Naum Prifti: I pavdekshmi Skënderbe
Vasiliev Nini: Skënderbeu
Pa e hequr nga shpina çantën e shkollës, Dora iu afrua minderit ku ishte ulur gjyshi me gazetën përpara.
– Gjyshi, Skënderbeu ka vdekur më 17 janar 1468, në qytetin e Lezhës,- tha në vend të përshëndetjes së zakonshme ajo me një lloj nxitimi se mbase çdo fjalë tjetër mund t’ia ngatërronte disi formulimin që mezi kishte pritur t’a sillte në shtëpi.
Gjyshi ngriti syzet mbi ballë dhe palosi gazetën. Dikush tjetër mund të befasohej nga prurja e një informacioni të pakërkuar por ai e dinte se mbesa e tij Dora sapo mësonte diçka të re nxitonte tua shpaloste të tjerëve me pak mburrje dhe sidomos gjyshit. Ajo mezi priste të shikonte kënaqësinë që shfaqej në sytë e tij dhe fjalët admiruese që dinte t’i thoshte vetëm ai. Por në vend të pohimit me kokë këtë herë gjyshi e pyeti:
– Kush e paska thënë këtë?
– E lexuam në libër.
Kur e pa gjyshin paksa të ngrysur në fytyrë, Dora pyeti:
– Pse, nuk është ashtu gjyshi?
– Unë e di ndryshe,- u përgjigj ai me takt.
– Si e di ti gjyshi?
– Skënderbeu nuk ka vdekur! – tha me qetësi.
– Është gjallë? – i’a ktheu Dora me një ngazëllim fëminor dhe sytë e saj u gjallëruan.
– Pse, a ka njeri që të jetojë 500 e ca vjet? – ia priti gjyshi me pak qesendi ndonëse i dha të drejtë vijës mendore të vajzës.
Për Dorën, shifrat ishin numra që nuk përmbanin nocione matëse si psh kuptimin e sasisë, konceptin e jetëgjatësisë etj. Dorës i ngjante se kur arrin të bëhesh plak me mjekër të bardhë, siç e kishte parë Skënderbeun në një fotografi, atëherë mund të qëndroje ashtu sa të doje.
Ajo priste të dëgjonte çfarë do i thoshte gjyshi.
-Edhe unë kur isha i vogël kam lexuar për vdejkjen e tij në shtrat nga ethet. Por pastaj kam dëgjuar gojëdhënat nga pleqtë e fshatit tim dhe sot me duket se është dita që të ta them rrëfimin e tyre ashtu siç e kam dëgjuar vetë…
“Pas humbjeve të shumta të forcave turke prej luftëtarëve shqiptarë të prirë nga Skënderbeu, Komandant Abdullah Pasha kishte vajtur te sulltani me një plan djallëzor.
-Ju, o padishah i ndritur, e dini si ta mundni kryengritësin e bukëshkelësin Skënderbej, dhe ta merrni Krujën, Beratin dhe Shkodrën, por deri tani s’kini dashur…
Aq kishte dashur padishahu dhe aq merak kishte, sa gjymi natën nuk e zinte. S’ishte një mot e dy, ajo luftë po vazhdonte prej një çerek shekulli dhe Skënderbeu e kishte turpëruar në sy të githë botës. Në cdo fushatë ushtarake atij i rindizeshin shpresat se Arbëria do të nënshtrohej, veç vitet shkonin pa e tepitur ashpërsinë e luftimeve me prijësit shqiptarë.
Sulltani priste e përcillte njerëz në pallatin e madh ku rrinte vetë, i pyeste e dëgjonte këshillat e tyre se si ta fitonte luftën kundër Skënderbeut. Kishte dërguar ajkën e ushtrisë, gjeneralët me të zotë, oficerët më të përgatitur, kishte vajtur edhe vetë gjer në muret e Krujës me astrologë, qe i tregonin pozicionin më të favorshëm të yjeve për fitore të garantuar, kishte prerë rrugën detare të ardhjes së ndihmave nga jashtë, u kishte vënë zjarrin të korrave, kishte rrafshuar përtokë fshatra e krahina të tëra, që shqiptarët të ngordhnin për bukë, e më së fundi, me frikë, kishte vënë në krye të ekspeditës dhe ca tradhtarë shqiptarë, duke besuar se këta, si vendas e njohës të artit luftarak të Skënderbeut, do arrinin ta mundnin dhe, kur nuk ia doli, ra në dëshpërim të thellë. Tek dëgjoi hyrjen joshëse të Abdullah Pashës i bëri me shenjë të afrohej pranë kolltukut.
Abdullah Pasha eci më gjunjë, siç e donte zakoni, dhe me duart kryqëzuar në gjoks. Preku me ballë dyshemenë shtruar me sixhade, arriti një pëllëmbë larg papuçeve të sulltanit, me sytë përdhe sepse perënditë nuk shikohen në fytyrë. Ashtu i përulur Abdulla Pashai foli:
-Padishah i lartë dhe i plotfuqishëm hija e Allahut në tokë, zotërues i diellit dhe i hënës, pushtues i Stambollit, i mbiquajturi Fitimtari, më i lavdishmi i gjithë mbretërve të tokës, sa mirë ju ka vajtur në mendje të mos e tërhiqni ushtrinë nga Arbëria as në vjeshte e as në dimër, sepse i pabesi gjaur, qafiri Iskander, s’do mundet të meremetojë fortifikimet, të mbjellë të lashta e të farkëtoje armë të reja. Në fushat e Arbërisë ushtarët tuaj mund ta kalojnë dimrin në kampe fushimi ndërsa ushqime e armatime ju mund t’u shpini si nga deti edhe nga toka.
Sulltani ndjeu ngazëllim kur dëgjoi këtë plan që e paskësh pasur në kokë dhe nuk e paskësh ditur. Kështu e kërkonin rregullat e protokollit të oborrit, çdo mendim kishte lindur më parë në kokën e sulltanit dhe oborrtarët s’bënin gjë tjetër veçse ia rikujtonin.
-Unë, robi juaj i përhumbur, që s’jam veçse një kokërr rëre në shkretëtirën e pamasë, ku ju lejoni diellin të ndrisë dhe erën të fryj, unë i padenji Abdullah, pres vetëm urdhrin tuaj për ta cuar në vend porosinë.
-Po, – tha sulltani, – me hirin e Allahut, para pak ditëve pata një mendim të tillë. Pa humbur kohë të përgatitet ushtria dhe të niset sapo të jetë gati nën urdhërat e Kryekomandantit Abdullah Pasha. Jepini të bindurit e besnikut tonë, gjithcka i duhet!
Trupat osmane ngritën kampe në fushën midis Shkodrës dhe Lezhës. Kur fletët ranë dhe u zhveshën pyjet, ushtria e tyre zgjeronte edhe më shumë kampin me përforcime të reja.
Skënderbeu mblodhi kuvendin e prijësave dhe u tha se synimet osmane ishin përqendruar në ngritjen e një baze të përhershme dhe se mund të ndërtonin aty edhe një kështjellë për ta pasur si pikëmbështetje për sulmet e ardhshme në Shkodër, Lezhë e Krujë.
Edhe prijësit e tjerë qenë në një mendje se rreziku qe i madh, prandaj u dha kushtrimi për luftë. U mblodhën burrat e Arbërit në Lezhë dhe iu sulën kampit turk pak ditë pas vitit të ri. Abdullah Pashai e kishte pritur sulmin prandaj kishte bërë përforcime, dhe përgatitur hendeqe e ledhe mbrojtëse. Tri ditë e tri lufta nuk u ndal. Kryekomandanti turk ishte i vendosur dhe dinak aq sa kishte urdhëruar të hidhej kashtë nga ajo anë prej nga priste të vinte sulmi. Me t’u afruar kalorësia e Skënderbeut, Pashai dha urdhër të hidhej kashtë e thatë përsipër dhe t’i vihej zjarri. Katrani u zbut nga zjarri dhe kur arritën kalorësit thundrat e kuajve filluan të fundoseshin e të mbeteshin aty si në një baltovinë të ngjitshme. Harkëtarët turq lëshuan shigjetat mbi kalorësit dhe kuajt. Shumë mbetën të vrarë aty si të rënë në kurth dhe ata të paktë që arritën të hynin në brendësi të kampit, grinë me shpata sa munden, po më së fundi e dhanë jetën në betejë. Të tjerët u tërhoqën. Sulmi qe thyer pa mundur të depërtonin në pozicionet turke.
Skënderbeu urdhëroi një sulm të ri që befasoi edhe komandantët e tij.
-Do mbetemi në zift! – kundërshtoi Zaharia, komandant i kalorësve.
–Pajisini të gjithë kalorësit me guna të dhirta e shkorsa. Në afërsi të brezit do shtrojmë gunat në këmbët e kuajve se ato as digjen as fundosen.
Turqit u habitën kur panë luftëtarët shqiptarë të vinin drejt tyre nga ajo anë nga ku ishin tërhequr, aq sa besuan se Allahu ua kishte turbulluar mendjen e s’dinin ç’bënin. Veç kur panë se si fluturuan gunat e si kapërcyen kuajt, i zuri lemeria. Aty nuk ishte si në fushat e betejës, ku mund t’ia mbathje këmbëve për të shpëtuar lëkurën. Aty ndaheshin jeta dhe vdekja.
* * *
Çadra e Abdullah Pashait ishte ngritur në një vend zotërues. Për nga hijeshia dhe nga madhësia, ia kalonte gjithë të tjerave. Pranë vetes kishte oficerët më me përvojë e më të zgjedhur. Dhe ditën e sulmit kur shikonte një repart që thyhej dhe hapërdahej si për të kërkuar mbështetjen e fundit. Abdyllah Pashai dinte ta mbante veten dhe qetësia e tij u jepte zemër edhe vartësve. Kur kapedanët më të mirë shqiptarë s’po arrinin t’i çanin brezat e mbrojtjes, Skënderbeu u turr vetë, hipur në kalë, me shpatën përpjetë, frenin në dorën tjetër, ndërsa pelerinën e purpurt ia valëviste era pas. Majat e thundrave të kalit vetëm sa ciknin tokën. Pas tij kalorësit besnikë të gardës. Brezi i parë i mbrojtjes u shturr, i dyti u thye, i treti po davaritej ndërsa kokat e armiqve rrokulliseshin si gjyle rreth e rrotull. Radhët e kalorësve shqiptare po çanin si pykë në drejtim të çadrës së madhe, mbi të cilën valonte flamuri i gjelbër me një gjysmë hëne të bardhë. I ndezur nga afshi i luftës, Skënderbeu godiste me furi më të djathtë e më të majtë, i përpirë vetëm nga një mendim të arrinte sa më parë në çadrën e kryekomandantit dhe ta kapte të gjallë. Çadra i vezulloi përpara syve, dhe Skënderbeu i ngjeshi mamauzet kalit që u hodh me vrull përpara, duke dihatur fort. Ku ishte hyrja apo nga hyhej Skënderbeu s’pati kohe t’i vinte rrotull. Ai ngriti shpatën, hapi një të çarë sa i hante krahu e hyri brenda me gjithë kalë. Përmbysi ç’i doli përpara, duke kërkuar skutë me skutë. Shtrati i Abdullah Pashës qe bosh. Skënderbeu futi shpatën në dollamatë prej mëndafshi e damasku dhe i ngriti në ajër, i ra qitaqit që ndodhej mbi tryezë, përmbysi një takëm ergjendi, ku pashai lahej në mëngjes, dhe pastaj doli. Mirëpo në shalën e kalit qe zënë keq një cope e çadrës dhe Skënderbeu, me vrullin që kishte marrë, ndjeu se dikush e tërhoqi pas, po vetëm për një çast, se trarët krisën me zhurmë dhe kali iku tej duke hequr zvarrë çadrën e madhe. Ajo u shfry si një kacek kur shpohet e u platit në tokë.
Dy lloje thirrjesh u ndjenë atë çast të perzjera së bashku, thirrjet e gëzuara të shqiptarëve dhe ahet e dëshpëruara të osmanllinjev. Pa hyrë dielli i ditës së shkurtër të janarit, beteja kishte marrë fund. Midis të vrarëve, me kokën mbi një gur e me këmbët në kanal dergjej Abdullah Pashai. Sytë të hapur si të dëshironin të ishin dëshmitarë të shkatërrimit përfundimtar edhe pas vdekjes.
Nga kampi turk s’pat mbetur asgjë në këmbë. Shenjat e përleshjes dhe të betejës ishin secila pjesë e historisë që ishte shkruar aty: kuaj me frerë zvarrë rendnin të trembur pa ndonjë drejtim të caktuar, parzmore të braktisura, çallma pa zot, heshta të thyera, një daulle e shpuar, thasë me grurë, kazanë të përmbysur.
Luftëtarët po rigrupoheshin e po i thërrisnin shoku-shokut. Lodhja e gëzimi dukej qartë në tiparet e tyre. Sa e shikonin Skënderbeun brohorisnin me entusiazëm, sepse pas aq vjet luftrash e fitoresh qene bindur se kishin një prijës që s’i gjendej shoku. Sa të qe ai në krye të ushtrisë, Arbëria nuk do të përkulej përpara asnjë fuqie a perandorie.
Skënderbeu i përshëndeste me dorë ndërsa kalonte mes trimave që kishin luftuar burrërisht për çdo pëllëmbë të asaj toke. Sa e lehtë qe rruga e kthimit, si një shëtitje gjahu.
Tek shkonte kaluar, ai ndjeu një dhembje të mprehtë në gjoks dhe për një çast iu mbajt fryma. Nuk i dha rëndësi e besoi se do ta kishte nga lodhja. Një hop më vonë dhembja e kujtoi përsëri. Vuri dorën përmbi gjoks dhe ndjeu se gishtërinjtë iu njomën.
-Çudi, – tha – qenkam plagosur e s’e paskam vënë re. Po ku vallë?
Kujtoi çastin kur po kapërcente hendeqet me ujë, apo brezin e mbrojtës, ndeshjen me harkëtarët apo te çadra e kryekomandantit? Dita kishte pasur aq shumë ndodhi sa qe gati e pamundur t’i kujtonte të gjitha.
-Në luftë, o mik, në luftë!- dëgjoi Skënderbeu një zë, i cili sikur po u përgjigjej mendimeve të tij. Shikoi rreth e rrotull, e si s’pa njeri aty afër e kuptoi se kishte folur me vete.
Princat, prijësat e kapedanët po bënin përgatijet e fundit para se të largoheshin nga fusha e betejës. Kudo dëgjohej thirrja: “Na prij, o Gjergj Kastriot!”
Skënderbeu ktheu vështrimin nga fusha. Megjithëse lufta s’kishte veçse pak kohë që kishte pushuar, atij iu duk sikur prej saj e ndante një kohë e gjatë, vetëm objektet e shpërndara mbi të, plaçkat e zëna e vargu i robërve që po zvarritej ngadalë, shoqëruar nga kalorësit arbër, e kthyen te ngjarjet e ditës. Dielli po varej drejt perëndimit e avujt e detit kishin filluar të zbehnin forcën e rrezeve dhe të dritës.
Kjo copë e tokës së atdheut e çliruar nga turqit tani prehej në një banjë drite. Dielli po përskuqej dhe bashkë me të edhe retë ne qiell, si edhe pasqyrimi qe përhapnin ato mbi hapësirën e tokës së butë, që nga gjithë anët dukej e përflakur.
Një grup u mblodh për të varrosur të rënët, ashtu siç e kishin zakon. Zgjodhën një kodër, në krye të së cilës lartësohej një rrap shekullor, dhe në faqen e lindjes hapen varrezat që dielli t’u thoshte mirëmëngjes në lindje të ditës së re.
Pas gëzimit të fitores vinte gjithmonë ky çast i hidhur, kur duhej të ndaheshin nga ata që kishin mbetur në fushën e betejës. Humbjet e shqiptarëve nuk kishin qenë të pakta, dhe ata e kishin provuar atë hidhërim, por ndarja me shokun, me të cilin ke luftuar përkrahu kushedi sa vjet, ke ndarë kafshatën e gojës dhe gllënjkën e ujit, është gjithmonë e rëndë. Sytë e luftëtarëve mbusheshin me lot e zemrat e tyre rëndoheshin kur ndaheshin nga shokët e tyre. Ai çast u kujtonte sa e çmuar është liria. Ja, ata do të rrinin aty, në fushën e betejës si roje të përjetshme të nderit dhe të lirisë. Tri herë i ngritën shpatat luftëtarët për t’u betuar se armët do t’i mbanin gjithmonë ngritur në roje të atdheut e të lirisë. Thirrjet e tyre u përhapën valë-valë drejt malit dhe detit.
Si mbaroi dhe ajo ceremoni, Skënderbeu urdhëroi të hanin nga pak bukë me atë që kishin. Ai vetë ndenji në krye të vendit, por as nuk hëngri, as nuk piu. Bukën vetëm sa e puthi, mishin veç sa e ngjëroi dhe me verë sa lagu buzët.
Komandantëve u bëri përshtypje kjo sjellje dhe këmbyen vështrime me njëri-tjetrin, sepse Skënderbeu s’qe i përkorë në të ngrënë. Ai vërtet duronte dhe dy tri ditë pa vënë gjë në gojë, i mësuar nga lufta dhe koha e vështirë, veç kur shtrohej kishte lezet ta shikoje me ç’shije hante.
Skënderbeu iu lut prijësve dhe luftëtarëve të merrnin një valle. E quanin Vallja e Brezit ngaqë valltarët e kërcenin duke vënë duart shtrënguar në mesin e njeri-tjetrit si gërshet e duke formuar një gardhë të gjallë, të lëvizshëm e të pathyeshëm. Skënderbeu i soditi pa ua ndarë sytë e kur mbaroi vallja u tha:
-Kështu dua t’ju shikoj e kështu qëndrofshi gjithmonë!
Ai u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga rrapi shekullor. Ecte ngadalë dhe duke u përkundur sikur donte të arrinte atje përpara se dielli të rrëzohej më tej.
Ai nxorri shpatën e madhe dhe e nguli në lartësi të sqetullave. Lekë Dukagjini po ndiqte lëvizjet e tij me kujdes. Prijësi hoqi nga brezi dhe shpatën e vogël që e mbante kurdoherë si rezervë dhe e nguli po në lartësinë e së parës. Pastaj vuri llërët mbi to dhe mbështeti kurrizin në trung. Fytyra e tij nga rrezet e kuqe te diellit dukej si prej bronxi.
Lekë Dukagjini shkëmbeu një vështrim me Marin Spanin dhe kapedanët e tjerë, i shqetësuar për atë që po ndodhte. Skënderbeu sajoi në një farë mënyre një fron pa ndenjëse ose si e quanin ndryshe, “froni i zotit të shtëpisë” ku pleqtë e burrat hipin vetë për të vdekur ose kërkonin t’i vinin në çastet e fundit të jetës për t’u ndarë me të afërmit. Kishte mbetur zakon që nga kohët e lashta, ndoshta që nga ilirët, që trimat ta prisnin vdekjen në këmbë dhe po ashtu të jepnin amanetet e fundti. Dhe arbërit vazhdonin ta respektonin e ta përcillnin këtë traditë, sepse burrit i ka hije të vritet duke luftuar ose të vdesë në këmbë.
Leke Dukagjini i vajti pranë. Deshi të flishte e nuk mundi të thoshte asnjë fjalë.
– Erdhi ora të ndahemi…- tha Gjergj Kastrioti.
– Mos e thuaj atë fjalë o Gjergj!
-Nëse s’pata fat të bija në fushën e betejës, ashtu siç kisha ëndërruar,- i tha ai, – mos ma hiqni këtë kënaqësi, të mbetem pranë saj.
Lekë Dukagjini hodhi vështrimin në turmë për të gjetur me sy mjekun. Skënderbeu e kuptoi dhe i tha:
– Nuk ka nevojë për mjek. Thirri të gjithë luftëtarët e prijësat të vijnë pranë.
Ata erdhën e formuan një gjysmë rrethi përpara tij. Gjergj Kastrioti mbështeti kokën në trung.
– Luftëtarë, kapedanë, prijësa e princër të Arbërisë! Deri këtu rrugën e bëmë bashke, tani e tutje…
U ndje një murmërimë si era që shkon nëpër një fushë gruri.- Përpara se të m’i veshë sytë mjegulla, dëshiroj t’ju them dy fjalë, shokë e miq! Vendi i nderit për ushtarin është fusha e betejës. Ku çlodhen shokët e mi, aty do të prehem dhe unë se gjatë gjithë jetës sime s’kam qenë veçse një ushtar i thjeshtë i Arbërisë.
Gjergj Kastrioti mori frymë thellë:
– Nëse i qëndruam armikut, luftuam e fituam, këtë e bëmë bashkë. Unë i vetëm s’do të mundja të bëja asgjë. Qëndroni të bashkuar e do të shikoni sesi do t’i zbrapsni armiqtë sado të shumtë të jenë. Ne jemi mjaft për t’i dalë zot tokës sonë. Kujt i rreh zemra për lirinë e popullit të vet, stërvit krahun dhe armët i mban gati sepse prijësat as i kanë munguar dhe as do t’i mungojnë këtij vendi sa herë të ushtojë zëri i tij.
– Kjo ishte porosia e të pavdekshmit Skënderbe, siç e rrëfenin pleqtë në fshat, – tha gjyshi.
Krahët e mbesës e mbërthyen në një përqafim të ngrohtë sikur t’i thoshin se edhe pse e vogël ajo e ndjente kuptimin e atyre fjalëve.
Please follow and like us: