Shpresëdhënëse – Mbresa nga “Një Mbrëmje së Bashku e Qendrës Kërkimore për Fëmijë Shën Juda”
Rafaela Prifti
Shpresëdhënëse është fjala përmbledhëse e darkës së parë Një Mbrëmje së bashku e Spitalit Kërkimor për Fëmijë Shën Juda dhe takimi i parë i AFC USA me drejtuesit e këtij institucioni të shquar mbajtur në Boston Harbor Hotel më 7 qershor. Themeluar mbi 70 vjet më parë nga aktori, producenti dhe filantropisti amerikan me origjinë libaneze, Danny Thomas, (1912 – 1991), Qendra spitalore për Fëmijë e njohur me emrin “Saint Jude” u hap në Memphis, Tennesse në vitin 1962. Historia e jetës së Danny Thomas, prej nga nisi edhe përkushtimi i tij për të mos lënë asnjë fëmijë të shuhet në agun e jetës (“Nochildshoulddie in the dawnoflife”) ka frymëzuar dhe ka gjetur mbështetje e përkrahje nga breza të tërë të ekspertëve, mjekëve, sponsorëve dhe ekipeve të administratorëve që ndihmojnë çdo ditë për gjetjen e kurave të kancereve tek fëmijët dhe sëmundjeve të rënda në pediatri.
Tre breza të Saint Jude në atë sallë ishin dëshmia më e mirë e një trashëgimie të suksesshme prej shtatë dekadave. “Darka e parë e këtij lloji”, tha, mes të tjerave Judy Habib, Kryetare e Bordit të Qendrës Spitalore për Fëmijë Saint Jude, “u nisi si një ide, vetëm dy muaj më parë, për një takim formal në Boston ku gjendet qendra administrative e spitalit të fëmijëve”. Por nga çdo detaj i mbrëmjes, duke filluar nga paraqitja e punimeve artistike të pacientëve, shoqëruar me një përshkrim të shkurtër jetësor, tek mesazhi përshëndetës i Marlo Thomas, bija e themeluesit të Saint Jude, video montazhet me pacientët e vegjël, eleganca e dekorimit, menysë, prezantimi i ankandit, përzgjedhja e muzikës, ishte e vështirë të besoje se organizatorët kishin mundur të arrinin të gjitha në aq pak kohë.
Drejtuesi tjetër i mbrëmjes, Dr. George Dekki nga Beth Israel Deaconess Medical Center tregoi sesi qysh fëmijë, ai kishte filluar të ndihmonte duke shkuar “derë me derë” me një kuti të vogël që e kishte ruajtur, për të mbledhur ndihma për Saint Jude. Dhe brezi i tretë në familjen Dekki, vajza e tij, tashmë e diplomuar, tregoi sesi në moshën 11 vjeçare ishte njohur me Suzane, e cila më pas e humbi betejën me kancerin. Kompozimi i një kënge kushtuar asaj “Një Akullore me Suzanën” (Ice Cream with Suzanne), të cilin e kishte interpretuar shumë herë qysh atëherë, përcolli tek pjesëmarrësit dhembshurinë njerëzore që nuk njeh moshë.
Nga rrëfimet e folësve që përshkruanin nisjen e udhëtimit të atyre që sot i përkasin brezit të themeluesve shihej filli i vazhdimësisë nga krijuesit tek ardhmëria. Për AFC USA, një shoqatë që feston pesë vjetorin këtë vjeshtë, “pjesëmarrja në darkën The Boston Hope Dinner vendoste lidhje me një institucion pararojë në arenën kërkimore të kurimeve dhe të luftës kundra kancerit tek fëmijët në Amerikë dhe në mbarë botën me programin e tyre të aleancës globale Saint Jude Global Alliance”, thanë Presidentja e AFC Roberta Nashi Panariti dhe Dr. Albana Mihali, MD, FACP.
“Vizioni i një shoqate me jetëgjatësi të tillë si Saint Jude”, tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv, Dr. James Downing, “është vazhdimësia e misionit të saj nga krijuesit tek ardhmëria –founders to future”. Por në rrafshin praktik që përherë e më tepër vlerësohet forca e komunitetit dhe e shoqatave si AlbaniansFightingCancer ku pjesëtarët japin kohën dhe energjitë për të qenë pranë njëri tjetrit në kohë të mira dhe të këqija.
Shpresa për t’i dalë mbanë luftës kundra kancerit vjen nga moria e terapive të avancuara si edhe nga optimizmi që përftohet nga prania në komunitet. Këto ide theksoheshin edhe në esenë e botuar këto ditë nga Shoqata Amerikane e Kancerit (American Cancer Society), Shpresë Përmes Përparimit.
Projektet dhe organizata kërkimore të kancerit janë shumëfishuar veçanërisht në dhjetëvjeçarët e fundit por kjo shoqërohet me sfidat e veta për sa i takon financimit të studimeve të kushtueshme për të kuruar dhe shpëtuar jetë. Prandaj darka të tilla si The Boston Hope Dinner i kushtohen mbledhjes së fondeve dhe gjetjes së sponsorëve të rinj. Dikur Dr. Dekki dhe moshatarët e tij shikonin baballarët e tyre dhe dilnin me kutinë e vogël në fushata bamirësie, sot pjesëmarrësit e darkës dhe përkrahësit shtypnin butonat në telefonat e dorës. Pavarësisht nga koha dhe vendi, dëshirën për të qene pranë njëri tjetrit e ndiejmë njësoj sepse duam që dikush ta hap derën dhe të na shoh si jemi. “Tellsomeone I am here,” ishte jo vetëm rrëfim prekës i një fëmije me kancer në Nikaragua që trajtohej nga Dr. Silva, Presidenti i atëhershëm i qendrës spitalore Saint Jude, por edhe “momenti kur e gjithë qasja ndaj sëmundjes,që trajtohej deri atëherë pas dyerve të mbyllura, ndryshoi nga mjekët dhe ekspertët tek kujdesi aktual për pacientët dhe të mbijetuarit nga kanceri në fëmijëri, i konceptuar si një tërësi komplekse”, tha Presidenti dhe Drejtuesi Ekzekutiv i Saint Jude, Dr. James Downing.