Cikël poetik nga Pajtim Sejdinaj
Hambari i zemrës
Zemra ime lindur me hambar.
Para portës së zemrës.
dashuritë rreshtuar në radhë.
Prisnin të hynin në hambar.
Vendosa bodigard:
Durimin, Mallëngjimin,
Shpresën, Besën.
Administratore
Gjakftohtësia
Jashtë porte rrinte
Vetmia,
Cmira,
Xhelozia!
Vëzhgues sytë e shpirtin pa gjumë
Vërzhgonin:
Arteria rridhte lumë!…
I dhashë dhe një sqepar.
Të heq gozhdën
Që ka brenda.
Ajo, ngulur nga dhimbja.
Gozhdë e trarit
Vitet ngulur “hambarit”!
I dhashë dhe një kandar.
Të peshojë gjëmat e botës!
Të peshojë dhe lotët
“Perlat e mallkimit”
të njerëzimit!
Edhe urrejtja në hambar
e venitur,
e parritur,
si lule tharë!
Në një dhomë me
dashurinë përballë!
Të gjitha futur
në hambarin e zemrës
Si amanet i pavdekshëm i nënës!
Ku janë burrat e parë?!
Tunjatjeta miku im!
Me ty s’kam bërë as një takim!
Ta njoh burrërinë!
Ta mësova historinë!
Ju që luftuat për Lirinë;
Në roje të Atdheut!
Trashëgimtarët e Skënderbeut!
Po sot ku janë burrat
e Atmëmëdheut?!
I kanë “vrarë”?!
Meshkujt mbjell si farë!
Ku janë?! Ku janë?!
Ku vanë “burrat e parë”?!
Ata zemrën kthyen
në istikam!
Ku janë? Ku janë?!…
Në udhëkryq
Njeriu!
Ulur këmbëkryq.
Në udhëkryq.
Pa Kryq.
Anë udhe të mbirë
gjemba gomari
Në udhëkryq hedhur
patkonj kali.
Gomarë plot
kullosin në udhë!…
Kuajt i kanë mbytur në lumë!…
Një botë ulur
këmbëkryq
në udhëkryq
Edhe unë!
Në udhëkryq!
Pa Kryq!
Mendja vjen vërdallë!
Nuk di nga të dalë!…
A do të bëhem më
i gjallë?!…
Jam “strukur” në hapësirë.
S’ di nga t’i mbajë…
A ka njeri të më ndihmojë vallë?!
Loti i Zanave
Loti i Zanave më pushtoi!
Shpirti lotin e pranoi!
Loti zemrën ma lëndoi!
Nga vajtën Zanat, ku shkuan?
Morën rrugët fluturuan!
Në mes Europës
ato qëndruan!
Shpirti i maleve u lëndua!
Muji dhe Halili u dëshpëruan!
Shoku i tyre bilbili!
Ka qëndruar te
trëndafili!
Me besim dhe me shpresë!
Dorontinat kanë një Besë!
Loti i Zanave ka një Shpresë!
Kostandini s’ngrihet nga varri!
Se i ka ngordhur
kali!
Braktisja
Braktisja, flama e rënë në Shqipëri!
Ku s’mbeti pa prekur njeri.
Braktisjen e ndjente dhe lumi Vjosa.
Ku gjarpëron nëpër shqopa.
Në lumë nuk shkonte njeri.
Kanë ikur Greqi-Itali-Gjermani!
Marr shkopin në dorë.
Shkova në stan
të dëgjojë këmborë!
Të dëgjoja këmborë e zile.
Dëshirat e zemrës sime!
“Çal” s’gjeta në Stan
Gurtë e shtrungës
si nishan.
Varur guna e çobanit pa çoban.
Takova bilbilin,
qante për stan!
Unë veten jam mbyllur në “strofkën” time!
Më ka braktisur dhe vetja ime!
Të lajthitur
E kthej me fund
gotën e verës në Verë!
Sa mund!
Gjejë shpirtin tënd
i strukur rri!
Qetësi!
Qetësi!
Në fund të gotës më vështron me çudi!
Në fund të gotës me verë në Verë!
Ku jam i dehur përherë!
Dehja më ka mpirë
trurin.
Ti vazhdon të më shikosh me çudi!
Nuk e di:
“Kush e mbyti pranverën e porsa lindur”?!
Unë apo ti
Na ka ikur gjaku dhe s’kemi më vlerë!
Të dy e mbytën këtë pranverë?
Të kish çelur vetëm njëherë!…
Tmerr pa fund
I hodha hallet e mia në një thes.
Lidhur me ushkur.
Dhe vura mbi to dy gurë!
E ngarkova thesin mbi shpinë si kaurët
Këmbët ecnin kuturu
“varka e vdekjes” më priste diku!
Për korrektësi kalova nga varrezat.
Po! Po! Nga varreza përcjell nga retë e zeza!
Dëgjoj kuje dhe ulurima në varreza!
Qarjen e kobshme:
“Ku shkojnë këta
breza”!
Ndalova hapin!
Drejtova shtatin!
Lotët më gënjyen
u ngashëryen!
Në lëndin më ndaloi thëllëza
me rroba të zeza.
Me sy të përlotur nga heshtja.
Unë ecja… ecja…
Kali kishte kohë
“i vrarë”!
Patkonjtë e rënë,
Pranga iu bënë!
Hejbet e kalit
ia hodhën gomarit!
Unë ecja… ecja…
Në buzë kallkan
ngrirë buzëqeshja!
Unë ecja… ecja…
Në një tmerr pa fund
më priste jeta!…
Mall
1.
Malli i këputi “zinxhirët”.
Si një mushkë hergjele.
Mori udhën erdhi në Atdhe.
“Malli, Malli” i
dashuruar,
i drithëruar,
shpirti i dërrmuar!
Vite dëm i kishin shkuar.
Malli me buzë të
çarë,
me etje të patharë,
me sy të enjtur nga pagjumësia,
mendje e zemër
tek shtëpia!
E ndaloi frymën
te pragu i derës
I pa, kishin çelur
lulet e shegës.
U ul këmbëkryq
mbi minderin e vjetër.
Te pragu i tij dhe jo
diku tjetër.
Kujtoi me nostalgji
rrënjët e tij
Kur lindi, gëzoi shtëpia.
I buzëqeshi çiftelia.
Fluturoi me krahë
çatia.
Te pragu ku u rrit
fëmijëria.
Në Odë ëndrra zgjuar.
Kish vite që flinte e vetmuar.
Zogjët folenë në Odë
kishin ndërtuar.
Kërkoi kopshtin me ëndrra.
E gjeti të kyçur në musandra.
Kërkoi nëpër bahçe
lulet e mbjella.
I kish marr era.
Bajamja kishte
lidhur kokrra.
E pritën me dashuri
dy mokrra.
Trëndafili i butë s’ishte i “egër”
Priste “Mallin” t’i vinte “vjegën”.
I ra bjeshkve në këmbë.
Në çdo cep e në çdo vend.
Takoi lisin me rrënjë.
Zanat ulur në shkëmb.
Vënë dorën në plagë
ku shpirti u dhemb.
Zogjët e pyllit çaçarosur.
Hëna në mal e inatosur.
Çukave tharë blerimi
Natyrën “prangosur”
trishtimi.
Malli i ra fshatit
rrethe qark.
Ndaloi aty ku puthej,
në një park.
S’pa dhe s’takoi njeri.
Pleqtë kishin ikur në shtëpi.
Qau, u përshëndet!
Stani kish mbetur shkretë!
Shkoi në varreza
veshur me të zeza.
Puthi gurët e mermerit.
Iku se mos e kapnin
ushtarët e Enverit.
2.
S’iku!
U kthye!
Tha: – Do të qëndroj në Atdhe!
Këtu!
Le të thahem
të bëhem dru!
Këtu ku lisi ka
rrënjët!
Këtu ku janë vrarë
engjëjt”!
E priti natyra e bukur
E përqafoi!
Mbi mallin lotoi!
Ky përqafim të vdekurve plagët i lëndoi!
“Të gjallë malli” asnjë s’takoi!
Nga dhimbja shpirti i rëndoi!
U nis ,rrugën vazhdoi…
Do të vij, do të vij…
Do të kthehem përsëri!…
Enigma ime
Mora grepat dola për peshkim.
Në liqenin e shpirtit tim.
Varkën e ëndrrave mora për lundrim.
Thirra besën
zgjova nga gjumi shpresën.
Shpresë ma kishin vrarë.
– Prit! – i tha trurit zemra
– Vetëm unë e di ç’ka
liqeni brenda”!
Dhe shpërtheu në lotë Zemra!
Please follow and like us: