Luan Rama: Ali Demi dhe antifashizmi i çamëve në luftën çlirimtare
Ishte një nismë e mrekullueshme e Fondacionit “Çamëria – Hasan Tahsin” dhe presidentit të saj Alket Veliu të përkujtonte me rastin e fitores mbi fashizmin dhe nazizmit rënien e Heroit të Popullit Ali Demi, duke përkujtuar njëkohësisht kontributin e madh të çamëve në luftën e madhe nacional-çlirimtare për çlirimin e Shqipërisë. Isha i nderuar të prezantoja me këtë rast dhe librin tim “Pranvera dy hapa afër” mbi heroin e Popullit Ali Demi ku përshkruhet edhe ai kontribut i çamëve në këtë luftë për çka dhe folën me fakte historike mjaft historianë e shkrimtarë të njohur si B. Kuçuku, K. Kristafi, E. Kushi, B. Gaçe, B. Zotaj, E. Reçi, A. Nezha, L. Demi etj, ku përmes fakteve historike u vu në dukje kontributi i çamëve, i çetës dhe batalionit çam në vitet 1943-1944 të cilët luftuan jo vetëm në jug të Shqipërisë, por dhe në krah të formacioneve greke EAM në të dyja anët e kufirit kundër pushtuesve nazistë. Ky kontribut i madh i harruar enkas pas luftës nga qeveria shqiptare por dhe i zhdukur nga tekstet e historisë së sotme greke, duhet që përmes botimeve, librave, filmave, teksteve të përbashkëta shqiptaro-greke, të evidentohet në dritën e historisë si një kontribut i përbashkët i dy popujve. Me nismën e Akademisë së Shkencave do duhej që historianë shqiptarë dhe grekë ta kishin këtë si një temë studimi dhe konference të përbashkët në Athinë apo në Tiranë. Në librin “Pranvera dy hapa afër” ndër të tjera shkruaj: “Në pranverën e vitit 1944, në Qeramicë u krijua batalioni IV ‘Ali Demi’, me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri menjëherë në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke, (EAM), ku çamët luftuan krahas partizanëve grekë, në kuadrin e ushtrisë çlirimtare greke. Ishte i rëndësishëm krijimi i një aleance mes partizanët grekë e shqiptarë kundër ushtrisë gjermane që po tërhiqej nga Greqia. Kjo do mundësonte që pas mbarimit të luftës, çështja e Çamërisë të zgjidhej në frymën e miqësisë dhe të solidaritetit internacional. Gjatë luftimeve të zhvilluara në rrugën Janinë-Gumenicë, Koskë, Smartë e Lopës si dhe në Mallun, ranë trimërisht dëshmorët Muharrem Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husa Vejseli, etj…”. Gjaku i rënë në luftë nuk mund të zhbëhet, masakrat e tmerrshme të nacionalistëve grekë për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët nuk mud të harrohen. Historia mbetet gjithnjë histori!
https://gazetadielli.com/ali-demi-dhe-antifashizmi-i-cameve-ne-luften-clirimtare/