Alda Taçe Shpata: Qetësi
Jam fshehur në cepin më të qetë të qënies sime, kam mbyllur veshët, sytë, kam qepur gojën me një fill tē padukshëm që shllizet nga diafragma.
Asnjë derë e kanat nuk hapet, nëna ime ka porositur amvisën tonë përparësebardhë të shkelë në ajër pa marrë frymë fare.
Dy kanarina në kafazin e varur në ballkon këndojnë me mendje dhe shihen në sy duke adhuruar njëra-tjetrën. Portieri te dera kryesore i bie ziles pa zhurmë, fqinjët hapin dyert me hamendje dhe presin vizitorët fjalëpakë. Fëmijët ua kanë hequr zërin e tyre lojërave në natyrë dhe luajnë.
Unë kam meritë për asgjesimin e zhurmês së akrepave, i kam fiksuar mbi njëri-tjetrin, ata gulçojnë së brendshmi pa zhurmë duke e mbytyr tik-takun. E kam mprehur imët majën e lapsit, po bëj karikaturën time mbi letër pa e gërvishtur fare, pa bërë asnjë zë.
Imazhi i së ardhmes është i rrudhur, i paqartë dhe i heshtur, fytyra ime e shkuar ka përparësi, ajo plotësi tiparesh më le pa fjalë.
Heshtje!
Shpirti s’mund të dojë më shumë.
Drita në shtëpinë time është me tone të lehta, jo verbuese, as të forta.
Dhe insektet i fikin motorrët e kalojnë në këmbë vetêm për të mos prishur qetësinë e këtij çasti.
E vetmja gjë që më ndëshkon disi në këtë prehje është era që fryn dhe kërshëria ime.
Please follow and like us: