Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Kujtimi më interesant i ditës së çlirimit në Kosovë

 

Për mua është nisja e një numri të madh shqiptarësh të Kosovës për në shtëpitë e tyre. Megjithëse autoritetet e NATO-s kishin paralajmëruar popullsinë që ishte dëbuar nga Kosova të mos nxitojnë pa u sistemuar trupat e KFOR-it në Kosovë për të shmangur minat e vendosura në kufi, e rreziqe të tjera të rrugës.

Mirëpo, njerëzit ishin kaq të gëzuar sa nuk pritën. Aty ku ndodheshin, në Shqipëri, Maqedoni, apo Mal të Zi, u nisën drejt kufirit të Kosovës. U nisën drejt shtëpive të tyre. U nisën në këmbë.

Sot, kur njerëzit janë mësuar të marrin makinën edhe për të shkuar pesë rrugë më tutje në kafe apo për pazar, është harruar se “dikur”, jo edhe aq larg, 25 vjet, disa njerëz bënë mbi 100 kilometra në këmbë për të shkuar në shtëpitë e tyre.

Sot, kur sa e sa të rinj ëndërrojnë të jetojnë diku tjetër, nuk mund të mos kujtoj se si u nisën njerëzit mes minave për të hyrë në Kosovë, jo për të ikur.

Kishte një padurim, një dëshirë të çmendur për ta parë vendin pa serbë. Pa pushtues. Pa frikën e kërcënimin e pushtuesit. Për të parë atdheun e lirë. Ashtu si kishin premtuar se do ta shihnin një ditë, por që thellë thellë sa e sa vetë kanë vrarë mendjen nëse do të ndodhte vërtet ndonjë ditë.

Çfarë hëngrën e pinë këta njerëz në rrugën e tyre të gjatë drejt shtëpisë? Çfarë i mbajti në këmbë? Të shkon mendja se njeriu që thith për herë të parë ajrin e lirisë i sfidon ligjet e natyrës, nuk ka nevojë për asgjë tjetër se i jep energji gëzimi e kurioziteti për ditën e re.

Vetëm mobilizimi e entuziasmi i madh që sjell liria e shumëpritur i jep zemër një populli që të shohë përtej varreve masive që u zbuluan, shkatërrimeve dhe djegieve masive që gjetën, numrit të të humburve e shkretimin që la lufta e tërbimi i humbësve.

Në harkun e pak viteve u rindërtuan kaq shumë shtëpi e rifilloi kaq me vrull jeta sa u bë e vështirë të imagjinoje se nuk kishte qenë gjithmonë kështu.

Ngjarje të tilla ndodhin rrallë në jetën e njeriut. Madje edhe në jetën e një kombi. Sa e sa shqiptarë të Kosovës do të kishin dashur të niseshin nga një kohë e botë tjetër për të ardhur e për ta parë me sy atë që nuk jetuan dot që ta shohin.

Breza, jo më pak trima, e jo më pak të mençur, erdhën, vuajtën, sakrifikuan, e ikën me zemër të vrarë. Nëse ka një jetë tjetër e kanë parë nga larg çfarë ka ndodhur, janë ngushëlluar e janë çliruar. E nëse, jo, atëhere jetojnë si peng e përgjegjësi mbi supet e brezave të sotëm në Kosovë që të mos shpërdorojnë mundësinë e madhe që erdhi në kohën e tyre.

Në mënyrë shumë domethënëse, në 10 qershor, në ditën kur Kosova festonte 25-vjetorin e kapitullimit të Jugosllavisë që pranoi lënien e Kosovës në duart e NATO-s, në Tiranë, në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt një seancë përkujtimore për 80-vjetorin e genocidit në Çamëri. Mes pjesëmarrësve kishte edhe një numër të moshuarish të mbijetuar të spastrimit të tmerrshëm etnik të asaj kohe. Njerëz që erdhën në këmbë si fëmijë, dhe nuk patën një udhëtim kthimi. Ecën në këmbë e rrugës humbën prindër, vëllezër, e motra, të afërm e të njohur. Ishin mbledhur atë ditë për të vrarë harresën e për të mos u dorëzuar në kërkimin e të drejtës.

Shqiponja e flamuri kombëtar që ishte shpalosur në sallën e Kuvendit, e kishte njërën kokë të kthyer nga Kosova ku festohej çlirimi e tjetrën nga Çamëria që ende pret ata që ikën rrugës së kalvarit të larë me gjak e lotë.

Një kujtesë e madhe se edhe fatet e një popullit të vetëm nuk janë njësoj, se historia mund të jetë mizore ashtu sikurse mund të jetë fatlume, e që duam apo nuk duam ajo nuk mbaron kurrë. Ka thënë dikur Martin Luther King Jr se harku i universit moral është i gjatë por kthehet në anën e drejtësisë. Rrezet e diellit që lindi 25 vjet më parë nga verilindja e atdheut tonë, u zgjatshin e u zgjatshin, deri në Prevezë.

https://www.illyria.com/kujtimi-me-interesant-i-dites-se-clirimit-ne-kosove/

Please follow and like us: