10-23 QERSHOR 1911/Fritz Radovani: MEMORANDUMI I GERÇËS
Ishte viti 1911…:
Asht mirë me marrë harten e Shqipnisë dhe shikoni ku bjen Gerça!
Janë mundue disa deri tashti me fshijë Bratilen, Kelmendin, “Beslidhjen e Veriut”, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Kanunin e Skenderbeut”!
E tashti, si per faktet tjera, po punohen me fshij nga faqet e Historisë së Lavdishme të Maleve të Veriut edhe “Memorandumin e Gerçës së 1911”.
Ky Memorandum 113 vjet perpara asht thirrë “Libri i Kuq” vetem nga kopertinat. Ishte data 10 Qershor 1911, pra dy muej mbas 6 Prillit 1911 në Bratilen e Dedë Gjo’ Lulit, kur At Mati Prennushi, hapi në dy kapakë dyertë e çeles së Tij në Gerçë, për miqtë e vet të shtrenjtë e besnikë me të cilët e lidhte përjetsisht Formula “Atdhé e Fé”, per të cilen ishin gati me ba vdekjen si me lé! Nana Drande e At Matisë ishte në kambë me ua gatue buken dhe me ua shtrue sofrat Burrave të Malësisë, që ishin tek Frati si në shtëpinë vet! Armët Ata i kishin të varuna tek Dera e çelës, ashtu ishte rregulli i Kuvendit të Burrave.
Klerikët dhe miqtë ishin në krye të vendit, mandej rreshtoheshin burrat e Malësisë së Veriut ashtu si kishin rregullat e veta simbas Kanunit. Memorandumi i Gerçës (ose Libri i Kuq) asht nënshkrue me datën 23 Qershor 1911, dhe në Hymje ka këte tekst në dy gjuhë, Shqip e Frengjisht: “MEMORANDUM mbi vendimet e dhanuna prej Kuvendit të pergjithëshem të Krenëvet Shqyptarë në Gerçë me 10/23 të Qershorit 1911, si përgjegje të reklamacjonit të Shekjet Turgut Pashës.”
Këte Memorandum e firmojnë Burrat e Nderuem të Maleve tona:
Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjo Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).
Ky dokument Ju asht paraqitë Kuvendit të Krenëve të Kryengritjes i shkruem me një gjuhë të përbashket Gegënisht dhe Toskënisht nga Luigj Gurakuqi, i cili ishte nder të paktit letrarë Shqiptarë që dinte me i shkrue dhe me i folë pa vështirësi të dy dialektet e Gjuhës Shqipe.
Qellimi ishte që këte Memorandum shumë shpejtë ta përkrahte edhe Shqipnia e Jugut, ashtu sikur edhe ngjau. Materiali pasqyrohet edhe në të gjitha dokumentat historike të asaj kohë.
Të pranishem aty ishin edhe Klerikët Katolik Shqiptar të atyne krahinave që perfaqsoheshin aty, tue fillue nga i zoti i shtëpisë At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me Ipeshkvijtë e njohun Imzot Luigj Bumçi e Imzot Lazer Mjedja, që kanë ndihmue edhe në përgatitjen e tekstit.
Aprovimi asht marrë edhe nga Imzot Jakë Serreqi, Argjipeshkëvi i Shkodres. Ishin aty të pranishem edhe Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi.
Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue perfshi aty edhe Arbëreshët e Italisë.
Memorandumi ju dorzue perfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911 nga Këta Perfaqesues të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod Preçi (Kastrat), Prekë Gjetja (Kelmend) dhe Luigj Gurakuqi (Shkoder).
Nga Kujtimet e Imz. Luigj Bumçit kemi një dokument me randësi që tregon se kur “Perfaqsuesi” turk në Cetinë, Sadredin Beu e pyetë Dedë Gjo’ Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat e “Librit të Kuq”? – I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë Dedë Gjo’ Luli i ishte pergjegjë: “Ato pika që janë në Librin e kuq i dona ma parë për vedi, e mandej, për Shqipninë mbarë!..” E fjala mori dheun.
Gazeta e parë që botoi Memorandumin ishte ajo Austriake “Neue Freie Presse” e Vjenës, që ka shkrue 12 kerkesat që me 25 qershor 1911, vetëm dy ditë mbas perfundimit të Kuvendit në Gerçë.
Gazeta e dytë që i bani jehonë të madhe Memorandumit me 12 kerkesat e Shqiptarëve të Veriut, ishte ajo franceze “Le Moniteur Oriental” me daten 26 qershor 1911.
6 korrik 1911, Gazeta e Shkupit “Vardar” e boton të plotë Memorandumin e Gerçës.
Gazeta “Corriere d’ Italia” njofton per Memorandumin e Gerçes me 12 korrik 1911, se: “Memorandumi asht një program politik që kerkon me shkëputë Shqipninë nga Turqia.”
Kuvendi i Gerçës nuk kishte mbetë jashtë vemendjes së komuniteteve Shqiptare në Bullgari, që botojnë “Librin e Kuq” në gazetën e tyne “Liri e Shqipërisë” në Sofje, me datat 7 e 20 korrik 1911.
Gjithashtu Arbëreshët e Italisë e botojnë italisht në Gazeten e tyne “La Nazione Albanese” Memorandumin e plotë, që plotsohej edhe me komente shumë shpejtë nder shumë gazeta italiane.
Nuk vonojnë Vlona, Gjinokastra e shumë qytete të tjera të Trojeve Shqiptare, me botue dhe me publikue “Memorandumet” e veta per Pavarsinë e plotë të Shtetit Shqiptar.
Krasniqe e Tepelena me Malësitë e Gjakovës edhe Durrësi, rrokin armët e Lirisë. Çohet në kambë Mirdita e Don Nikoll Kaçorrit, e mbas Tij Shqipnia e Mesme. Nuk rri pa u pergatitë as Gjin P. Pervizi e as Isa Boletini, as Hasan Prishtina dhe as Bajram Curri.
Memorandumi i Gerçës i paraprinë Pavarsisë së gjithë Shqipnisë, në Vlonen Heroike të ditës së 28 Nandorit 1912! Shqipnia u shpall Shtet i Pamvarun nga Turqia!
***
Këta emna Shqiptarësh të Nderuem, shumica nuk janë fare në Historinë e Shqipnisë! Dhe, as nuk dihet as sot deri kur !?
MEMORANDUM
Mbi vêndimét é dhânuna préj
Kuvêndit te pergjitheshem te Krénevét
Shqyptare ne Gerçé me 10/23 te Qershorit 1911
Si pergjigjejé te proklamacjonit te Shefqet Turgut Pashes.
- – Garantie kundra perseritjés pas sodit [6] te véperimévét é te menyravét antikonstitucjonaré nga ana é Qévéries qéndrore e t’ Auktoritétévét vendoré ne te gjithe Shqyperien. Ndérim per te gjitha féet é per zakonét é vjétra te garantuara nga konstitucjoni é te konshakruara nga kanunét e zakonét.
- – Te njohunit é plote te kjénejes se kombit shqypetar mé atò te dréjta qe kane kombét é t’jéra te Mbréteries.
- – Lirie te plote per Shqypetaret te zgjédhin pa ndo-nji pengim a ngushtim députétet é véte, numri i te cilevét do t’i pergjigjét popullsies.
- – Lirie te plote per Shqypetaret te mesohén é te perparojne ne gjuhe te véte, é te thémélojne shkolla shqypé te véçanta é te boteshmé te cilat te kéne te gjitha ato te drejtat qe kane shkollat é Qévéries. Ndérim per te dréjtat qe u jane njohune Krérevét fétare te kershténe per sa i perkèt mesimit ndé shkollat qe jane nen sundimin e tyné.
- – Organizim i administrimit te Vilajétévét, ku ndodhén Shqypetare, i cili te kéte per thémél nje systéme déqéntralismi administrator, qe t’u pergjégjét névojevét te vêndit é zakonévét te vêndasvét, é qe t ’afrojne rrégullat é pergjitheshmé t’administrimit te njohuna préj konstitucjonit mé praktikat é konshakruara préj kohes ne disa visé.
- – Te zgjédhunit é Valinjvét é te tjérevé nepunes te larte te shtétit nde mést mâ te mirevét é mâ te vjéfshemvet zyrtare te shtetit [7] tué pelqyé mâ téper atà qe dijne gjuhen é zakonét é véndit. Emnim i te tjerevé nepunes civile é financjére é te gjygjetarevét nde mést t’atyné qe jane shqypetare é qe te kéne cilesiét é njohesiet é lypuna. Xhéndaret é agjéntét é policies ashtu dhè nepunesit t’jér te zgjidhén nde mést mâ te zotevét nga njérezit é véndit.
- – Emnim i nje perfaqsonjesi te Sulltani si inspektor i pergjitheshem per nje périudhe vjétesh mé barren qe te shekonje te vuemit bésnikisht n’udhe te nomit organik te mbaruarit é detyres se Valinjvet é te t’jérevét nepunes, é té mbajtunit é qétesies é te harmoniés nde mést t’éléméntévét te ndryshmé éthniké qe ndodhén nde Vilajétét bashkarisht.
- – Perdorim i gjuhes shqype nde marrevéshjét ne mést te t’administruarvét é t’administratorevét te vêndit, é nde kuvêndét é gjykimét perpara gjygjévét per krah mé turqishtén qe âsht é mbétét gjuha zyrtaré e qévéries qendroré.
- – Sherbim ushteriak i detyreshem per te gjithe Shqypetaret mé systéme skânjésh (systéme de cantonnement), ne kohe paqe; é nje organizim té veçante per vêndasit é visévét qe ndodhén ne kufî te Shtétévét Balkaniké, tué u dhâne léhtesien qe te munt te bâjne sherbimin ne vênt é te ruajne shegurien e kufinjvét. Ushtaret do t’a kéne te liir sherbimin é besevét te tyné é te mbajtunit é zakonévét te véta.
- – Te lidhunit per névojet é vèndit te te gjitha t’ardhunavét, pervéç sé atyné te Gjym – [8] rykut, te Postes é te Télégrafes, te Duhanit, te Shpirtravét, é te Pullavét, te cilat jane dhâne per disa sherbimé te véçanta. Te lânunit per ndertim udhash, é hékurudhash me nderâshtjé vêndoré é per mbajtjén é shkollavet te boteshmé te nje pjésè te téprices t’ardhunavét te permenduna sypri ashtù é dhé te te gjitha pagésavét per udha, te pagéses shtimoré per mesim é te 3 % te se dréjtes se hyrjés.Tu njihet komunévét é dréjta é te prérit dréjt per se dréjti osé mé anen é t’jérevé, te pyjévet te véndit me detyre per komunét mé marre per barre ruajtjén é tyné, mé rregulluar te prérit, pas urdhnavét téknike, é mé i paguar fiskut nje pagése qe do te shênjohét pas llojit te drunjvét é pas largimit te pyllit nga limani osè nga vêndi i shitjés.
- – Te dréjta per Keshillat é pergjitheshmé te munt te japin vêndimé mbi budgétin é Vilajétévét é te bâjne kontroll te prishunat.
- – Kerkim i fundévét te névojeshmé qe te shegurohét mbledhja é te te hollavét qe lypsén per goditjén rishtazi te shtepiavét é te ndertésavét te djéguna; e thémélim i nje komisjoni te perziém (comission mixte) é te mosvarme qe te véshtronje kethimin ne vênt te njéresvét te dâmtuare é goditjén é shtepiavét te djéguna.
Te kthéhén armet e marruna me detyre per atà qe i mbajne qe t’i shtarohen kanumit te posaçem.
Faqe 9 – 13 të Revistës ”Leka”, Nr. 1 – kallnduer 1937 Nga: Bep M.Pjetri.
***
Shenim nga F.R.:
Ajo “Histori” e shkrueme pa ngjarjet e Maleve tona të vitit 1911, nuk pranohet sot në fletët e sakta të Historisë së Shqipnisë. Mbas vitit 1944, disa “dr. prof e akademikë” e kanë fallsifikue Historinë, dhe e kanë shtremnue si ua kanë kerkue “disa…”, e fatkeqsisht ashtu asht edhe sot!
Detyra e sejcilit Atdhetar Shqiptar asht që “Memorandumi i Gerçes 1911”, duhet njoftë sakt nga të gjithë Ata që njohin edhe vedin per Shqiptar!
Melbourne, 17 Qershor 2024.