Artur Spanjolli: Udhёtim nё Londёr
Tregim
E prisnim kёtё udhёtim qё prej mё shumё se dhjetё vjetёsh. Isha interesuar vite mё parё, por tё udhёtoje pёr atje, kishte naze puna. Nёse doje t’ia shkilje dheun, shteti anglez, pёrpara se tё tё jepte vizёn, kёrkonte qё udhёtari jo vetёm tё prenotonte hotelin, por edhe ta kishte gjithashtu udhёtimin e paguar vajtje-ardhje. Gjithё ato pretendime tё koklavitura burrokratike, sikur tё ikje nё parajsё dhe jo nё dheun e akullit dhe ngricёs, na kishin mbodhisur fare. Kjo ishte arsyja qё udhёtimin e kishim shtyrё pa fund. Mё nё fund, mbas marrjes sё qytetarisё nё vendin bujtёs, bёmё edhe pasaportat e reja. Tani, nuk na mbetej gjё tjetёr, veç se tё prisnim biletёn dhe t’ia mbathnim drejt kryeqytetit tё Europёs.
Nuk mjaftuan kёto, por qё nga momenti kur u bёmё mbarё, filloi tё na ecё ters gjithçka. “E hёngёrt dreqi kёtё punё”, shfryja duke turfulluar ditё mё vonё. “Aq e pamundur qenka tё vizitoke dheun e Shekspirit”?” Po kёrkonim hotel nё google dhe duke i hedhur njё sy çmimeve, na pёlqeu njё ofertё, ndaj tё tunduar po merreshim me prenotimin. Shkruam shifrёn me tё cilёn duhej paguar hoteli dhe me njё frikё tё çuditshme nga mosdija, vumё edhe numrat e kartёs me kujdes pёr tё bёrё transaksionin. Sipas rradhёs sё gjёrave, fill tek posta elektronike, na mbёrriti konfirmimi i prenotimit tё hotelit pёr tetё ditё. Veç se nuk po arrinim tё bёnim pagesёn. Qarku i pagesёs nё display sillej e sillej, por nuk mbyllej me sukses. Shuma qё duhej tё paguanim i kalonte tё 1500 euro. Ja behu edhe e papritura e parё. Nga banka arriti lajmi turbullues. Pagesa on-line nuk mund tё bёhej e plotё, sepse maksimumi i tёrheqjes ditore nga karta e kreditit ёshtё 1500 euro. “Po tani si i bёhet”!? Pashё nё sy bashkёshorten. Njё tmerr i fshehtё po na ngjitej nё ndёrgjegje. Duke mos patur eksperiencё nё fushёn e pagesave on-line, na dukej sikur duke dhёnё numrat e kartёs, me hir a me pahir, do tё na i zhvatnin tё gjitha paratё. “Si ka mundёsi qё s’arritёm ta bёnim pagesёn? Ne konfirmimi nga hoteli na erdhi”, ia pat ime shoqe. “Ndoshta e kishim bёrё pjesёrisht, atё?! Ja!” vazhdoi, sikur tё donte tё mё mbushte mendjen, “nga Wedgewood hotel, ka ardhur prenotimi”! Mbeta si i shushatur, sikur sapo tё isha rizgjuar prej njё letargu dhjetё vjeçar. I zhytur nё tё thella, po kruaja ballin. “Provojmё t’i telefonojmё, shtova, dhe ta sqarojmё”!
Gjetёm numrin e telefonit anglez dhe qё nga ai moment, filloi edhe aventura mё absurde, e humbur e kapjes si tё linjёs por sidomos e komunikimit me njё frymё tё gjallё robi, pёrtej fillit tё telefonit, njёmijё e katёrqind e tetёdhjetё e gjashtё kilometra larg. Ishte e diel mbasdite. Nuk dinim a na i kishin marrё njё pjesё tё parave, a rezultonte e prenotuar dhoma, a…
“Po konfirmimi nga llogaria bankare kur vjen”? – mё pyeti ime shoqe.
“Konfirmimi vjen zakonisht mbas disa ditёsh. Ky ёshtё transaksion ndёrkombёtar”!
“Veç atёhere do ta kuptojmё plotёsisht”, ma ktheu, tani provojmё t’i telefonojmё”!
Mbas disa tentativash, çuditёrisht, njё zё burri, vendosi t’ia kёpuste tingullin grishёs dhe nervozues ziles sё telefonit nga pёrtej detit dhe u pёrgjigj. “Hello”! U sqarua me tё ime shoqe, e cila, vёrtetё kishte mbaruar pёr anglisht, por aq shumё vite mё parё sa e kishte humbur fluiditetin nё tё folur. “Transaksioni nuk ёshtё bёrё sepse emri i prenotuesit, nuk rezulton i njёjtё me emrin e titullarit tё kartёs bankare, mё sqaroi, por kanё tё dhёnat e kartёs, pra mund t’i heqin kur tё mbёrrijmё atje” !
“Si do t’i paguajmё, a e pyete? Karta ime, nuk nxjerr mё shumё se 1500 nё ditё, ndёrsa hoteli kushton mё shumё”.
“Janё shumё çёshtje pezull. Ja t’i marrim rishtaz”, ia ktheva.
Qё nga ajo ditё, kam provuar pa egzagjerim, mbi 40 herё t’i merrja prap nё telefon, por dukej sikur telefoni tё ishte vendosur mbi njё pllakё varri, ku askush, kurrё nё jetё tё jetёve, s’do tё kishte shans tё pёrgjigjej. “Pёrgjigjuni, mor ju dhjefsha rracёn, klithja, ndёrkohё qё, mbasi kapja me zor linjёn e Londrёs, tutje detit, zilja e telefonin veç tingёllonte bosh, pёrgjigjuni, tё mallkuar”! Edhe pse kokёfortёsia ime ballkanase ishte gati heroike, askush nuk e ngriti receptorin kurrё. Me ditёt, situata filloi tё bёhej gjithnjё edhe mё e nderё. “Po çfarë dreq hoteli qenkan qё s’pёrgjigjen nё telefon? Mos do jetё hotel fantazmё? Njё kurth pёr tё na zhvatur lekёt”?!
“Jo, ma kthente ime shoqe, pёrndryshe nuk do tё na pёrgjigjeshin njё herё. Pastaj, prenotimin ne e kemi. Shkojmё atje, gjejmё vendin dhe i biem direkt ziles”!
“Po. Dhe me siguri do na presin me lule”, flisja me ironi. – A e kupton se nёse nuk bёhen tё gjallё mbas 40 tentativash telefonimi, don tё thotё se nuk janё seriozё. I shkruajmё e-mail nuk pёrgjigjen. I telefonojmё, nuk e ngrejnё telefonin. Ndёrkohё, tё dhёnat e kartёs sime tё kreditit tashmё i kanё. Mё thuaj, si tё shkojmё nё mes tё dhjetorit nё Londёr, pa e ditur se ku do tё strehohemi! E ke ti njё kurajo tё tillё”?
“Ua sa i marrё bёhesh, ma kthente ajo. – Do tё flejmё tek hoteli qё kemi prenotuar! Ja. Tek Wedgewood hotel”!
“Po qe se nuk e gjejmё”?
“Si mor nuk e gjejmё? E gjetёm nё internet! Ja adresa”!
“Mund tё jetё njё mashtrim. Njё hotel fantazmё. Me siguri seriozё nuk janё, sepse njё hotel serioz, pёrgjigjet mbas aq shumё telefonatash. Po tё na kenё mashtruar, ku do tё flejmё ne nё Londёr, nё mes tё ftohtit”?
“Si mor mund tё jetё mashtrim?! Po qe ashtu do tё thёrrasim policinё”!
“Dёgjo kёtu, vazhdova, unё dua ta anulloj kёtё prenotim virtual, ndoshta mashtrues dhe dua tё gjej njё hotel tjetёr. Njё pёr tё qenё. Sidomos tani qё kemi blerё edhe gjashtё bileta avioni. Po shkojmё atje pёr qejf, jo qё tё na gjejё belaja nё pikё tё dimrit”!
“Po. Tё humbasim edhe nja njёmijё euro tё tjera”!
“Mё mirё tё humbasim njёmijё euro tё tjera, se sa tё shkojmё atje, pa e ditur se ku po shkojmё dhe kush na pret”!
Fundi i labirinthit mbёrriti sapo kontaktuam njё nga ato tё paktat agjenci turistike, tё cilat i kishin mbijetuar stuhisё sё internetit bёjevetё.
Mё nё fund, na gjetёn njё hotel tjetёr, ‘Melia white house’.
“Nuk ёshtё se edhe ky na e ka me tё hedhur”! – pyeta punonjёsin disi me mosbesim.
“Dёgjo, mё tha operatori duke mё rrahur shpatullat. – Kam vite qё bashkёpunoj me kёtё hotel. Tё gjithё klientёt e mi kanё mbetur mёse tё kёnaqur. Ёshtё njё mega strukturё me 600 apartamente tё vogla brenda.
Fjala e tij ma solli shpirtin nё vend.
Ndaj, njё ditё tё ftohtё dhjetori, u nisёm pёr tё marrё “Ryanaire”.
Ngaqё mendonim se do bёnte ngricё, e kishim dingur valixhen me tesha dimri. Por ja qё klima na qёlloi e butё. Veç diellin nuk do ta shihnim gati kurrё. Edhe kur dilte pёr pak çaste, ishte njё diell metalik, i bardhё, si njё shkёlqim alumini, krejt i çuditshёm. Shpesh mendoja se nuk binte shi, – s’kishte njerёz me çadra -, por kur fenerёt e makinave ndriçonin, atёherё shquheshin fare qartё pikёlat e ujit. E kuptonim se vёrtetё po binte shi, por ishte njё shi aq i imtё, sa veç kur qulleshe krejt, e kuptoje se vёrtetё po binte.
Kur shkelёm tokёn e lavdishme britanike, me siguri, rastёsia na e kishte ruajtur ndonjё rreng tё papritur. Na kishin ndodhur tё papritura nё Itali, nё Spanjё, nё Francё dhe Portugali, jo mё tani, kur po aventuroheshim aq larg. Jo vetёm larg, por edhe gjёrat ishin mbrapsh. Duke filluar nga shenjat rrugore, simbolet, deri edhe makinat iknin andej nga duhej tё vinin.
E kam dorë me njё. Kur vё kёmbёn nё njё vend tё panjohur, vend ku nuk di si funksionojnё gjёrat, aty gjithmonё do tё ndodhё papritur diçka ters. Jo shumё e mirёpritur.
Sapo zbritёm nga avioni, me valixhet e rёnda, filluam tё ecnim nёpёr disa tunele tё gjatё, tё cilёt nga dalja e avionit, deri tek mbikqyrja e pasaportave, mu duk sikur e kaluan kilometrin. Mbas tuneleve, me vetveten reflektuar nёpёr pasqyra, po shkisnim mbi ca shkallё lёvizёse horizontale, tё cilat nuk mbaronin kurrё. Ishin sa qesharake, po aq edhe argёtuese, mjaft tё mbaje ekuilibrin. Mё nё fund, mbasi kaluam edhe doganёn, na duhej tё blinim tre bileta, pёr tё marrё njё tren, tё cilin as nuk e njihnim fare. Pёr tё ikur diku, se ku, as vetё nuk e dinim. Gjithçka ishte njё zbulesё e re.
Njerёzit shkonin e si njё lumё i rrёmbyer. Kishte kinezё, arabё, indianё, afrikanё, veç njerёz tё atij vendi, dukej se nuk kishte. Gjithё ky integrim magjepёs, po mё mahniste jo pak! Mё nё fund, tek sorrollateshim pёr tё kuptuar se ç kёrkonim, ku ishim dhe pse po rrinim aty si alienё, gjetёm dikёnd tё gatshёm tё na tregonte tek pajisjet elektronike, se si bliheshin biletat me kartё krediti. Na nevojitej njё orё e gjysmё rrugё, pёr tё arritur nё hotel, ndaj tё merrje taksi, siç kishim vepruar gjithkund, nёpёr shtetet e tjera sapo kishim vёnё kёmbёt, as nuk mund tё mendohej. Rruga do tё na shkonte fare shtrenjtё.
“Ku do tё shkoni”? – na pyeti punonjёsi, i cili ndihmonte bujtёsit e ri. Ne, vizitorёt e sapoardhur, dalloheshim fill, sepse, mbas çdo dhjetё hapash ndalonim dhe krejt tё pasigurtё, hidhnim sytё andej kёndej, sikur tё na kishte humbur vula.
“Ja kёtu”, i tha ime shoqe duke i treguar adresёn e hotelit.
“Deri aty nuk shkoni dot me tren. Ju duhet tё ndaloni nё Viktoria, pastaj aty, tё merrni njё taksi ose metronё”. Lёvizёm kokёn disi tё çliruar. Me ndihmёn e çmuar tё tij, premё tre bileta. Pastaj, duke tёrhequr valixhet, si ato tё burgosurit lёshuar rrugёve tё botёs, ecёm drejtё, pa ditur se ku. “Po tani nga tё ikim”?
Idetё nuk na pёrkonin.
Njёri thonte diçka. I dyti ishte nё mёdyshje. Unё kisha njё mendim tjetёr. Demokraci hesapi. Mё nё fund, njё mulate, na ndihmoi si tё kalonim portёn automatike, e cila hapej duke treguar kodin e biletёs. Zbritёm shkallёt dhe tani, tё bindur se tё papriturat mbaruan, prisnim trenin. Sime shoqe i erdhi dёshira pёr tё pirё cigare.
“Nuk mund tё pish, nuk pihet kёtu”.
“E kam cigare elektronike, ç’ke ti”?
“Ore po nuk pihet. Kur tё arrijmё do ta dredhim njё sё bashku”.
“S’pyes njeri”, tha dhe shkoi prapa kollonaveduke e ndezur. Ishte ftohtё, por jo ai i ftohti qё mendonim. Gjendeshim mё nё fund, nё tokёn ku kishim dashur tё shkonim 10 vjet mё parё. Qielli ishte njё masё gri e ftohtё. Dritat ishin ndryshe. Shinat e trenit, tё heshtura dhe tё ftohta. Krejtёsisht tё panjohura. Nё ndёrgjegjen time, dukeshin si tё ishin shina tё njё galaksie tjetёr. Rrija duke mbikqyrur dy valixhet dhe pirgun e tri çantave tё shpinёs, ndёrsa djali kish filluar tё grindej me nёnёn. Pse pi cigare tani? Nuk lejohet. Ç’tё duhet ty, ia kthente ajo. Pse do tё marr lejen ty! Rri aty mbaj vendin tёnd. Dje dole nga veza, sot do tё bёsh ligjin. Dhe ai rishtaz, krejt i xhindosur: – Hidhe atё cigaren e shpifur. Hidhe shpejt. Nikotinomane je, ja ç’je!
Mё nё fund treni erdhi fare i heshtur. Lёvizja sikur tё kisha zёnё krimba. Deri sa ta fusja kёmbёn tek hoteli, nuk isha i qetё. Sapo u hapёn dyert e vagonave, futёm valixhet brenda, u sistemuam tek njё kabinё e trenit dhe se di si mё erdhi ndёr mend, preka xhepat me pёllёmbё. Shih pёr telefon, nuk ka. Kёrko andej, kёrko kёndej. S’po e gjeja telefonin asgjёkundi. Fytyra po mё bёhej e bardhё nga tmerri. Po mё kapte paniku. “Ore, nuk po gjej telefonin”, thashё.
“Si mor s’po gjen telefonin”? I preka nga tre herё xhepat, asgjё. Hapa edhe çantёn e shpinёs, asgjё. Po zbehesha krejt nga hutimi. “Ore po e kisha nё xhep! Ku shkoi mor i mallkuari? Dreqi e treti a si”? Treni pas pak çastesh do tё nisej. Do tё nisej?! Oh orё e mallkuar. Vend i mallkuar. Si mor mu zhduk telefoni?! E kisha nё xhep, ca çaste mё parё, kur kalova postbllokun. Do tё mё ketё rёnё, ose dikush ma ka vjedhur. Mё ishte tharё pёshtyma krejt. Ime shoqe filloi tё zgurdullonte sytё. Mori telefonin e saj dhe bёri numrin tim. U pёrgjigj anglisht njё zё burri. “Mё duhet tё zbres, me patjetёr. Treni, pas pak çastesh, do tё nisej nё njё drejtim tё panjohur, tё mallkuar dhe unё, tek telefoni kisha gjithçka. Dokumenta, kartёn e kreditit, biletat. Gjithçka mё nevojitej pёr dinjitetin tim. Si i bёhej pa telefon, nё njё botё, e cila pak nga pak po trasnsferonte gjithçka nё celular”? Ndёrsa ime shoqe vazhdonte tё fliste, krejt i tronditur, unё gati sa nuk ulёrita nga padurimi: “Nёse do tё zbresim, duhet tё zbresim tё gjithё dhe shpejt. Pёrpara se treni tё niset”. Si mund tё udhёtonim vallё? Do tё ishte gjithçka mё e ndёrlikuar. Oh orё e mallkuar! Kishim bёrё disa orё rrugё, pёr tё lёnё nam tani, nё njё stacion treni tё panjohur?! E dija. E dija. Nuk mё kishte humbur kurrё asgjё, askund. E dija se do ta humbja si Xhaferri simiten. “Zbresim”, ulёrita. Pastaj kapa valixhen mё tё rёndё dhe zbrita me nxit trenin nё nisje. Portat ishin akoma tё hapura. E lashё valixhen tek shkallёt, u ngjita me nxit. Doja tё takoja njeriun, i cili e kishte gjetur dhe po fliste me tim shoqe. “Telefoni, telefoni, kam humbur telefonin”, i ulёrita njё punonjёse shёrbimi e veshur me njё xhup bizel. Tek i flisja, imitoja gjestin e telefonit nё vesh. Vajza e huaj, me siguri indiane, fare e re, mё shikonte sikur sapo kisha ardhur nga njё planet krejt i panjohur. Nё fillim nuk reagoi, veç ngrinte supet duke rrudhur buzёt. Mё pas nisi tё thoshte: – Qetёsohu, qetёsohu! Hidhja sytё ande kёndej plot ankth. Askush nuk pёrgjigjej. “Orё e mallkuar, ulёrita, mё duhej ta humbja nё çastin mё kritik”. Pashё tё vinte me vrap im bir, i cili nuk dinte ç’tё thonte. “My phone, my phone…” vazhdoja unё.
“Çfarё bёn ti, s’tё vjen zor qё ulёret kёshtu?!”
“Qepe se ta ngjesha. Shko shpejt dhe mos e lёr vetёm mamin”.
“S’dua”!
Djersё tё ftohta po mё kalonin nё mish. Dukej gjithçka aq surreale, aq e çuditshme, e pabesueshme.
Im shoqe, braktisur nga ne, vetёm mbi njё tren nё nisje, sa me zor kishte arritur tё dilte. Nё fillim kishte nxjerrё njё valixhe. Pastaj nga frika se mos nisej treni, nuk kish dashur tё ngjitej pёr tё marrё valixhen tjetёr. Por nё çast, kishte ndёrruar mendje. Ishte zhytur rishtaz brenda si skifter, kishte rrёmbyer edhe valixhen tjetёr. Kish bёrё gjithçka, ndёrkohё qё shkёmbente gjysma fjalёsh anglisht nё telefon me gjetësin.
Ja ku u gjendёm tё gjithё tё hallakatur. Valixhet sa andej-kёndej, si qentё pa tё zot, dhe ne, vetё pasagjerёt, pa asnjё lloj lidhje, organizimi. Krejt tё çoroditur nё çast.
Unё, akoma i mpirё nga mosbesimi, sillesha andej-kёndej, duke parё fytyrat e ftohta tё njerёzve sikur tё doja tё gjeja fajtorin e farsёs. “I lost my phone. Sombady find my phoneee”! Askush nuk pёrgjigjej. Im bir, vazhdonte tё mё qortonte pёr si po e pёrballja situatёn. “Si s’tё vjen zor? Si s’ke turp?! Po, po, ti. E humbe telefonin”. Valixhet pa tё zot, vazhdonin tё ishin atje poshtё. “Shko, i bёrtita, ndihmo mamin”! Ndёrkohё ime shoqe, nё momentin qё kishte nxjerrё edhe valixhen e fundit, dera hermetike e trenit nё nisje, gati sa nuk ia kishte zёnё bёrrylin nga presioni i mbylljes hermetike.
Tek i ngulja sytё njerёzve me shpresёn se dikush do tё ngrinte dorёn, pashё bashkёshorten tё ngjiste shkallёt e nёnkalimit. Vazhdonte tё fliste ende nё telefon me gjetësin. “Ku jeni? Mund ta ngrini dorёn ju lutem? Nuk ju dalloj”! Unё, vazhdoja tё sillesha andej-kёndej, krejt i hutuar. E kisha humbur si Xhaferri simiten. Stacioni ishte pak a shumё i qetё. Askush nuk afrohej tё mё pyeste: si e keni hallin zotёri? Ç’vend ishte ky ishull?! Si mё ra mor i mallkuari telefon? S’mё kishte ndodhur kurrё! Tё paktёn s’ma kishin vjedhur, sepse hajdutёt puna e parё qё bёnin, i hiqnin skedёn telefonit dhe e shisnin.
Mё nё fund burri ngriti dorёn. Ishte njё vёzhgues i portave hermetike, qё hapeshin pasi rilevatrorit tё informacionit i tregoje kodin e biletёs. Oh ç’mallkim! Apo, isha ndoshta nё ёndёrr? Si nga ato makthet pёrpara zgjimit qё i bёja shpesh. Mё nё fund, burri dy metrosh, si njё gorrillё e heshtur, ndёrsa rrinte mbёshtetur tek parmaku, nga ana tjetёr e stacionit, i zgjati telefonin time shoqe.
Se di pse, por mё erdhi t’i ulёrija: “Po ti s’mё pe mua qё po ulёrisja, mor debil”! Por, se di, a do kisha tё drejtё, t’i thoja diçka tё tillё?! Ai ishte gjetёsi. E falenderova, pёr faktin qё tё paktёn arrita ta gjeja. Kjo ishte kryesorja.
Vetёm nё atё çasta, u kujtuam pёr valixhet. Zbritёm me vrap pёr tek bagazhet pa tё zot, lёnё andej-kёndej, atje poshtё. Ishte skena mё absurde dhe surreale qё mё kishte ndodhur ndonjёherё nё jetё. Por e kisha zemrёn e qetё. Ah Steve Job, Steve Job. Unё ta vё fajin ty qё ja ke hedhur njerёzisё. I ke bёrё njerёzit si me hije. Pas pak, qenjet njerёzore do tё duan mё shumё telefonin, se sa sojin e vet. I drogove njerёzit me internet sipёrfaqsorё, si dikur britanikёt, ja punuan kinezёve me hashish. Ah pjellё e mallkuar, dinake!
Isha tёrё nerva.
Poshtё, bashkё me erёn, e cila u bё fare e hidhur dhe e ftohtё, plasi dhe shamata. Ishim plot nerva, si deti i zi para shtrёngatёs. Stacioni ishte krejt i zbrazёt. Si njё teatёr bosh ku ne, po tё donim, mund edhe tё kapeshim me grushta. Trenit tjetёr, i nevojiteshin akoma 20 minuta qё tё mbёrrinte nё stacion.
“Çfarë dreq burrash jeni ju aman?! Mё leni vetёm dhe kёrrcisni dhe ikni. Ah ju dhjefsha burrat”, ia pat ime shoqe.
“Ju thashё zbresim tё gjithё, pastaj zbrita”, u shfajësova.
“Po ti mor, po ti? – iu kthye djalit, si s’tё vjen zor, qё mё le vetёm”?
“Unё vrapova drejt babit”, u shfajsua edhe djali, ti, ti e pate fajin vetё! Pse s’zbrite”.
“Si tё zbrisja? Po flisja nё telefon”.
U çakёrdisёm krejt nga nervat. Bёrtit njёri, shaj tjetri, mallko i treti. Gjithё nerva, pёr çaste tё tёra, mbetёm nё heshtje. “Si mё ra, mor burrë i dheut, se mora vesh fare”, vazhdoja tё thoja krejt i humbur. Tani e shtrёngoja celularin nё xhep, sikur tё kisha frikё se do tё mё zhdukej rishtaz. “Edhe djalli vetё tё ma kishte marrё, nuk do tё kishte qenё mё i zoti”. S’e kuptova hiç. Ime shoqe, humbi prapë mbrapa kollonave dhe filloi tё pinte njё tjetёr cigare. Rrinim me fytyrat e vrenjtura duke parё nё drejtime tё ndryshme. Ndihesha si jashtëqitje. Gjithçka prej fajit tim. Epo kjo punё. Mё nё fund treni erdhi. U ngjitёm dhe u ulёm diku duke mbikqyrur mirё valixhet. Sikur na erdhi shpirti nё vend.
Tё nesёrmen u zhytёm nё atmosferёn madhёshtore, tё ftohtё, por krejt magjepёse tё metropolit verior. Tjegullat ishin tё errёta, muret tё bardha, ose tё kuqe pa suvatim, dritaret krejt tё zeza. Dyert ishin tё errёta, tё shurdhёta, tё kabashme, me njё zotnillёk, elegancё tё papёrshkrueshme. Ajri ishte gri, qielli krejt i mbyllur si hi zjarri i shuar. Dritat ishin pa fund. Gjithё ajo gjallёri artificiale lulesh, dritash, zbukurimesh prej festave, dukej sikur donte tё mbulonte mungesёn e dritёs sё diellit, tё verdhёn e Mesdheut. Kishte brymё dhe sqotё. Dhe herё herё, frynte njё erё qё tё priste si brisk rroje. Por ishte bukur. Aq bukur sa gjyserrёsira e mesditёs, na dukej e gjallё, plot dhurata. Gjithçka buzёqeshte mrekullueshёm, sikur tё bёhej gati, tё tё dhuronte diçka. S’kisha parё kurrё aq shumё tё huaj, nё njё qytet tё huaj.
Mbas disa ditёsh, tek ecnim pёrbri lumit tё gjerё, nё mjergullёn e ftohtё tё funddhjetorit, mu shfaq dramaturgu si fantomё. I kishte sytё e rreptё, mjekrrёn si push miu, ballin e gjёrё, flokёt e gjatё. Na shikonte ftohtё, qё pёrtej mjergullёs. “S’jam nё ёndёrr, i thosha vetes, kёtu vёrtetё fantazmat egzistojnё”. Njёra syresh mё duket se mё grabiti edhe telefonin.
Por, para se ta pikasja gjeniun e letrave, na kishin ndodhur disa gjёra interesante, tё çuditshme. Ndёrsa hanim bukё, e kisha lёnё hartёn e qytetit anash tavolinёs dhe kur u ngritёm, ajo kishte avulluar. Nё hotel, edhe pse i kёrkuam gjatё, na u zhdukёn disa ilaçe. I kёrkonim andej-kёndej, por nuk i gjetёm qё nuk i gjetёm. Pastaj na u zhduk dhe rishfaq ditёn tjetёr, skeda e dytё magnetike, me tё cilёn hapnim derёn e apartamentit. Vend i çuditshёm, mendoja. Mirё ilaçet do tё na i kenё marrё pastrueset e dhomёs, po skeda ç’t’i nevojitej vallё? Dha ja tani, nё mes tё mjergullёs, mbas rreth 410 vjetёsh, po mё shfaqej dramaturgu i fantazmave mbi ledhe. “Ç’ne”, po i thoja me mend. Isha krejt pa fjalё. Nuk bёnte ftohtё, ndaj duart nuk i mbaja ngjeshur nё xhepa. “Ti kёtu”? Nuk foli. Nuk mu pёrgjigj. Veç mё shihte si pёrtej mjergullёs, me fytyrёn, krejt enigmatike. Sytё, linja e buzёve, deri edhe vetё mustaqet, po i merrnin njё shprehje tё vёngёrt. Sikur tё donin tё thonte. “Ju ç’ne kёtu? Pse keni ardhur nga kaq larg”?
“Ju ç’ne, ia ktheva me mend, pse u shfaqёt krejt pa kuptim? Ndoshta mendja e ndritur, atje poshtё nё zjarrin e Hadit ju ka squllur kurajon? Dikur ishit fare pranё zemrёs sime.Tani dashuroj shkrimtarё tё tjerё”.
“Unё nga humbёtirat e Ferrit kam ardhur, t’ju tremb, t’ju tromaks, me njollat e gjakut mbi duar, mu bё sikur mё tha. -Nuk ka sapun qё ti lajë ato, si tё Ledit Makbeth. Kur tё flesh nё gjumё, do jetё akoma edhe mё keq. Ju do tё mendoni, se ndёrgjegja e lodhur, mё nё fund do ta gёnjejё disi vetveten. Nё vdekjen e pёrnatshme do tё kridheni. Truri, me melhemin e harresёs, do tё spёrkatet. Gjumi: fajet, tmerret, thika qё pikon gjak. Ah thika qё pikon gjak! Gjithçka ndoshta, do ta fshijё me napёn magjike tё pёrhumbjes, veç pёr disa orё. Ju do tё mendoni se do pushoni nё paqe. Ia hodhёt. Por kurthe tё tjera ju presin. Leshrat plot gjak, sytё e zgurdulluar tё viktimёs. Ah, ai mbreti plak! Ah helmi nё vesh, helmi nё vesh! Mё i keq ёshtё ai, se sa thashethemja. Mё i keq, se vetё zhiva e nxehtё. Unё nga zgafellat plot zjarr dhe squfur kam ardhur. T’ju zgjoj. Thonё se disa njerёzve, nga fajet e tmerrshme, tё cilat ndёrgjegja, me dredhi mundohet t’ia fshehё vetvetes, kur i tregojnё diçka tё pёrafёrt, ato nuk e durojnё dot, kёrcejnё pupthi me tmerr. Disa syresh, fillojnё edhe ulёrasin fort: dritё, dritё! Ja kёshtu, ndёrgjegjia e pistё. Pёr fat tё mirё, akoma nuk e kanё shpikur melhemin magjik, qё fajet, vrasjet e ndёrgjegjes, njё nga njё t’i fshijё. Siç fshijmё njollat nё mur me gёlqeren e bardhё”.
“Po ju, e pyes, italian ishit apo janё fjalё kot, fjalё ziliqarёsh”.
Nuk mu pёrgjigj. Mjergulla çuditёrisht fillon dhe zhduket. Sheshi ёshtё i gjerё. Qielli ёshtё gri dhe i ftohtё. Nga njё e shqyer e reve, pёr njё çast, njё dritё e ftohtё, si prej alumini, mё verbon sytё. Zotёria, qё çuditёrisht i ngjan aktorit, ёshtё anglez. Si ёshtё e mundur t’i ngjaj aq shumё?! A ndoshta, ёshtё truri im, ai qё po e transformon… “Excuse me, how can i find Globe. The famous theatre”?!
Ma shpjegon, sa me duar, me kёmbё. Nё krye tё kaptinёs ёshtё tullac. Anash, i ka leshrat e gjatё. E falenderoj dhe filloj tё orientohem duke ecur rrugicave tё lagjes sё famshme. Shtёpitë dhe ndёrtesat mё tё vjetra, dallohen nga ato mё tё rejat. Ngjajnё me lёkurat e vyshkura tё shekujve, mbetur nё formё muresh, rrёnojash, dritaresh, themelesh, harqesh dhe kapitelesh. Ato shquhen gjithkund. Kaloj njё kishё, nga e cila ka mbetur veç muri i gurtё, gjigand. Nё majё, dallohet lulja e trёndafiltё, e rrumbullakёt. La rosetta. Pastaj me rradhё, na dalin pёrpara, mure me tulla tё kuqe, kangjella hekuri, çati tё zeza, dritare zbukuruar me lule maji ngjyrё rozё, qё çelin edhe nё dhjetor. Gёrmat e mёdha nё bronx, reflektojnё madhёrishёm, plot xixёllima ёndrre, mbi trotuarin e ndriçuar nga shiu i mёt. Piklat e ujit tё padukshёm, nuk rreshtёn kurrё.
Mё nё fund e gjej Teatrin Globe, por nuk mundem ta vizitoj. Ёshtё i mbyllur dhe krejt i rrethuar nga njё mur i lartё, hermetik. Lexoj se mund tё vizitohet veç nёse bёhen vizita tё prenotuara.
Dhuratat e qytetit pa fund janё akoma edhe mё tё pafundme se sa ai vetё. Gjithkund vёrshojnё drita, ngjyra, gjeometri, vitrina madhёshtore. Sikur tё jetonin gjigandё dhe jo liliputё nga e gjithё bota. Qyteti natёn, ndriçon aq shumё, sa yjet nuk egzistojnё mё. Bluja e ftohtё e hёnёs, duket akoma edhe mё e largёt dhe e heshtur. Atje, nё majё tё qiellit tё errёt dhe tё panjohur, tё ftohtit duhet tё jetё akoma edhe mё i tmerrshёm. Por tё ftohtit e Londrёs, ishte i bukur, i madhёrishёm. Mbytej nga pёrralla e dritave nёpёr bulevarde.
Njё natё, e humbёm toruan krejt. Mes shiut tё imёt. Kёtё herё binte vёrtetё sepse edhe tё tjerёt kishin çadra. Mes masёs njёmilionshe tё turistёve pёrreth, hartёs nё dorё, e cila lagej vazhdimisht, nuk po gjenin drejtimin pёr t’u kthyer nё hotel. Kishim ecur gjithё ditёn, si ushtarёt nё front. Por ky ishte udhёtim nga mrekullia nё mrekulli dhe jo nga kurthi nё kurth.
“E di unё, thoshte djali, pse nuk mё besoni”?
I besuam. E ndoqёm dhe mbas dhjetё minutash, u gjendёm nё tё njёjtёn rrugё. Krejt tё nervozuar, tё lodhur, me sqotёn qё na pёrplasej nё fytyrё, vura syzet. Bёra dritё me telefon dhe po kёrkoja tё ktheja hartёn nga drejtimi qё duhej tё merrnim. Djali u shkreh krejt nё mallkime dhe pasthirrma fyese.
“Mbylle, i ulёrita, e pamё sa e dije drejtimin e duhur”. Mё nё fund, duke çarё njerёzit si mizat, nga udhёkryqi ku lidheshin 5 rrugё, iu futёm bulevardit tё duhur. Ecёm gjatё. Mё nё fund bulevardi dyzohej.
“Dreq o punё”, ngrita zёrin. Kishim marrё drejtimin e kundёrt. “Duhet tё jetё nga krahu tjetёr”, i thashё sime shoqe. Mё dukej vetja si nё mes tё njё xhungle njerёzish a mbi titanik. Ai rrinte prapa, krejt nevrik, duke sharё ndёr dhёmbё. “S’mё dёgjoni mua ju, ja humbёm tani”, thonte shpesh. “Edhe po humbёm, s’ka problem. Ti je me ne”.
“Po. Po. Jam me ju. Asgjё s’merr vesh ti!”
Kur arritёm nё shtёpi, ishim krejt tё dёrrmuar. Dukej sikur e gjithё bukuria e ditёs kishte firuar si tym mishi tё pjekur nё ajёr. Ishim tё lagur dhe disi me nerva, por akoma, pёrplot me dhuratat e Londrёs, shtrirё, pёrtypnim bukurinё. Janё tё mrekullueshme dhuratat e Londrёs. Janё si çokollata aeroportesh. Falen ato gjithkund. Nё çdo udhёkryq, nё çdo shesh, nё çdo park madhёshtorё, i gjen ato.
Mbas darke, qe djali qё u shkreh i pari kundёr meje: “Sa herё tё kam thёnё. Mos mё thuaj bёj kёtё bёj atё”!
“Deri 18 vjeç”, ia kthej, do tё bёsh ç’tё themi ne. Pastaj, bёj ç’tё duash”.
“Nuk jam kalama i vogёl, t’i bindem urdhrit tёnd. E di vetё”.
“Jo. Nuk e di vetё, derisa gabon”.
“Unё gaboj?! Ti gabon. Nё fillim desh humbe kartat e imbarkimit. Pastaj telefonin. Pastaj drejtimin. Mё pas do humbёsh edhe kokёn”.
“Ore do ta mbyllёsh gojёn ti! S’ta lejoj, kuptove”!
“Nuk e mbyll”! ulёriti ai.
“Mbylle ore gojёn se na vjen turp! S’ke faj ti. Pёrfiton nga fakti se ne jemi tё civilizuar. Tё ishe ti fёmijё nё kohёn time, do tё zhdёpeshe nё dru”!
“Hё provoje. Ta shohim?! Shih sa i kam muskujt”!
Shtrembёrova turitё duke lёvizur kokёn. Po e shihja nё sy.
Mbas shamatёs, binte pёrherё njё qetёsi e sikletshme. Mbushur me tension, fjalё tё pathёna, mёri tё pa sqaruara. Nё heshtje, gjithkush zhytur tek celulari i vet, fillonim tё kridheshim nёpёr botёt tona fare tё ndryshme. Nuk dija ç’tё bёja. Tё shihja kanalet e tv-sё britanike, tё eksploroja hartёn pёr tё gjetur vende dhe muzeume pёr t’i parё ditёn tjetёr, apo thjesht, t’i hidhja njё sy fotografive tё bёra ndёrsa pija njё birrё tё ftohtё. Po shihja fotografitё nё celular. Royal Albert Hall. Albert memorial. Kesington Gardens, Paddington. Notting Hill. St. James Park. Westminster, Tower Bridge.
Apartamenti ishte aq i ngrohtё, sa natёn, i mbushur nё djersё, ecja nё errёsirё dhe hapja dritaren qё tё hynte pak ajёr i freskёt. Do tё dёshiroja tё kisha njё mbulesё disi mё tё hollё, jo atё jorgan aq tё rёndё, si pёr tё mbuluar njё siberian nёn dёborё. Shkova tё ul kondicionerin, por si tё gjitha sistemet angleze, edhe ai ishte krejt nga e kundёrta. Nё vend qё ta ulja, e ngrita mё keq.
Njё darkё, kur dolёm tё tre nga restoranti me kupolёn e xhamtё tё British Museum, vera e kuqe mё kishte sjellё disi nё qejf. S’isha i dehur, thjesht kisha ardhur paksa nё qejf dhe piklat e ftohta tё shiut po ma gudulisnin kёndshёm lёkurёn. Ecja si pёrçart, i dehur ca nga vera, ca nga vezullimet plot ngjyra dhe eleganca e rrugёve tё Londrёs. Kisha rrokur prej qafe djalin. Duke ecur, po qeshnim duke treguar qyfyre. Pak mё tutje, krejt e mbuluar me pellushin e saj tё zi, po ecte ime shoqe. Zhurma e makinave, boritё, era e freskёt e darkёs, aromat e pemёve, hapat e njerёzve pa fund, gjithçka po bёhej gjithnjё edhe mё interesante.
“Sa bukur qё jemi tё tre kёtu”.
Djali nuk foli.
“Pushimet i bёjnё aq mirё familjes. E forcojnё! E shёndoshin”.
“Ça dreq pushimesh janё kёto, ne po bёjmё nga 15 kilometra nё ditё duke ecur”.
“Ashtu quhen. Pushime”, ia ktheva unё.
“Po. Pushime aktive”. Pastaj ia dhashё prap: “Sa bukur. Mё nё fund po komunikoj edhe me ty. Ti kohёt e fundit s’bёje gjё tjetёr, veç se mbylleshe nё dhomё dhe humbeshe nё celular. Ndaj ishe shumё larg, edhe pse ishe fare afёr nesh! Pse, jetё ёshtё kjo”?
“Po. Po. Ti, po ti? Mos pi kaq shumё. Atё bёj”!
“Unё po pij shumё?! Dy gota me verё piva”!
“Po mua pse s’mё lё tё pi”?
“Kur tё mbushёsh moshёn do tё pish edhe ti. Do tё pish sa tё zhdёpesh. Do tё dalёsh me vajza tё bukura. Ehu. E tёrё botё do jetё e jotja. Ç’t’i bёj vetes time unё, qё u thinja”!
“Po pra. Ja pse tё thёrras plak-o”.
“Mirё! Ti shyqyr mё thёrret kёshtu. Ka qё mё thёrrasin xhaje”, thashё dhe u shkriva gazit, duke parё nga im shoqe. Ajo ktheu kokёn dhe buzёqeshi. Ishte njё buzёqeshje e ёmbёl, e dlirё, e bukur. Njё buzёqeshje ku kishte lumturi dhe mirёnjohje.
“Sa mirё, pёrsёrita, sa i lumtur qё jam kёtu me dashuritё e mia”.
Kur morёm avionin e kthimit, mbas 9 ditёsh, po e ndjeja se kisha rёnё nё dashuri me qytetin. Ёshtё e çuditshme, sepse qyteti, me bulevardet, me ushqimin, me aromat, me dritat, me kopshtet, me pallatet madhёshtore, me lumin dhe urat, nuk flet. Ai nuk ka zё. Nuk shqipton asnjё fjalё dashurie. Por megjithatё, ai tё flet mё shumё se ç’duhet. Tё flet me mijëra fjalё magjike.
Ulur tek sedilet e avonit, po lodhesha disi duke pritur radhёn pёr fluturim. Avonёt rrinin nё pritje njёri mbas tjetrit. British airline. Vouling. Ryanaire. Airfrance. Emirates… Erdhi mё nё fund edhe radha jonё.
“Mi jep kufjet tё lutem”, i thashё djalit.
“I dua vetё”.
“I do vetё?! I ke mbajtur gjithё kёto ditё. Mi jep tani. Janё tё miat”.
Mi dha fare pa dёshirё. “Veç pёr 10 minuta”, mё tha.
“Veç pёr 10 minuta”, ia ktheva.
Aeroplani ynё, gjigand, si njё pёrbindёsh i bukur, krenar dhe i pamposhtur, filloi dhe lёvizi me njё uturimё tё mbytur. Pak nga pak, por gjithnjё edhe mё i bindur. Vura kufjet dhe fillova tё dёgjoj tingujt e njё kёnge qё e adhuroja. Edhe pёrzgjedhja e njё kёnge sipas humorit tё shpirtit, ishte pёr mua njё art mё vete. Çdo gjendje shpirtёrore, kishte nevojё pёr njё tingull tё tijin. E dija me saktёsi ç muzikё i nevojitej shpirtit tim nё ato çaste. Ishte njё ndarje nga njё dashuri e bujshme, plot vrull, plot aroma, ngjyra, tinguj. Ndaj mё duhej njё muzikё agresive, e fuqishme, por gjithashtu edhe romantike. Plot tinguj qё tё ta zbusnin shpirtin dhe tё stimulonin lotёt. Ah lotёt e lamtumirёs.
Ndarja filloi tё marrё ca ngjyra romantike, tё cilat, e dija, do tё mё bёnin tё lotoja. Vura ballin e nxehtё tek xhami i dritares. Ishte i ftohtё akull. Uturima e motorrave u shtua. Tani dukej si tё ishte rёnkim pёrbindёshi tё errёt, tё frikshёm, tё pamposhtur. Gjithçka pёrreth dridhej fort. Edhe zorrёt po mё dridheshin. E ndjeva uturimёn e motorrёve deri nё shpirt. Si njё tronditje ekzistenciale. Muzika po ma zbuste shpirtin krejt. Mё dukej sikur po ndahesha me tё dashurёn, mbasi kishim kaluar sё bashku orё plot zjarr pasioni. Oh mirupafshim vend pёllumbash. Mirupafshim bulevarde, drita, madhёshti pa fund. Mirupafshim, restorante, muze, kopshte pa skaje, ketrusha, pata, rosa, zogj tё qiellit. Mirupafshim mjellma qё nuk munda t’iu shoh dot, shatёrvane madhёshtore, obeliskё, statuja gjigande.
Avioni filloi tё ngrihej. Muzika ishte nё kulmin e fuqisё saj. Ç’ishte muzika vallё? Ishte ajo si njё shpirt qё ulёrin. Ndoshta vetё tingulli i panjohur i heshtjes sonё. Njё shkulm energjie qё trand kordat e padukshme tё gjoksit. Njё vibrim energjie brenda heshtjes ulёritёse.
Avioni tani po fluturonte si njё shqiponjё krenare, mbi copёzat e parcelave tё dheut qё kishim lёnё tutje. Mirupafshim vend i mrekullueshёm. Rrugё pa fund, bulevarde, shtёpi, kangjella, ballkone llozha, zhytur nё heshtjen e bardhё. Pemё, parcela, hapёsira bari tё gjelbёr nё gri. Tashmё gjithçka filloi tё bёhej e vogёl. Sa mё shumё avioni ngrihej, aq mё shumё unё ndihesha i plotfuqishёm. Pastaj u zhytёm nё grinё e reve. U zhytëm nё ёndёrrёn e jetёs dhe mё dukej se ende po flija nё gjumё.
Pamja ishte krejt surreale. Tutje dielli nё perёndim ishte shkrirё mes reve tё bardha nё gri. Vargmalet e reve rrinin nё sfond, krenare, sunduese, tё pamposhtura. Pranё nesh, shtrihej njё hapёsirё e rrafshёt resh, e cila shёmbёllente me njё fushё gri, tё mjergullt, plot avuj, tym dhe ujё. S’arrija ta kuptoja, por mё intrigonte aq shumё.
Mё duket se gjithçka, nuk ishte mё jeta reale. As ёndrra, por as edhe zhgjёndrra. Ndaj unё, se dija, nёse mё duhej tё zgjohesha, apo mё duhet akoma tё rrija kredhur nё gjumin e jetёs?! Nё gjumin e Londrёs.