Albspirit

Media/News/Publishing

Dëshmorë nga Çamëria rënë për lirinë e Shqipërisë

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Të luftojmë që të mos turpërohemi para brezave…

Xhezmi Delli lindi në Tiranë në vitin 1918, ku në rrugicën “Sulejman Pasha”, në një lagje të vjetër të saj, gjendej shtëpia e familjes Delli, me numrin e portës 39. Prindrit e tij kishin ardhur nga Margëlliçi dhe ishin vendosur në Tiranë. Shtëpia ishte prej qerpiçi dhe e vjetër, e ndarë në tri dhoma të vogla. Në njerën nga dhomat e kësaj shtëpie, në kohën e reaksionit më të egër, gjatë viteve 1942-1943, bëheshin vazhdimisht mbledhje të drejtuesve të PKSH që punonin ilegalisht në Tiranë. Në shtëpinë përdhese të familjes Delli vinin të maskuar me veshje të ndryshme, herë si punëtor, elektriçist e herë si intelektual antifashistët dhe luftëtartë e lirisë Gogo Nushi, Beqir Balluku, Kozma Nushi, Fiqrete Sanxhaktari (Shehu), Nexhmie Xhuglini (Hoxha), Abdyl Këllezi, e të tjerë, ku merrnin udhëzime dhe orientime nga Tarasi, drejtuesi kryesor i PKSH.

Shtëpia ishte bazë e luftës dhe këtu bëheshin mbledhje të qarkorit, mbledhje organizatash Partie dhe Rinie etj. Pozicioni i shtëpisë ishte i atillë që lejonte, në rast nevoje, largimin me lehtësi të shokëve, përmes baçeve, që lidheshin me njëra-tjetrën deri në rrugën e Fortuzit, pranë burgut. Ka ndodhur shpesh që ilegalët pas shumë orë pune, shtroheshin këmbëkryq në sofër bashkë me pjesëtarët e familjes Delli. Midis tyre gjendej dhe Enver Hoxha i cili me thjeshtësinë dhe përzëmërsinë e tij, dukej si djalë i shtëpisë. Nga kjo shtëpi niseshin për aksione anëtarë të njësiteve guerrile të Tiranës, të cilët, në mes të ditës, kryenin aksione të guximshme. Kjo shtëpi e vogël, ishte bërë qendër e rëndësishme e aktivitetit revolucionar të antifashistëve dhe tërhoqi vëmendjen e armikut. Në orët e vona të një nate maji të vitit 1942, pushtuesit dhe tradhëtarët e rrethuan shtëpinë. Në mënyrë më barbare, shkëputën nga gjiri i familjes djalin e shtëpisë Xhezmi Dellin. Atë e torturuan dhe i bë presion që të tregonte për lëvizjen, por fashizmi dhe tradhëtarët nuk e përkulen luftëtarin. Për mungesë faktesh e liruan. Shtëpia e tij mbeti përsëri strehë dhe bazë e ilegalëve. Në demostratën e madhe të organizuar përpara burgut, ku u vra nga plumbat e fashizmit nëna Mine Peza dhe u plagosën shumë të tjera, shtëpia u bë qendër, ku u grumbulluan më se dyzet vajza të reja, të cilat, të mbuluara me çarçaf, kishin marrë pjesë atë ditë në demostratë. Shtëpia u diktua nga fashistët, spiunët dhe tradhëtarët, të cilët e rrethuan atë dhe me forca të mëdha arrestuan të gjithë sa ndodheshin brenda. Që nga kjo kohe, shtëpia u bë objekt gjurmimi të vazhdueshëm nga fashistët dhe tradhëtarët.

Në muajin prill të vitit 1943, i deleguar i Komitetit Qarkor të Tiranës, Xhezmi Delli mori pjesë së bashku me patriot pa parti në një mbledhje me disa përfaqësues, krerë të Ballit Kombëtar. Në mbledhje Xhezmiu mbrojti me vendosmëri Lëvizjen dhe luftën kundër fashizmit dhe nuk ishte dakort me përfaqësuesve të Ballit Kombëtar për qëndrimin e tyre. Po kështu Xhemziu kundërshtoi dhe kompromisin e BK me fashistët dhe sidomos protokollin “Dalmazzo-Ali Këlcyra”. Këtu Xhezmiu u ekspozua shumë. Drejtuesit e lëvizjes në Tiranë e porositën të largohej nga Tirana, se qëndrimi i tij ishte në rrezik. Pas kësaj mbledhjeje, në ato ditë Xhemziu po përgatitej për t’u hedhur në ilegalitet, organet e fashizmit, spiunët e tij (SIM-i) në bashkëpunim me tradhëtarët e rrëmbyen Xhezmiun. Që prej ditës 23 prill 1943, Xhemziu u zhduk mizorisht nga fashizmi. Për të përjetësuar emrin e Xhezmi Dellit, në Tiranë në Njësinë Administrative nr. 3 është shkolla 9 vjeçare me emrin “Xhezmi Delli”. Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” në vëllim I, Tiranë, 1971, f. 226.

Nuk e lëshoi pozicionin për 55 ditë luftë

Zihni Elamaz Shaqiri ka lindur në Shqefar pranë Konispolit më 14 prill 1927, në një familje të thjeshtë puntori. Në shkollën e Konisplolit, Zihniu ishte nxënës i sjellshëm dhe i zellshëm për dije. Babai Elmazi kishte dëshirë që i biri të kryente një shkollë të mesme. Por në vitin 1937 babai vdes dhe Zihniu mbeti jetim. Ishte 10 vjeç kur la shkollën dhe u detyrua të punojë për të mbajtur nënën, tre vëllezër dhe motrën. Ai u detyrua të punojë në punë të rënda dhe mbi supet e tij të njomë provoi barrën e shtypjes, fyerjen e poshtrimin. Kur fashizmi italian sulmoi Shqipërinë Zihniu ishte 12 vjeç. Në janar të vitit 1943 Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare në krahinën e Konispolit po zgjerohej dhe po krijoheshin formacione dhe njësi partizane për luftë kundër armikut dhe tradhtarëve, Zihniu u bashkua me të rinjtë antifashistë. Në korrik të vitit 1943 mori pjesë aktive në komandën partizane të vendit, që në këtë kohë kryente funksione të rëndësishme për Frontin Nacionalçlirimtar, duke kryer detyrën e korierit. Më 5 gusht 1943 në ditën e parë që forcat partizane u ndeshën me forcat gjermane që vinin nga Sajadha e Greqisë për të kaluar në Qafë Botë, Zihniu 16 vjeçar u rreshtua partizan në çetën e parë të batalionit “Çamëria”. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e mëvonshme që ndërmori batalioni kundër armikut dhe luftoi si anëtar i denjë i rinisë shqiptare.

Më 20 gusht 1943 nazistët gjermanë të udhëhequr nga ballistë dhe tradhëtar ndërmorën një sulm të paparë kundër zonës së Konispolit. Armiku goditi me artileri të rëndë, sulmoi pozicionet partizane në Likojan dhe në Qafë të Botës. Lufta ishte e rreptë. Zihniu edhe pse ishte me temperaturë, nuk u nda nga llogoret e luftës, rezistoi dhe luftoi bashkë me shokë. Temperatura nuk po i ulej dhe ishte mjaft i sëmurë, komisari i çetës urdhëroi që të shkonte pranë familjes së tij të shpërngulur nga lufta në fshatin Kllogjer. Ai shkoi, u takua me nënën, vëllezërit dhe motrën, duke u thënë: “Erdha t’u shoh për t’u çmallur, nuk prish punë se jam në ethe, ato do të kalojnë. Më duhet me çdo kusht të kthehem tek shokët sonte, sepse luftën e kemi në prak të derës. Armiku do goditur”. U përqafua me të gjithë dhe ashtu i zhuritur nga ethet, u dha këmbëve për tek shokët që ishin në luftë. Dita e 27 shtatorit 1943 ishte vendimtare për armikun e gjakatosur rëndë në 55 ditë beteje me partizanët e batalionit “Çamëria”, si dhe forcat territoriale të të gjithë krahinës së Konispolit dhe të Vurgut. Armiku sulmoi me forca të shumta. Plani i armikut ishte që t’u impononte forcave tona të pakta në numër një luftë frontale për t’i asgjësuar lehtë, por nuk ja arriti dot qëllimit. Në luftimet e kësaj dite ishte dhe Zihniu që luftonte… Në Butas ra. Copa të predhës së murtajës e kishin marrë në kokë dhe në kraharor…

Për dëshmorin u bë kënga: Zihni partizani, lule e rinisë,/ Zot i dole vendit, luftëtari i lirisë,/ Hije të kish shtati, pushka dhe gjerdani,/ I kuq të ndriste ylli, Zihni partizani. Është shpallur dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Sarandës. Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” në vëllim XI, Tiranë, 2002, f. 269.

Antifashisti Ali Demi, biri i Çamërisë që ra në Labëri

Biri i Çamërisë së cfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, i gjendur familjarisht në Tiranë, do të jepte një ndihmesë të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë si në Tiranë, Çermenikë, Kërrabë, Zaranik dhe në trevën e Labërisë e kryesisht në Vlorë dhe në krahinën e Mesaplikut. Tashmë dihet botërisht se më 29 prill 1943, antifashisti Ali, së bashku me 26 të burgosur politikë të tjerë, pas një pune këmbëngulëse dhe në heshtje të plotë, hapën një tunel të nëndheshëm dhe u arratisën nga burgu i Tiranës. Menjëherë Ali Demi shkoi në Çermenikë, ku kreu detyrën e komisarit të çetës në batalionin e Çermenikës, duke kryer disa luftime në Shqipërinë e Mesme. Në fund korriku 1943, u dërgua me detyrë sekretar i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën dhe më pas si sekretar poltik. Në krye të kësaj detyre Aliu u gjend kudo në fshatrat e krahinës së Mesaplikut dhe në qytetin e Vlorës, së bashku me të deleguarit e tjerë Ramize Gjebrea, Andrea Varfi, Lefter Kasneci, Selim Alimerko etj.

Trimëria dhe guximi i tij spikatën në luftimet e zhvilluara në këtë periudhë në qarkun e Vlorës. Ai dha një ndihmesë në formimin e çetave partizane të Bregdetit, “Bashkimi” të Topalltisë, “Sali Murati” të Vranishtit, “Myzeqesë” të Myzeqesë së Vogël në Vlorë, të “Halim Xhelo” e “Avni Rustemi”. Ai mori pjesë si luftëtar në Luftën e Drashovicës, ishte në Vranisht për krijimin e Gr. 2 Partizan të Vlorë më 30 tetor 1943, ishte anëtar i Shtabit të ZIOp që në fillim të tetorit 1943. Punoi fort në përgatitjen për krijimin e Br. V S, të formuar më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Ali Demi dhe një ndihmesë të dukshme në ngritjen e pushtetit ushtarak të prapavijës në komandën e Qarkut Vlorë, në Komandat e Vendit në Topallti, Drashovicë, Brataj, Kuç, si dhe organizimin e Rojes Partizane Vullnetare Fshatare.

Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu kishte rënë në sy të pushtuesit dhe të tradhëtarëve. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943, duke u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, dhe pse në kalanë e Kaninës kishte gjermanë. Baza e tij ku strehohej ishte rrethuar nga gjermanët e ballistët. Thirrjes së tyre për t’u dorëzuar, Aliu me dy shokët, ju përgjigj me grykën e maliherit. Mbi ta filluan të bien edhe predha artilerie e mortajash. U vra shoku i tij Pano Dhimëgjoka. Plagoset Dhimitër Mandro, shoku tjetër. Aliu për të mos rënë i gjallë në duart e armikut, çan rrethimin, por te qafa e Dheut të Bardhë goditet dhe bie në fushën e nderit si trimat…

Më 9 korrik 1945, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist, i jep titullin më të lartë, plotësisht të meritueshëm, “Hero i Popullit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë rrugë dhe shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë. Për të janë shkruar libra, monografi, poezi, janë bërë buste dhe është pasqyruar në artet figurative. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 104, datë 20.06.1977, të Komitetit Ekzekutiv Tiranë dhe varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Në këtë manifestim për Antifashizmin çam, në 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, populli i trevës së Labërisë përulet me nderim para veprës së lartë atdhetare të birit të shquar të Çamërisë, Ali Demi. Ai i përket Vlorës heroike, pasi dha jetën në luftë me pushtuesit gjerman dhe reaksionin në kalanë legjendare të Aranitëve. Antifashisti ngeli përjetësisht në Vlorë për t’u treguar brezave heroizmin partizan në luftë për çlirim dhe pavarësi…

Mësuesi luftëtar çam Bido Sejko ra për Shqipërinë

Bido Sejko ka lindur në vitin 1900 në qytetin e Filatit në Çamëri. Babai i tij, Haki Sejko ishte një patriot dhe i dëgjuar në krahinën e Çamërisë, burrë me autoritet dhe luftëtar. Bido në Filat nisi shkollën, ku mësues pati atdhetarë të shquar si Qamil Izet Gamin, Rexhep Hamit Demin etj. Ai u rrit me ndjenjën e frymës patriotike, kur shikonte se në shtëpinë e tij, babai si kryetar i klubit kombëtar të Filatit, organizonte mbjedhje. Në shtëpi mblidheshin mjaft njerëz sa dhoma e pritjes së miqve mbushej plot. Kështu sa herë në shtëpi vinin njerëz, ai vishej me rroba të reja dhe përshëndeste ata burra të moçëm dhe fisnik që kuvendonin me orë të tëra për fatet e krahinës dhe të vendit. Në këtë kohë Bido ishte nxënës me studime në Torino. Në shkollën ku mësonte ai bashkë me disa shqiptarë, personeli italian në shkollë bënte një politikë diskriminuese dhe fyese kundër popullit shqiptar dhe luftëtarëve vlonjat. Në një nga ditët, kur një italian i quajtur Armando po villte vrer kundër luftës së popullit shqiptar, Bido, i pasuar nga shokët e tij shqiptarë iu hodh përsipër Armandos. I dha kështu një mësim të mirë. Në ato ditë duke marrë zemër nga ndërhyrja dhe mbrojtja e policisë disa elementë italianë shkruan në muret rrethues të shkollës: “Poshtë Shqipëria”. Kur Bido i pa, me një shpejtësi të madhe, i fshiu shkrimet që fyenin atdhenë dhe shkroi: “Poshtë shkelësit dhe vrasësit italianë”. Bido u përjashtuan nga shkolla, si dhe e përzunë nga toka italiane. Bido, pas përjashtimit nga shkolla u kthye në vendlindje. Tashmë grekomëdhenjtë kishin krijuar kushte të padurueshme në tokën çame. Ai ishte krenar nga natyra, por dhe nga kultura familjare dhe ambjenti patriotik ku u rrit dhe u formua, nuk mund t’i duronte dot veprimet djallëzore dhe të neveritshme të disa grekëve…

Për shumë vite ushtroi detyrën e mësuesit dhe dha mësim nëpër shkollat e Çamërisë, duke përgatitur dhe edukuar mjaft luftëtarë dhe patriot për kohën. Kjo u manifestua dukshëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u pushtua e para nga fashistët italianë. Në fillim të vitit 1943, mësuesi doli partizan. Trimëria e rrallë dhe aftësitë e veçanta organizative të tij, spikatën gjatë luftimeve 55 ditore kundër nazistëve në Konispol. Në këto luftime mësues Bido komandoi një njësiti të batalionit partizan “Çamëria”. Në janar të vitit 1944 nga ky batalion u dërgua në Brigadën VI Sulmuese (BrVIS) një kompani, ku bënte pjesë dhe mësues, tashmë luftëtar Bido. Ai mori pjesë në mjaft luftime, por më kryesori ishte ai për marrjen e Kalasë së Margëlliçit, ku ra heroikisht Meleq Gostinishtit, i cili ishte zëvendëskomandant i batalionit të katërt të BrVIS, që mbante emrin “Naim Frashëri”. Këtë detyrë komanda e brigadës ja ngarkoi mësuesit luftëtar Bido Sejkos. Bido mori pjesë në një sërë luftimesh dhe përpjekjesh dhe në të gjitha u shqua si një luftëtar e komandant i zoti. Në luftimet që u zhvilluan gjatë vijës Brataj-Lepenicë, në luginën e Mesaplikut me forca të shumta nazistë që përpiqeshin të çanin nëpër zonën e lirë gjatë lumit të Vlorës dhe të dilnin në Kurveleshin e Sipërm, Bido, krejt papritur, duke manovruar dhe me një njësit prej 23 luftëtarë u doli mbas shpine dhe i goditi befas e me guxim nazistët. Sulmi ishte i befasishëm dhe i hutoi dhe i goditi rëndë armiqtë, gjë që u dha mundësi forcave të tjera partizane t’i asgjësonin. Luftimi i fundit i Bido Sejkos ishte në mesditën e 22 qershorit 1944 në kreshtën shkëmbore të malit Saraqin, mbi katundin Dishat të Sarandës. Këtu, ai u ndodh përballë më se 15 nazistëve të fshehur e të strukur mbas shkëmbinjve. Ai luftoi trimërisht deri në çastin kur një plumb armik e goditi për vdekje mësuesin e dashur të krahinës, partizanin e komandantin trim Bido Sejko. Mësues Bido Sejko ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të mësuesëve dhe të luftëtarëve të popullit shqiptar. Ai është dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Trimërisë” dhe “Medalja e Kujtimit”. Bido Haki Sejko është shpallur Dëshmori i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27.12.1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Për të është shkruar në shtypin e kohës si dhe në serinë e vëllimeve të “Yje të pashuar”, në vëllim 3. Emrin e tij e mban shkolla e mesme e bashkuar “Bido Sejko” në Konispol. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të Konispolit.

Please follow and like us: