Albspirit

Media/News/Publishing

Për kujtim të djemve shqiptarë në 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Francë

Rafaela Prifti

Numri i atyre që shkuan në festimet përkujtimore të përvjetorit të 80–të të zbarkimit të aleatëve në Normandi është pakësuar. Ata janë më pak në numër por motoja e brezit më të lavdishëm “the greatest generation” nuk zvetënohet dhe kurrsesi nuk mund të humb. Janë ata burra, djem, gra e vajza që nuk e panë veten si heronj në asnjë shërbim a detyrë të tyren, në artileri, flotë detare, forcë ajrore, operatorë a
teknikë, të cilët thonë edhe sot e kësaj dite: “Ajo ishte koha jonë. Ne bëmë atë që na kërkohej, dhe kaq” – “It was just our time. We were asked to serve. And we did”.
Gjithë javën e parë të qershorit në Normandi u mbajtën ceremoni përkujtimore kushtuar zbarkimit më të madh detar në historinë e luftës botërore. Tetëdhjetë vjet më parë, 7,000 barka dhe lundra zbarkimi me 195,000 personel nga tetë vende aleate, prej të cilave 133,000 ishin trupa nga Shtetet e Bashkuara, konfederata britanike dhe aleatët e tyre që zbarkuan në pesë plazhet veriore të zonës së Normandisë në 6
qershor 1944. Qielli i paqtë i Normandisë ku lundronin parashutat me ngjyra gjatë festimeve ato ditë, 80 vjet më parë përflakej nga zjarret e luftës ndërsa topat dhe mortajat mbillnin vdekje përgjatë plazheve me rërë.
Pjesëmarrësit, zyrtarët dhe kryetarët e shteteve i përshëndesnin veteranët e veshur me uniformat ushtarake të sektorëve të tyre dhe ju thoshin: “Faleminderit dhe …Mirupafshim”! Ndonëse historitë e asaj dite tregohen nga burrat e djemtë që ishin pjesëmarrës në të, shumë prej të cilëve dhanë jetën aty, qindra mijëra gra dhe vajza të forcave ushtarake kryenin funksione me shumë rëndësi në sektorët operativë, radio-komunikim, zbulimi informativ etj. shpesh të papërmendura ose vlerësuara. Gratë, nuk lejoheshin të merrnin pjesë në luftime, por ndihma e tyre ishte kyçe në zbërthimin e kodeve, në kartografi dhe mbikëqyrje të skuadrave lundërtare të meshkujve që stërviteshin
për Ditën e Zbarkimit. Një prej tyre ishte Dorothea Barron, e cila gjatë pranverës dhe verës të vitit 1943, bashkë me koleget e saj, kontrollonin prototipet e dy modeleve të skelave portative që do çoheshin në Normandi për të lehtësuar transportin e personelit dhe pajisjeve në fushën e betejës.
Një prej veteranëve që hipën në aeroplan nga Atlanta për Deaville, Normandi, ishte 100 vjeçari Margol-i, banues në Atlanta, Xhorxhia. Ai dhe shokët e tij u pritën me madhështi në Francë, ku morën pjesë në shumë parada, takime e parakalime, vizituan shkolla dhe ishin në tribunën e
ceremonisë zyrtare të nderimit të trupave të çlirimit në Normandi. Ndonëse Margoli nuk ishte caktuar me trupat që ndihmuan të çlironin Evropën nga tirania naziste, ai ishte pjesëtar i brigadës që çliroi kampin e koncentrimit Dachau në 29 prill, 1945.
Mes lajmeve të tjera në gazeta u dha njoftimi se veterani 102 vjeçar, Bob Persichitti nga Fairport, Nju Jork, ndërroi jetë ndërsa udhëtonte për të marrë pjesë në 80 vjetorin e ditës së zbarkimit në Francë. Ai nuk kishte qenë me forcat ushtarake në Normandi, por ishte dëshmitar i ngritjes së flamurit amerikan në Iwo Jima në vitin 1945.

Bashkësia Shqiptare në Amerikë

Në kremtimet e ditës së të rënëve dhe të zbarkimit në Normandi, kureshtja më çon të mendoj se sa djem shqiptarë të Amerikës janë mobilizuar në një sektorë të ushtrisë apo në një tjetër, sa prej tyre ranë në betejë, sa u kthyen bashkë me shokët, dhe nëse emrat e tyre janë në arkiva bashkë dhe kujtimet nga lufta për fitoren e lirisë në Evropë dhe çlirimin e Shqipërisë.
Në faqet e gazetës Dielli dhe të shtypit shqiptar të kohës gjenden shumë të dhëna për të rënët dhe dëshmorët shqiptarë të këtij kapitulli të Luftës së Dytë Botërore. Një prej tyre ishte Albert Nashi, student në New England Conservatory of Music, dhe djali i Thoma Nashit, themelues dhe dirigjent i Bandës Kombëtare Vatra. Në rubrikën e titulluar “Dy vdekje të tmerruara”, gazeta Dielli e datës 12 gusht 1944 jep njoftimin për Albert Nashin së bashku me lajmin mortor për djalin shqiptar Philip Churchi:
“Mandatat e luftës nisnë të vijnë si breshëri. Këtë javë mësuam me hidhërim se Albert Nassi, biri i Profesor Thoma Nassi-t, ra dëshmor në fushë të betejës për lirin’ e botës në Francë. Albert Nassi studioi muzik në New England Conservatory of Music me shpresë që të vazhdonte gjurmat e t’et, fatkeqësisht lufta tragjike në të cilën bota po shkretohet nuk e la Albertin të shijonte bukurit e jetës.
Kjo javë na hidhëroj me një tjatre vdekje të nje tjatre djaloshi shqiptar: Philip Church, Brockton. Mass… Philip Churchi u-vra me aksident këtu n’ Amerikë kur po bënte stërvitje ushtarake. Philip Churchi, ish dhëndëri i Zotit Vangjel Kolonjari, ish delegat i Degës së Vatrës në Brockton, Mass., në Kuvendin e Vatrës muajin që shkoi. Dielli dhe Vatra ju dërgojn ngushullimet e sinqerta tere fare e fisit të dy dëshmorëve, Albert Nassi dhe Philip Churchi”. (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 12 gusht, 1944).
Dy javë më vonë, në një kolonë të veçantë në faqet e Diellit, 26 gusht, 1944 njoftohet se Sergt. Charles Peters, një i ri nga qyteti Attleboro, Mass., ra viktim e një aksidenti aeroplani. Shërbimet funerale të tij u bënë nga Imzot Noli dhe At Mihal Terova në kishën Episkopoliane të qytetit Attleboro. Aty njoftohet se kishin ardhur zyrtarë të qytetit, vetë kryebashkiaku si edhe shumë shqiptarë nga Bostoni, Watertown, Natick, Brockton, Worcester, Mass, dhe Manchester, NH. Ashtu si shumë djem të tjerë të lindur në Amerikë nga prindër shqiptarë, rreshteri Charles Peters, iu përgjigj thirrjes së vendit dhe hyri në shërbimin ushtarak në vitin 1942. Në fjalën e imzot Nolit ndihet vlerësimi dhe adhurimi për ata që shihnin tek kauza për liri edhe çlirimin e Shqipërisë.
“Sakrificat që bëjnë djemet t’onë, prej prindër shqiptarë, do të lirojnë botën e tërë dhe Shqipërinë”, thotë imzot Noli.
Gazeta Dielli jep njoftime të tjera si dekorime për heroizëm të “Staff Sergt. Thomas Theodore Kiriako (Panariti) i flotës ajrore, “që nderojnë racën shqiptare”, ardhjen me pushim të shkurtër të vatranit të mirënjohur Lt. Dr. Andrew Elia, që hyri vullnetarisht të shërbente si mjek në flotën amerikane në ujrat e Atlantikut dhe më pas u transferua në bazat amerikane në Paqësor, dhe
shumë të tjerë. (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944).
Në fjalën përcjellëse të Imzot Nolit në varrimin e dëshmorit Philip Churchi, mes të tjerave, ai thotë se i dhemb zemra për të sepse e kishte pagëzuar dhe i kishte vënë kurorë martese dy vjet më parë, ndërsa djali shqiptar lë pas prindërit, zonjën dhe foshnjën e re. Por Noli e pranon
çmimin e madh të sakrifikimit të jetës për lirinë: “Me derdhjen e gjakut të këtyre ushtarëve nga raca shqiptare, do të rifitojë dhe Shqipëria e vogël lirin’ e saj… Sot, së bashku me ju, po i lutemi Zotit të ketë kujdes shpirtin e tij dhe t’a vendose me të djathte në Paradisë. Amin”.
(Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944).
Ata djem e vajza që i takojnë “brezit më të lavdishëm” u sakrifikuan pa bujë e zhurmë pavarësisht nga origjina, besimi, kombësia. Prandaj adhurimi i bashkëkombësve për ta meriton të jetë pjesë e vlerave që nuk duhen humbur ndërsa shumë prej tyre nuk i kemi më mes nesh.
Bashkësia shqiptare i ka dhënë kauzës botërore të lirisë bijtë e saj, të cilët kanë shkruar faqe të çmuara të historisë sonë në Amerikë.

Please follow and like us: