Kosova dhe Izraeli nga 19 shtatori pa viza
Ministrja e punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla dhe ministri i punëve të Brendshme i Izraelit Moshe Arbel nënshkruan të martën në Prishtinë një marrëveshje për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë për në Izrael.
Marrëveshja për heqjen e vizave që pritet të hyjë në fuqi nga 19 shtatori i këtij viti sipas zyrtarëve vendas, do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Asnjëri nga zyrtarët nuk bënë komente gjatë ceremonisë së nënshkrimit, por ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, shkroi në rrjetet sociale se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve “është edhe një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës së Kosovës dhe një kapitull i ri në promovimin e shtetit, bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, zhvillimin arsimor të të rinjve si dhe realizimin e projekteve dhe nismave të përbashkëta mes qytetarëve dhe vendeve tona në të ardhmen”.
Ceremonia e nënshkrimit u bë gjatë vizitës së ministrit të punëve të Brendshme i Izraelit Moshe Arbel i cili gjatë ditës u takua edhe me zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha pas takimit me ministrin izraelit se vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet e nënshkruara në fusha e sektorë të ndryshëm, janë rezultat i zgjerimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit.
Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike gjatë një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, të organizuar nga ish presidenti amerikan, Donald Trump.
Të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021.
Kosova u bë vendi i parë evropian dhe vendi i parë me shumicë myslimane, që vendosi ambasadën në Jerusalem në vend të Tel Avivit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës.
Izraeli është vendi më i fundit që ka njohur pavarësinë Kosovën, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.