Skicë humoristike/Naum Prifti: KU JE MOJ E DREJTË?
Skicë humoristike – botuar me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta
Sa herë vinte xha Sadedini në shtëpi, unë gëzohesha se ai qe një plak i mençur, nga ata që bartin me vete urtësinë popullore në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai kishte qejf të rrëfente ngjarje të lashta, të cilave u thoshte “iqaje” dhe unë kisha qejf të dëgjoja. Madje disa prej tyre i mbaja shënim, derisa një ditë vërejta se ishte mbledhur një tufë syresh.
Mes tyre është edhe rrëfimi “E Shtrembra dhe e Drejta”.
Sado që i përkisnin një gjinie “E Shtrembra dhe e Drejta” takoheshin rrallë, si disa kushërinj që s’e duronin njëri-tjetrin nga që nuk u puqeshin pipëzat. Kurrë nuk arrinin në një dyzen apo harmoni, sikurse i thonë sot.
Një ditë papritur u takuan para vitrinës së një hani luksoz, ku ishin sëritur tavat me turli lloj gjellësh për të ftuar klientët nga rruga. “E shtrembra” qe veshur mirë e mbathur me sqimë, e shëndoshë dhe buçkane dhe si gjithmonë ne qejf.
– Si je? – e pyeti “Të drejtën”. – Të shoh të brengosur.
– Ngordha për të ngrënë, – ia ktheu “E drejta”. – Askush nuk më fton, askush s’ka nevojë për mua…
Nga vitrina e hanit gjellët e mira ua bënin me sy dhe avulli përqark kundërmonte erë mishi dhe shish qebapi.
– Kthehemi këtu dhe hamë diçka, – e ftoi “E shtrembra”, duke ecur e para drejt derës së hanit.
– Nuk mundem, – i tha “E drejta”, – nuk kam asnjë metelik.
– Mos u merakos, se sot po të ftoj unë, – e qetësoi “E shtrembra”.
Ajo porositi dhe e mbushi tryezën me gjellë të shijshme dhe të shtrenjta ndërsa dëftente zotësitë e saj dhe manovrimet e saj të shkëlqyeshme. Midis të tjerash i tha se së shpejti do kishte rast të bindej edhe vetë si mund të hahej një dreke e mirë, pa patur asnjë grosh në xhep.
“E shtrembra” vërente klientët që paguanin në arkë. Sapo dalloi një klient që dorëzoi një kartëmonedhë të madhe u duk edhe më e qetë dhe vazhdoi të bisedonte me “Të drejtën”. Pas disa minutash, thërriti hanxhiun dhe i kërkoi kusurin.
– Çfarë kusuri? – u skandalizua hanxhiu. – Ju keni porositur dy herë dhe s’keni paguar asnjë herë!
– Kusurin shpejt! Mos na vono se nxitohemi! – i tha ajo me shumë seriozitet.
– A jeni në vete ti? Kjo as është parë dhe as dëgjuar. Të vijë tjetri të hajë mirë e mirë dhe pafytyrësisht të mëtojë edhe te holla, – bërtiste hanxhiu që filloi të nxehej aq sa dëgjohej deri jashtë në rrugë.
– Kusurin! – ngulmoi “E shtrembra”. – Dhe mos u bëj hajdut sikurse e ke zakon!
– Unë hajdut? – u tërbua hanxhiu. – Unë që e fitoj bukën me djersë duke qëndruar njëzetekatër orë në këmbë?
I tërhequr nga zhurma e madhe, një zabit hyri brenda në han dhe duke e ngritur zërin që të dëgjohej nga të gjithë pyeti se çfarë po ngjiste atje.
Të dyja palët parashtruan kërkesat e tyre ankimore. Njeriu i ligjit ngeli paditur cilën anë të merrte.
– Unë nuk gënjej, – ndërhyri “E shtrembra” për ta sjellë në anën e saj. – Ja, hape arkën dhe do të shohësh një kartëmonedhë me një cep mangët. Kartëmonedhën sapo ia dhashë dhe e mbaj mend nga shenja që ka.
Polici pasi e vërejti edhe veshjen prej zengjini të ankueses, urdhëroi të hapej arka. Me të parë kartëmonedhën me cep të këputur, u bind se e drejta ishte me klientin dhe urdhëroi t’i kthehej “Të shtrembrës” kusuri. Hanxhiu, i zemëruar në kulm, vuri duart mbi kokë dhe duke ngritur sytë nga qielli u përgjërua me shpirt:
– Ku je moj “E drejtë”? Ku je?
Aty ishte “E drejta”, por nuk mund të fliste se e kishte gojën të zënë me bukë!