Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: TRËNDAFILËT…

 

Tregim

 

Shitësi plak

Me origjinë italiane nga familja, por i rritur në New York dhe më pas i zhvendosur në jug pranë brigjeve të disa qyteteve të shtetit të Floridës, ai punonte shitës dhe ishte afër të 70-ve. Një ditë e zakonshme pune, atë e gëzonte dhe e mbante gjallë, pavarësisht lodhjes që ndjente herë pas here. Ai kishte një trup të imtë, mjaft elegant dhe me një kurriz pak të kërrusur. Mbante gjyslykë xhami pas të cilave qëndronin sy të lodhur, por ende të gjallë dhe plot kërshëri. Pas mustaqeve dhe flokëve të drejtë gjysmë të thinjura dalloheshin vitet e moshës dhe respekti që ato impononin sidomos tek klientet që e njihnin. Ai tregonte kujdes në trajtimin e mallit që kalonte nëpër duart e tij të imta dhe llogaritjet për kthimin e monedhave. E mbyllte komunikimin me njerëzit me ndonjë shaka të lehtë, por pa humbur sensin serioz. Kur ndonjë klient e pyeste ose kërkonte të dinte më shumë për mallin që do të blinte, ai tregonte vëmendje të madhe dhe bënte shpjegimin e duhur. Punën e tij e njihte dhe e donte mjaft. Makina e tij ishte ‘Ferrari’ e njëzet viteve më parë. E vogël në ngjyrë vishnje ‘Ferrari’ i tij e dërgonte dhe e kthente nga puna në drejtim të lagjes, ku banonin mjaft amerikanë me origjinë italiane. Si një showman i vërtetë në pamje, ishte e çuditshme se ai nuk e njihte italishten, pasi babai i tij mjaft i ri i ardhur në vitet e fillimshekullit të kaluar ishte martuar me një vajzë irlandeze, e cila nuk kishte mundur të mësonte italishten. Ai u rrit në një lagje në Nju York ku anglishtja ishte dominante. Profesionin e mekanikut, të cilin e fitoi në ekipin e Formula Uno së qytetit, i rriti dashurinë për ‘Ferrarin’, si i vetmi simbol që ruante nga prejardhja italiane e familjes së babait. Emri i tij ishte Hank.

Vajza e shqetësuar dhe trëndafilët

Në supermarketin kryesor të qytetit gjatë gjithë vitit hynin e dilnin konsumatorë të të gjithë moshave, gjinive dhe racave. Ai ishte mjaft popullor pasi vazhdimisht bëheshin oferta me ulje çmimesh, por edhe variante të ndryshme blerjesh. Për ditët e ditëlindjeve konsumatorët kishin mundësi blerjesh pa pagesë të mjaft mallrave, mjafton që të ishe anëtar i këtij supermarketi me emër pothuajse në të gjithë Amerikën. Në turmën e madhe të njerzëve që hynin e dilnin ishte edhe një vajzë, e cila vinte vazhdimisht për blerje. Njohja me Hank ishte një surprizë për të. Ishte zëri i tij i ëmbël plot dhemshuri e kujdesje, kur ajo e dëgjoi për herë të parë. Ajo ishte duke parë numërat aktiv të kashierëve dhe papritur dëgjoi fjalët: – “Mund të vini këtu për të bërë pagesën, nëse dëshironi”.

Ajo ktheu kokën dhe pa syzet e tij, që xixëllonin nën ndriçimin e fortë të llampave dhe një palë sy të qeshur. Ajo u drejtua e çliruar në vendin ku bëhej skanimi i produkteve. Ai veproi shpejt me makinën elektronike dhe në fund pasi ia mbështolli produktet me një çantë ja drejtoi asaj. Ajo i buzëqeshi për elegancën e tij dhe mbi gjithçka për kujdesin e shpejtësinë e treguar. Ajo sikur u manjetizua nga veprimet e shkathta që tregohej aty nga të gjithë dhe vetë pa u menduar gjatë lëvizi shpejt në drejtim të daljes duke e falenderuar. Por nuk bëri dy hapa dhe dëgjoi përsëri zërin mjaft paqësor të shitësit plak: – “Vajzë kthehuni ju lutem se keni harruar kartën tuaj bankare në makinën e llogaritjes”. Ajo ndjeu se ishte hutuar dhe u skuq në fytyrë. Duke  buzëqeshur me habinë e vetë i tha: “ Faleminderit shumë zotëri”.

Që nga ajo ditë ajo skanimin dhe pagesën e bënte tek numëri dhjetë, ku qëndronte zakonisht plaku Hank. Në fakt ishte jo vetëm prania e plakut, që asaj po i pëlqente të blinte aty. Mjedisi festiv i çdo dite në këtë market e bënte të ndjehej mirë duke mbushur një boshllëk shpirtëror, i cili vinte që nga feminia e saj e brisht plot ngjarje të hidhura. Ndarja e prindërve dhe humbja e gjyshërve pesë vjet më parë i kishte sjell vetëm trauma dhe dëshpërime. Ajo kujtonte vazhdimisht humbjen e gjyshërve pas një sëmundjeje të çuditshme. Ajo tani rronte vetëm me mamanë e saj, e cila punonte tërë ditën në një fabrikë për prodhimin e veshjeve speciale të austronatëve dhe pajisjeve për kozmosin. Të ardhurat ishin të mjaftueshme, por megjithatë krahas shkollës që ndiqte kishte filluar punë në një dyqan të vogël, ku përgatitej ushqim për udhëtarët. Me marketin e madh e lidhte jo vetëm afërsia, por edhe mjaft produkte që i nevojiteshin duke ndihmuar mamanë për blerjet ditore apo javore.

* * *

Kishte kaluar Shtatori dhe veriorët, por edhe nga jashtë Amerikës vinin turistë të shumtë për të jetuar muajt e dimrit në të ngrohtën që të ofronte klima tropikale…

Një ditë shitësi plak nuk erdhi në punë. Vajza si çdo ditë vinte pothuajse në të njejtën orë për të bërë blerje. Ajo u kthye e mërzitur që nuk e pa atë.

Ajo erdhi si çdo ditë gjatë gjithë javës në vazhdim, por nuk e pa më plakun Hank. Ajo pyeti ditën e premte tek një nga punonjësit dhe mësoi se ai ishte i sëmurë dhe ndodhej në spital.

Tek sporteli në spital nuk e lejuan. Ajo la aty një buqetë me lule dhe një greeting card me një detikim: “Pres të shoh sa më shpejt në dyqan…”. Ajo hodhi firmën e saj pa vendosur emrin, por dy inicialet E.J.

Ditën e hënë fill pas tre javësh mungesë Hank paraqitet në punë. Ai kishte harruar gjithçka kishte ndodhur në spital dhe gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij, pranë familjes.

Rikthimi në dyqan dhe kontakti i përditshëm me klientët e rrëmbente me pasionin për bisedat dhe historitë që dëgjonte. Vajza erdhi edhe ajo atë ditë, por atij nuk i ra në sy pasi kishte mjaft njerëz. Ajo qëndronte nga larg përtej rafteve dhe shikonte siluetën e tij, lëvizjet e duarve, mënyrën se si bisedonte, reagimin me njerzit, një pjesë e të cilëve ai i ritakonte pas kaq kohësh, pasi ata ndoshta ishin edhe miq e klientë të vjetër. Ajo shikonte nga raftet dhe sikur i ishte mbushur i gjithë supermarketi me një hare të veçante dhe muzika që përhapej në sfond i jepte një kënaqësi lumturie. Ajo morri ato pak ushqime që kishte menduar dhe ju afrua rreshtit të njerzve, që qëndronin pranë kasës numër dhjetë ku ishte Hank.

Këmbët nuk i bënin shumë përpara me hapa të vendosura. Zemra filloi t’i rrihte dhe shportën me ushqime që mbante në dorë nuk e shikonte me vëmendje. Ajo kishte ngulur sytë mbi krahët dhe duart e tij që punonin me shkathtësinë e asaj dite që e kishte njohur. Ishte pikërisht ajo ditë që e kishte tronditur, shqetësuar dhe ajo ndërkohë shumë shpejt erdhi momenti të ndodhej përballë me të, pas gati një muaj. Ajo e shikonte vetëm tek duart që i lëviznin dhe në një çast ngrit pak kokën dhe e pa në sy. Fytyra e tij shkëlqente dhe balli i lartë me flokët e krehura bukur i jepnin hijeshin e një burri fisnik të shlodhur dhe të ripërtërirë. Ai buzëqeshi pak dhe i tha:

– Jeni gati për pagesën?

– Po, – tha ajo dhe uli sytë dhe një hije tensioni u duk në fytyrën e saj, një rrudhje e lehtë e ballit të saj të bardhë si dëbora. Ajo ngrit pak baluket që i kishin prekur vetullat e zezë dhe pasi tundi pak kokën, tha disi më e qetë: – Po po, – përsëriti ajo duke u përpjekur për të nxjerr një kartë nga këllëfi i celularit që kishte në dorë.

Ajo ndali pak sikur nuk po gjente kartën bankare dhe u vonua. Por, atij nuk i bëri përshtypje pasi kjo ndodhte vazhdimisht me blerësit, sidomos me moshat e thyera. Ajo bëri pagesën dhe hodhi sytë nga plaku me një vështrim pak të zgjatur, por nuk arriti të dallonte ndonjë gjë tek fytyra e tij. Asnjë ndryshim. Ajo nuk po largohej ndonëse lëshoi vendin për blerësin e radhës. Ishte një ditë para Ditës së Falenderimeve dhe marketi i madh ishte i mbushur plot si asnjëherë. Ajo u largua e mërzitur pasi nuk pa tek shitësi asnjë reagim, asnjë shenjë që ai të dyshonte të paktën, nëse ishte ajo vajza që i kishte dërguar trëndafilët? Ajo iku drejt makinës së saj e rrënë thellë në mendime. Kur u ul në sediljen e makinës dhe pa fytyrën e saj të mërzitur në pasqyrë i tha vetes: “Sa budallaçkë që jam, po si mund të reagonte ai, kur ajo nuk ishte prezantuar kurrë me të”?! – ndezi motorrin e nissanit dhe nxitoi në rrugën e palmave drejt shtëpisë.

Pas Ditës së Falenderimeve dy ditë më pas vajza shkoi e bleu si zakonisht gjërat që konsumonte për ditë, por ndërkohë u kthye tek këndi i dyqanit ku kishte blerë tufën me dy trendafilë të kuq dhe një të bardhë. Ajo nxitoi ti blejë ato dhe më pas bleu edhe greeting card. Gjeti një stilolaps dhe shkroi me gërmat e njejta fjalët: “Gëzohem që ju shoh përsëri. Faleminderit që shërbeni për ne”. Ajo hodhi firmën pa vënë emrin, por dy inicialet E.J.

Tek kasa numër dhjetë ajo vendosi buqetën më lule, dy trëndafilët e kuq dhe një të bardhë.

Plaku pa lulet dhe pas tyre një letër shënim. Duart e vajzës e hapën me një druajtje të madhe. Ai lexoi fjalët dhe ndali ritmin e tij të punës. Ai e afroi më afër kartën, rilexoi shënimin dhe me nxitim nxorri nga xhepi i brendshëm një zarf letër dhe i bashkoi pranë. Ishin të njëjta. Ai ngriti kokën, por vajza ishte duke ikur me nxitim. Njerëzit pranë u bëri përshtypje reagimin e shitësit dhe nuk po merrnin vesh asgjë.

– Vajzë keni harruar greeding card tuaj këtu, – ngriti zërin ai. Ajo e dëgjoi, por i tha: “Ju lutem mbajeni aty se do të vij ta marr pas pak”.

Vajza nuk u kthye më atë ditë. Hank mbeti i çuditur! Nuk po kuptonte ç’po ndodhte.

Kaluan disa ditë dhe vajza nuk u duk më tek dyqani. Njerëzit vazhdonin të vinin dendur në këtë kohë pasi ishte periudha e ardhjes nga veriu i ftohtë në qytetet bregdetare të ngrohta të Floridës.

Kaluan dy-tre ditë dhe plakut i kishin mbetur në xhep të bluzës së tij dy zarfet me dy greetings cards, të cilat kishin të njejtin shkrim dhe që dallohej lehtë se ishte bërë nga e njejta dorë. Ai në një moment pushimi kujtoi skuqjen e fytyrës pak të nervozuar të vajzës dhe fjalët: – Do të vij pas pak! Por ajo nuk u duk më.

Por, kaluan disa ditë dhe pas një jave në median e qytetit të vogël bregdetar u dhane njoftimet e kronikës së zezë dhe aksidenteteve që kishin ndodhur gjatë javës. Në shtypin që vinte çdo mëngjes në supermarketin e madh, Hanku pa fotografinë e vajzës brune, e cila kishte pësuar aksident me makinë. Në foto dukej trupi i shtrirë i vajzës në sediljen e makinës dhe tre trendafilët bashkë të rënë mbi gjoksin e saj pranë timonit. Kjo foto ishte përhapur mjaft në internet, ku fytyra e saj brune ishte pranë dy trëndafilëve të kuq dhe një të bardhë. Emri i saj ishte paraqitur me inicialet E.J. Ai e shfletoi me rrëmbim gazetën dhe lexoi shkrimin e plotë. “…përplasja në një pemë pranë varrezave të qytetit ishte shkaku i aksidentit. Viktima që po lufton me vdekjen kishte pesë ditë në reaminacion”.

Kthimi i trëndafilëve…

Ai vendosi trëndafilet në një qese transparente të lidhur me një fjongo dhe i rehatoi tek sedilja e pasme e Ferrarit. Psherrëtiu thellë dhe u nis për në spital. Në hyrje personeli i shërbimit e ndaloi duke e pyetur se çfarë e lidhte me vajzën që ndodhej në reaminacion.

– Asgjë, – tha ai dhe priti në heshtje recepsionistin, i cili po fliste në telefon mjaft gjatë me dikë. Ai shtrëngonte trëndafilët dhe një dosje të vogël.

– Nuk lejohet të hyni zotëri – gjendja e saj është përmirësuar dhe sapo e kanë nxjerr nga dhoma e emergjencës.

– Unë nuk do të qëndroj vetëm dua ta shoh nga larg dhe ti lerë këto,  – shtoi plaku Hank duke i treguar trëndafilët. Recepsionisti foli përsëri me dikë në telefon. Pastaj pasi tregoi dokumentin Identifikimit personal plaku u pajis me dokumentin e lejes për një qëndrim të shkurtër në spital.

Para derës me xham dukej qartë krevati dhe vajza e shtrirë. Ajo flinte dhe pranë ishte një grua.

– Ju jeni zoti Hank? – dëgjoi zërin e një burri, i cili tregoi kujdes që të

mos dëgjoheshin fjalët e tij pas në dhomën ku ndodhej vajza me gruan. Plaku ktheu kokën i befasuar nga zëri prapa shpine dhe gati gjysëm i përlotur siç ishte u përgjegj pa vemendje tek ai që i qëndronte pas, por sytë vazhdonte ti kishte tek gruaja dhe vajza e shtrire! Pamja e krevatit dhe vajzës në sytë e plakut të pashëm shtatëdhjetvjeçar u turbulluan, kur ato u zëvendësuan nga një kartë dëshmie që kishte emrin e personit si hetues i FBI-së.

– Jam hetuesi i çështjes për aksidentin në fjalë zotëri, – vazhdoi zëri i burrit pas shpinës së tij. Plaku ktheu kokën dhe pa një burrë të gjatë elegant i veshur me kostumin terital të zi dhe me kollare, i cili i buzëqeshi formalisht.

– Pse ndodheni këtu pikerisht tani që vajza është më mirë dhe mund të na tregoj gjithçka? – vazhdoi i qetë dhe i shtruar zëri i hetuesit të FBI-së.

Plaku u trondit sa që mbeti sa i gëzuar për këtë lajm të fundit, por po aq i shqetësuar për praninë e një personi të tillë.

– Çfarë lidhje keni ju me vajzën? – vazhdoi hetuesi dhe ndërkohë u ndje që doktori i shoqëruar me një infermiere hyri në dhomën me xham të vajzës.

Gruaja që ishte brenda doli nga dhoma dhe u ndesh me plakun dhe hetuesin! Ajo sapo pa plakun e lodhur siç ishte klithi: – Uau! Dhe sa nuk po rrëzohej në tokë. Por, hetuesi i vëmendshëm e mbertheu nga krahu dhe e përmendi duke i thënë: – Zonjë çfarë keni?!

Ajo u përmend dhe sikur të kishte dalë nga errësira e një tuneli në dritë të fortë filloi të fërkoi sytë dhe të shikoj me habi plakun që mbante akoma trëndafilët në dorë. Ajo u afrua më afër dhe pasi e vështroi akoma më mirë i tha:

– Oh zotëri më falni po ju i ngjani mjaft babait tim. Mu duke komplet si ai.

Hetuesi po dëgjonte me vëmendje ndërsa sytë papritur të gjithëve shkuan tek doktori, i cili bëri një lëvizje të papritur. Ai i beri një gjilpërë qetësuese vajzës, e cila në ato çaste filloi të lëvizte e të shqiptonte fjalët me ndërprerje të shumta: “Gjysh… gjysh… ja po vij… po vij… trëndafilët po ti sjell… gjysh, gjysh….”.

Zëri i vajzës u dobësua shumë dhe të gjithë nuk dëgjonin më asnjë fjalë. Vetëm aparatura e matjes së tensionit dhe oksigjenit pulsonte duke treguar rrahjet e zemrës. Mjeku ju drejtua të treve që ishin tashmë pranë vajzës në dhomë. – “Mos u shqetsoni nga fjalët që thotë. Kondicioni i saj fizik është në parametrat e duhur dhe tashmë i ka mjaft stabël. Ajo sot do të zgjohet nga momenti në moment. Vetëm ju lutem respektoni rregullat e vendosura”.

Ai buzëqeshi dhe u largua i qetë. Ata të tre filluan të shikonin njeri-tjetrin. Plaku Hank po turbullohej tej e më tej. Ai nuk po kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe çfarë po ndodhte. Iu morrën mend dhe për pak ishte duke u rrëzuar. Hetuesi e dërgoi plakun në një kolltuk që ndodhej në paradhomë dhe e qetësoi duke i dhënë ujë nga një shishe.

– Më thoni zotëri pse u shqetësuat kaq shumë?!

– Nuk e di zotëri po më duket se jam bërë unë shkaktar që ka ndodhur kjo gjë e keqe. Para një muaj kam qenë unë në spital këtu, por jo për çështje aksidentale. Bëra një operim. Kur jam përmendur unë kam gjetur një buqetë me lule si kjo që kam në dore dhe nje greeting card.

Ai hapi dosjen e vogël që kishte në dorë dhe i tregoi hetuesit atë me shënimin që kishte bërë vajza.

Ai ndaloi pak dhe pasi u kollit me sytë e përlotur nxorri edhe greetings card e dytë. Ja tregoi hetuesit dhe mamasë së vajzës, të cilët kishin hapur veshët dhe shqyer sytë nga fjalët e plakut.

-Ndërsa këtë greeding card ma dha para një jave kur erdhi tek supermarketi ynë. Atë ditë kishte mjaft njerëz dhe ajo nxitoi bleu lulet mi dha mua për t’i skanuar e për të bërë pagesën. Ajo më dorëzoi edhe më hapi para syve të njerzve këtë greeding card. Unë u befasova nga fjalët, të cilat ishin mjaft prekëse për mua. Kërkova që t’ja ktheja, por ajo më tha: “Mbajeni se do të kthehem e do ta marr”. Por ajo nuk u kthye. Ajo do shkonte tek gjyshi i saj në varreza prandaj ka ndodhur aksidenti aty pranë.

Ra një heshtje e thellë.

– Ja, kjo është arsyeja që jam këtu.

Gruaja shikonte herë plakun e herë vajzën e shtrirë. Ajo nuk po i besonte çfarë po dëgjonte…

Hetuesi ecte mbi tapetin e butë dhe në një moment ndali dhe tha: – Sipas fjalëve të tua mendoni se aksidenti ka lidhje me ju apo diçka më gjerë? Dhe dua të veçoj një detaj, pse janë në të tria rastet e blerjeve dy trëndafilë të kuq dhe një i bardhë? Mund të më japësh një shpjegim?

Hetuesi u ul në karrigen përballë plakut dhe gruas, e cila kishte rënë në mendime të thella. Ajo diçka lidhte me të kaluarën e para disa vjeteve dhe papritur shpërtheu.

-Shumë vite më parë pas divorcit tim, kur prindërit ishin akoma gjallë, dilnim në pushime larg pranë në Minnesota në liqenet pafund që janë aty. Enza ishte akoma e vogël dhe për të përmbushur mungesën e babait gjyshi i qëndroi pranë. Ai i mblidhte gjithmonë nëpër lëndinat buzë liqeneve tre trendafilët, dy të kuq e një të bardhë dhe i thoshte: “Dy të kuq jemi ne gjyshërit dhe i bardhi je ti”. Ata e rritën me kujdesin dhe dashurinë e tyre deri para pesë vjetësh kur vdiqën nga një sëmundje misterioze dhe e papritur.

Ajo uli kokën dhe ndjeu lotët. Pulsi i aparatit të kontrollit të rrahjeve të zemrës së Enzës ishte i qetë. Heshtja që mbërtheu dhomën dhe paradhomën nxirrte më në dukje këto rrahje…

 

Forida, Naples 17 Qershor 2024.

 

 

Please follow and like us: