hëna rrëshqiste lart si poshtë qerrja me sanë
unë mblidhja ohet, uhet e të lodhurve që flinin
thërrisja ëndërrat dyerhapura nga janë e nga s’janë.
Përgjoja gjumin e fshatarëve
me ata që ende punonin doja të ndalem, të flas
herë-herë kur e lija fare bosh dhomën e gjumit,
vëllanë e vogël ti e vije të më thërrasë.
E dashur nënë,
jam fshatari, fill nga bari i Shqipërisë sime,
që baltos këpucët fshatrave sa zbardhëllen
që i dua gjithë njerëzit, ty moj nëna ime
dhe veç aty tek ti e ndiej përse e dua Atdhenë.
“Drita”, 10 tetor1965
Kisha lexuar poezinë “Matter dulcisima”, (E ëmbla Nënë) shkruar nga Nobelisti italian Salvatore Quasimondo.
Censura e kohës nuk lejonte të shprehje zhgënjim ndaj botës, ku jetonim.
Poezia u botua (10 tetor 1965 në gazetën Drita) me heqjen e fjalës “trishtimin” në stroën e parë. Është prerë dhe e gjithë strofa e tretë… ku thuhet se ka të pafatë, ka të vdekur që diktojnë jetën e të gjallëve, ka me shumë trumcakë sesa elefantë. (Atëherë thuhej jemi vetëm të lumtur… në liri, në barazi e iii)
Megjithatë shumë njerëz më uruan, më shtrënguan dorën… për këtë poezinë e prerë…
Unë kafshova buzët, nuk u ankova për censurimin… nuk isha aq trim.
ZOGU NGRE FOLENË
Dhe te pylli më i madh
vetëm në një degë
në një degëz zogu e ngre folenë
Dhe te lumi, më i madhi fare
mbushim shtambën
pimë veç një gotë ujë.
Një vashë, një vashë
vetëm njëra dorë e saj ndër pesë gishta
sjell dashurinë e gjithë botën.
Ç’ të kërkoj unë nga kjo ditë
nga rrepet, nga vajza pranë meje
ç’ të kërkoj nga lumi që rrjedh
nga bari i vonët i vjeshtës
nga dielli ç’ të kërkoj?
Te syri i vashës bebja
bulëz uji e kthjellët
fytyrën time vockël- vockël
ma ngjiz si zog i fletës;
bulëza ndër sy tejpërshkon vashën
Më rilind në tokën e rrepeve
Fytyrë mbi fytyrë të dy
Ujë te rrënjë e lumit,
valë te syri i deteve
(dhe është vetëm vetëm një bulëz në sy gruaje)
…e në jetë të jetëve.
“Drita” 1973
Një poezi dashurie. Pjesa e parë e saj, nën titullin “Një degë e gjelbër” u bë tekst i këngës së kompozuar nga Kujtim Laro, kënduar nga Iliriana Carcani në Festivalin e 11-të të Këngës në RTVSH, dhjetor 1973.
Please follow and like us: