Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: PIRAMIDA E HESHTJES DHE E VEPRIMIT

Të heshtësh dhe të veprosh do të thotë: që ai që hesht ka shumë fjalë për të thënë, por zgjedh të veprojë e të mos flasë. Gjuha e veprimit është gjuha e folur në heshtje. Këtë parim ndjekin ata që ndërtojnë piramida, ku heshtja zbatohet nëpërmjet veprave, brenda të cilave kamuflohet strategjia e planeve afatgjata, të cilat quhen të suksesshme nëse ruhen në mënyrë të vullnetshme por edhe të detyrueshme.
Muri i piramidës ndërtohet me skemën e heshtjes. Askush nuk di përmbajtjen dhe strukturën ku gdhendet heshtja, e cila zotëron në kohë vendime dhe strategji skematike që nuk zëvendësohen, as nuk deformohen, por ruhen në përmbajtje dhe në strukturë, duke iu përmbajtur kështu strategjisë së asaj mendje që nuk dekonspiron por vepron. Veprimet nuk përmbajnë heshtje, ato pasqyrojnë gjuhën e folur të saj.
Jetojmë në një epokë, ku guri përmendet si fillimi i jetës në tokë. Piramidat ende mbahen në ekzistencë nga guri, që do të thotë: se rëndesa e tij nuk nënvlerësohet nga koha, as nga epokat apo etapat që përfshijnë jetën njerëzore. Guri i piramidës nuk ka formë kafshësh, as njeriu, as të ndonjë gjallese tjetër, që do të thotë: se forma e tij përfaqëson formë unike, të vetme dhe të pazëvendësueshme, ndryshe piramida shëmbet duke mos e ruajtur forcën dhe fuqinë e saj.
Njeriu sot nuk mund të ndërtojë piramida ku mund të shpalosë dijen që përmban mister brenda vetes. Njeriu do të zhvillohet dhe do t’i përmbahet proçesit të zhvillimit të jetës së tij, por në atë formë dhe mënyrë, që nuk i përngjason piramidave të krijuara me formën dhe forcën e misterit.
Njeriu duhet të mësojë edhe të heshtë duke vepruar, edhe të veprojë duke heshtur. Në këtë mënyrë, puna e tij në përmbajtje, ndërton atë që quhet “piramidë” me forcën e qëndresës.
Qenia njerëzore është kthyer në “top” me të cilin luajnë të fortët, ata që dëfrehen duke ia pasuar njeri-tjetrit, por loja luhet brenda këtyre piramidave të heshtjes dhe të veprimit . Njeriu i shkretë ndjen dhimbje në të gjithë qenien e tij, në çdo gjymtyrë nga përplasjet, nga goditjet, nga talljet, nga pozicionimet, herë hidhet në ajër e herë zbret me vrull përtokë, herë shëmbet e herë përplaset për vdekje, e kur vjen koha e pushimit të lojës nuk di ku ka këmbët e ku ka kokën. Të shkretin njeriun-top, për të as nuk kujdesen se si ndihet se ku i dhëmb e ku i djeg, as mjekohet, as mëshirohet, por vetëm nënvlerësohet deri sa katandiset në gjendje mjerane për t’u hedhur tutje.
Ata, të zotët e piramidës nuk janë të ngjashëm me Zotin, por mendësia e tyre nëpërmjet heshtjes, tregon me vepër se duan ta sfidojnë Zotin, duke i treguar nëpërmjet lojës-veprim që kryejnë, se janë ata që sfidojnë, se janë ata që ndërtojnë, se janë ata që urdhërojnë, se janë ata që mund të ndryshojnë, se janë ata që komandojnë, dhe se janë ata që Zotin mund ta zëvendësojnë!
Guri nuk ka shpirt, por shpirti i piramidanëve është njëlloj me gurin. Ky simbol i bën të ndjejnë se janë zot të piramidave të heshtjes dhe të veprimit. Ky model po i ofrohet sot njeriut, të ndërtojë piramidën e vetvetes, brenda së cilës mund të dëfrehet e të jetojë me modelin e shpirtit prej guri duke injoruar ekzistencën e Zotit krijues që ndërton jetën me dashurinë për ta trashëguar me dashurinë.
Njeriu nuk lindi nga guri por nga dashuria. Njeriu nuk mund të jetojë me shpirt të zbrazët por me dashurinë, e cila prodhon jetë dhe trashëgon jetë. Guri mbetet gur, por dashuria nuk është gur që sundon shpirtin e njeriut. Mendjet e mbrapshta nuk mund të ndryshojnë dot ligjin e jetës në krijim!
Mbajeni dritën ndezur, që të shihni udhën ku duhet të ecni për të mos u gremisur! Amen.
16 Qershor 2024.
Please follow and like us: