Zana Tako: Dashuritë e mëdha
Ku ngjason njeriu me njeriun? Vetëm tek dashuria, gjithçka tjetër është vepër e dashurisë brenda qenies njerëzore.
Dëgjojmë fjalë dashurie, lexojmë dhe shkruajmë fjalë dashurie, por ndjenja është herë e trishtë dhe herë lozonjare. Fjalët e ëmbla vallëzojnë, e fjalët e trishta si pikat e shiut pikojnë, fjalë fluturake që prekin e shijojnë.
Fjalët e dashurisë nuk janë zemërake, as të ndukin të zgjohesh nga gjumi, por kumbojnë ëmbël, ashtu siç dinë vetëm ato. Mërmërisin lehtë duke të tërhequr në valsin që të rrëmben brenda botës së dashurisë.
E madhe është dashuria e të quhesh i madh brenda saj duhet të dish të duash, se dashuritë e mëdha zgjasin në kohë, të dhurojnë dritën e diellit, e ti sheh dhe digjesh brenda tij, të dhurojnë bukurinë e hënës, e ti stolisesh si një hënë, të dhurojnë vezullimin e yllit, e ti shndrin brenda tij, të flladit me vesë mëngjesi, e ti zgjohesh e praruar brenda flladit të dashurisë.
Dashuritë e mëdha nuk kërkojnë lëmoshë, sepse ato janë të pasura shumë. Dhurojnë gjithçka, prandaj quhen dashuri të mëdha.
Të quhesh fatlum i kësaj dashurie, ke kuptuar se fati të buzëqesh me fytyrën e engjëllit, e engjëjt këndojnë veç për ty, e kori i tyre lajmëron ditë të begata me bekim dashurie.
Dashuritë e mëdha zgjasin e nuk mbarojnë, nuk vdesin se nuk vdes dashuria, por njeriu e ka tradhtuar dashurinë, prandaj është në kërkim të lumturisë. Por të kërkosh lumturinë për të mbushur mendjen e jo shpirtin, quhet vdekje shpirtërore, sepse vetëm dashuria është ajo që të bën të lumtur edhe në gjëra të vogla edhe në ato të mëdha.
Marrëdhënia njerëzore është kthyer në mall me konçension afatgjatë dhe afatshkurtër. Shenja e skadencës e vulosur në trupin e saj, tregon për gjuhën e tregtisë që shquhet në marrëdhëniet njerëzore.
Të ndërtosh një marrëdhënie njerëzore me gjuhë korruptive, me influencerë romantikë deposh ku magazinohen trille dhe gjetje me gjuhë teknologjie, quhet humbje identiteti dhe kulture njerëzore. Manipulimi me gjuhë dashurie është fallsiteti më i madh i kohërave moderne që po jetojmë.
Dashuritë e mëdha ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, por në trupin e njeriut është injektuar dhe zhvilluar sistemi manipulativ dhe fals i “dashurive të mëdha”, ku nënë e babë quhet interesi, e vëlla e motër binjakëzimi i mendimeve fallsifikatore, të cilat gjejnë terren dhe shesin e blejnë mall të skaduar shprehjesh dhe fjalësh tekno-dashurie.
Nuk zëvendësohet dashuria, sepse rrënja e saj nuk shkulet. Njeriu është njeri, ngatërrohet, rrëzohet, ngrihet, përplaset, ngrihet përsëri… por dashuria mbetet aty, bashkë me të, dëshmitare e ngritjeve dhe e uljeve të tij. E po kjo dashuri do dëshmojë për ekzistencën e saj, për forcën dhe mbështetjen e saj, se e madhe është dashuria, e fuqia e saj sundon qiell dhe tokë!
26 Qershor 2024.
Please follow and like us: