Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Hapat e jetës

Sa hapa bën njeriu në jetë? E kush i ka numëruar? Hapa të shpejtë, hapa të ngadaltë, hapa që hidhen në mërzi, hapa që tregojnë për gëzimin që të pret, e njeriu rend pas ditëve që të kuptojë se nuk ka kthim pas, por ecje, rendje drejt së panjohurës.
Rrugët janë të ndryshme, herë të zhurmshme e herë të qeta, por njeriu kupton, se koha nuk është armiku i tij por aleati i tij. Në kohë mëson, se çdo hap që ka hedhur ka rëndesë dhe vlerë të caktuar, të cilat nuk bjerren nga koha.
Nga përvoja kemi mësuar, se duhet të hedhim hapa të sigurt në jetë, por kjo siguri nuk është e shkruar kund, e njeriu nuk mund ta mësojë përmendësh këtë përvojë. Kemi ecur edhe nëpër rrugë që nuk do të donim t’i shkelnim kurrë, por përvoja e jetës na ka tërhequr pa kuptuar me magjinë e saj.
Themi ndonjëherë se nuk dimë se si jemi gjendur në këtë shkallë të jetës apo në atë udhëkryq të saj, por dimë, se jemi herë të fortë e herë të dobët për t’u ndeshur me ngjarjet, ndodhitë, njohjet, tradhtitë, beteja që nuk rreshtin deri në fund të jetës.
Njeriu sulmohet por di edhe se si të mbrohet. Njohja e përvojës t’i dhuron arsenalet e veta për t’i përdorur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, por njeriu duhet të mësojë që të mos vrasë, as të tradhtojë, as të lakmojë e as të neglizhojë!
Gjithçka kthehet mbrapsht për të kuptuar, se gjithçka bëjmë mirë kthehet në të mirë, e gjithçka bëjmë keq kthehet në mësim, i cili e ka vlerën të lashtë sa koha!
21 Qershor 2024.
Please follow and like us: