Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq  Balli: GËRSHËRA E ARGJENDTË

 George D. Boria (1903-1990) (i njohur ndryshe edhe si “Bratko”) konsiderohet si një nga fotografët e suksesshëm shqiptaro – amerikanë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pasqyrimit të ngjarjeve të Luftës II Botërore dhe pas saj, fillimisht në Europë e më tej në rajonet e Lindjes së Largët (Japoni, Kore, Tailandë, Tibet, Vietnam, Kamboxhia, etj) ku ai ushtroi aktivitetin e tij fotografik posaçërisht si fotograf zyrtar pranë komandantit të Shtabit të Gjeneralëve të Fuqive Aleate, gjeneralit të famshëm amerikan Douglas McArthur. Ai punoi edhe më tej në Japoni si fotograf deri në vitin 1961. Njihet edhe si fotografi i familjes perandorake Hirohito. Pinakoteka e tij prej më se 30.000 foto e negativa  është dhuruar  prej tij Memorialit të gjeneralit strateg McArthur në Norfolk, Virxhinia, ShBA. Veç shumë serive fotografike të ruajtura në disa muze e institucione të njohur amerikanë, si dhe në Muzeun e Artit Oriental “Bratko”, Korçë, nga ky koleksion, para pak kohësh,  janë botuar tre katalogë  luksozë me foto me ngjyra nga situata dhe rimëkëmbja e Japonisë pas Luftës  II Botërore (1947-1961), të cilët kanë patur një jehonë të gjerë në opinionin japonez e më gjerë. Veprimtaria e tij fotografike është pasqyruar edhe në shtypin shqiptar, ku ai vlerësohet si një prej fotografëve që ka një vend nderi në aradhën e fotografëve shqiptarë të shek. XX. 100_2972.JPGDOUGLAS McARTHUR.jpgBANJE JAPONEZE.jpg
Gjithashtu në Shqipëri ai njihet si një prej filantropëve të mëdhenj, pasi i la me testament qytetit të Korçës Muzeun e Artit Oriental “Bratko”, godinën e re të ndërtuar prej tij  dhe koleksionin vetiak të pasur, të  rrallë e ekzotik me objekte nga arti dhe etnologjia e vendeve të Lindjes së Largët, i vetmi i këtij lloji në Ballkan.MUZEU BRATKO.jpgBRENDI E MUZEUT BRATKO.jpg
Por George D. Boria njihet gjithashtu si artist i suksesshëm në një zhanër artistik figurativ shumë të veçantë,  origjinal e autentik të quajtur “scissors” (prerje me gërshërëz), me të cilin ai u bë i njohur dhe penetroi në studiot e mëdha hollivudiane si teknicien dhe piktor realizuas i filmave të atëhershëm “cartoon” duke dizenjuar karaktere personazhesh të dashur për fëmijët. Ai ka punuar si artist krijues në filmat e animuar  të studiove  hollivudiane “Cuby the Bear”, “Lost World” , “Tony the Cub” që rivalizonte filmin e njohur sot si  “Miki Maus”, etj., me çrast ai u bë i njohur dhe jehona e famës së tij u pasqyruar edhe në shtypin  amerikan e atë të Korçës të viteve ’20, që e cilësonte  si një “artist me famë të çkëlqyerë në Hollivud…” (Gazeta “Zëri i Korçës, 20.07.1929)KATALOGET.jpg
Në Muzeun e Artit Oriental Bratko, krahas të tjerash, ndodhet një cikël me 10 punime të tij artistike në zhanrin “scissorets”, apo “silhuette” (siluetë) nga qindra e qindra të tilla që ai ka realizuar gjatë dy dekadave të para të aktivitetit të tij në ShBA. SCISS 1.jpg
1.jpg
Në vitin 1921 kur ishte vetëm 18 vjeç ai emigroi nga Korça  në ShBA i pajisur me talentin e tij artistik të një “pikture” grafike të veçantë  e rrallë të lëvruar edhe në ShBA. Tepër optimist, kurajoz, i vendosur, i sigurt, i pasionuar e erruptiv,  krahas shkollës, edukimit, kultivimit, punës në fushën e kinematografisë së animuar, ai e lëvroi masivisht shpikjen e pikturës së tij “scissorets”  së cilës i nevojitej vetëm një gërshërëz dhe një talent e dorë mjeshtri, me të cilat ai krijonte profile e  karaktere portretesh grafike, torse, silueta e figura të plota të bazuara në tipare, detaje e elementë të veçantë tipike  e origjinale dhe të rikrijuara me fantazi e lirizëm e humor të jashtzakonshëm artistik. Ai i realizonte ato spontanisht e privatisht për njerëz të zakonshëm  apo figura publike që pranonin, i dëshironin dhe i pëlqenin  ato. Madje, në San Francisko, për këtë qëllim, ai kishte edhe një studio ku i punonte, por njëkohësisht ai realizoi ato edhe duke shëtitur në shumë shtete të Amerikës si dhe në udhëtimet e gjata me vaporët turistikë sidomos gjatë viteve të depresionit, kur të pasurit lundronin me to për t’u shplodhur e rigjeneruar gjendjen e rëndë shpirtëtore. Me to ai ka krijuar një galeri tërë personazhesh nga të gjitha grupimet shoqërore amerikane të asaj kohe.3.jpg
Boria shprehej për teknikën e tij se … “Ka diçka magjepsëse për siluetën, që është e vështirë ta përcaktosh. Ndoshta imagjinata jonë befasohet nga fakti që shumë detaje të vogla është e nevojshme të lihen jashtë(të harrohen) në bërjen e një siluete. Silueta ka formë ose model, por ajo nuk ka drita dhe hije, si në pikturat e tjera – dhe, prandaj, jemi të prirur të çuditemi se çfarë natyre është përcaktimi i këtij përjashtimi(harrese); ose, ndoshta, siluetat na interesojnë pasi ato ngjajnë me misterin që na rrethon gjatë natës. Sepse kjo ndodh vetëm gjatë natës, ose në mugëtirë të thellë, kur ne i shohim ato në jetën reale”. (Online) Pas 20 vitesh krijuese artistike në këtë zhanër pikture, Borja pohon  se në vitin 1940 “Lashë gërshërën time të argjendtë dhe kurrë nuk e mora atë. Sepse kishte aq shumë gjera të tjera për të bërë” (nga një intervistë e tij e gjatë në gazetën Montgomery Journal, 31 Gusht, 1989, pra pak muaj para vdekjes)2.jpgUntitled 3.jpg
Si dëshmi simbolike, tejet e përkryer e  domethënëse e këtij aktiviteti krijues artistik, së fundi,  më ka rënë në dorë një foto e rrallë dhe e panjohur deri sot në opinionin shqiptar,  e cila shpreh në mënyrë sintetike të gjithë  botën artistike të artit “scissorets”, por edhe përsosmërinë e kompozimit  e pasqyrimit të marrëdhënieve të vetë artistit me personazhin a modelin, veprën dhe mjetet e punës. Një fotosimbol i rrallë që thotë gjithçka që me vështrimin e parë.
Djaloshi në foto është autori vetë, pra G. Boria. Shumë simpatik  e fotozhenik, një xhentëlmen i vërtetë,  me tipare mjaft të bukura, origjinale  e tërheqëse të portretit të tij të mermertë, ku mjekra e vogël, buzët e holla, hunda e rregullt e në proporcion të përkryer me fytyrën, sytë e vegjël, të zinj zhbirues që harkohen nga vetulla po aq të zeza, xigomatikët e balli i lëmuar prej ku kurorëzohet  një brerore flokësh të zinj të ndritshëm e të valëzuar, ëmbëlsia e  pamjes e  ndriçuar nga një rrezëllim shpirtëror thuajse engjëllor  brishtësie, dëlirësie, pafajësie e sinqeriteti, pra gjithçka e gdhendur bujarisht deri në përkryerje, nuk mund  të mos joshnin vëmendje e kërshëri. Pse jo,  portreti i tij  i ngjan kartolinave të artistëve hollivudianë, të cilët ishin idhuj bukurie e simpatie të asaj kohe, veçanërisht nga vajzat a zonjushat e përkora e adhuruese pas tyre.  Në dorën e djathtë mban gërshërën e argjendtë, ndërsa në të majtën veprën e tij, siluetën profil të bukuroshes përbri, që është në fakt ylli i famshëm i kinematografisë  “Paramount Pictures”, Clara Bow, e cila me qëndrimin e saj impozant plot sharm sensualiteti,   i qëndron Georges si një partnere e vërtetë e një filmi hollivudian. Një kompozim unik fotografik që nuk mund ta përfytyrosh më organik e më mirë të  imagjinuar, kombinuar e realizuar, thuajse  si një kartolinë unikale e viteve ‘20. Nuk kemi të dhëna për autorin e shkrepjes së këtij kompozimi fotografik, por njohja e thellë e jetës dhe veprimtarisë së George D. Borias më siguron se ideja për këtë fotografi është e tij.GRAFIKE ECLARA BOW PARAMOUNT STAR.jpg
George D. Boria mbetet në historinë e personaliteteve të shquar shqiptaro – amerikanë si një artist, fotograf e filantrop i përmasave të epërme krijuese e humane.
Please follow and like us: