Astrit Lulushi: Disney
Shumë njerëz mendojnë se Walt Disney është ngrirë. Disa thonë se mbetjet e tij të akullta janë në një dhomë të veçantë nën ekspozitën e Piratëve të Karaibeve në Disneyland. Disa mendojnë se trupi i tij është në ngrirje të thellë të Solt Lake City. Dihet se ka një apartament sekret në një nga majat e kështjellës së Hirushes në Orlando Disnev World, i ndërtuar për Disney-n. Familja Disney kurrë nuk ka thënë se çfarë bëri me trupin e Walt-it. Dhe siç tha studioja e Disney-t për shtypin pas vdekjes së tij, “E gjithë korporata po vazhdon sikur Walt të ishte këtu”.
Thashethemet për “pezullimin krionik” të Disney-t kanë qarkulluar që nga vdekja e karikaturistit në vitin 1966. Askush nuk duket se e di se ku dhe si filloi historia.
Një version pretendon se Disney ishte ngrirë, por familja e tij e shkriu atë përsëri. Premisa është që trupat mund të ruhen para vdekjes duke u ngrirë dhe mbahen në gjendje të ngrirë të pandryshueshme në mënyrë të sigurt. Supozohet se superteknologjia e një epoke të ardhshme do të jetë në gjendje të ringjallë trupat e ngrirë dhe t’i shërojë ata nga sëmundjet që tani nuk mund të trajtohen. Lëvizja e krionikës krijoi interes popullor pas botimit të Perspektivës së Pavdekshmërisë nga Robert C. W. Ettinger, një instruktor kolegji në Michigan, në vitin 1964. Që atëherë, të paktën tridhjetë e dy persona janë ngrirë. Ka histori që Omar Bradley dhe Dwight Eisenhower e konsideruan ‘krionikën’, por ata nuk u ngrinë. Pothuajse të gjithë njerëzit e ngrirë deri më tani janë amerikanë të klasës së mesme – amvise, disa fëmijë, shitës, mësues.
Teoritë e Ettinger-it morën vëmendje të gjerë në dy vitet para vdekjes së Walt Disney-t. Nëse Disney do të ishte ngrirë, ai do të kishte qenë i pari. Disney vdiq vetëm një muaj para Dr. James Bedford, në Glendale, Kaliforni, i cili u bë i njohur si “njeriu i parë i ngrirë”.
Nuk kishte asnjë mbulim lajmesh për funeralin e Disney-t. Po kështu, edhe pse shëndeti i Disney-t dështoi në fund të vitit 1966, ai mbajti kontroll të ngushtë në mbulimin mediatik të gjendjes së tij. Më 2 nëntor 1966, Disney u shtrua në Spitalin Saint Joseph, pikërisht përballë studios së tij në Burbank. Zyrtarët e studios thanë se ai do të trajtohej për një dëmtim të vjetër në qafë të marrë gjatë lojës me polo. Kirurgët i hoqën një pjesë të mushkërisë së majtë të Disney-t. Ai u ripranua më 5 dhjetor. Këtë herë u tha se do t’i nënshtrohej një kontrolli rutinë postoperativ. Disney qëndroi në spital deri në vdekjen e tij. Burimet spitalore thanë se Disney vdiq në 9:35 mëngjesin e 15 dhjetorit. Shkaku i vdekjes nuk u njoftua. Njoftimi për shtyp tha vetëm se Disney kishte pësuar “kolaps akut të qarkullimit të gjakut”. Me fjalë të tjera, zemra e tij papritmas pushoi së rrahuri. Mbrëmjen e 16 dhjetorit, studio papritur njoftoi se shërbimi i varrimit ishte kryer. “Shërbimet ishin një sekret familjar,” vuri në dukje Los Angeles Times, “dhe u njoftua vetëm pasi kishin përfunduar.” Ceremonia u zhvillua në Little Church of the Flowers në Forest Lawn Memorial Park, Glendale. Los Angeles Times raportoi se zyrtarët e studios dhe Forest Lawn refuzuan të zbulonin ndonjë detaj të mëtejshëm të shërbimit, duke përfshirë disponimin e trupit. “Dëshirat e Disney-t ishin shumë specifike dhe ishin shprehur me shumë detaje,” citoi Times një zëdhënës të Forest Lawn.
Nëse doni të besoni rreth krionikës së Disney-t, ka prova të mëtejshme rrethanore.
Në vitin 1933, dy vjet pas kolapsit nervor të Disney, një fallxhore i kishte thënë se do të vdiste kur të ishte tridhjetë e pesë vjeç. Ai ishte ende i shqetësuar për atë profeci edhe pasi kaloi vitin e tridhjetë e pestë. Të afërmit tregojnë se Walt kurrë nuk shkoi në një funeral. Në raste të tilla ai thoshte: “Kur të vdes, nuk dua funeral. Dua që njerëzit të më kujtojnë të gjallë.” Cryonics është i shtrenjtë. Aktualisht Trans Time, një organizatë krionike në Berkeley, Kaliforni, cakton gjashtëdhjetë mijë dollarë për shërbime përmbarimi dhe për krijimin e një fondi për të paguar shpenzimet e pensionit në përjetësi. Pasuria e Disney-t thuhej se vlente shumë miliona dollarë. Ai krijoi tre fondacione, detajet e të cilave nuk u publikuan. Shto edhe faktin se Disney ishte besues deri në fanatizëm i teknologjisë.
Certifikata e vdekjes e Disney është e disponueshme – për këdo – nga zyra e regjistrimit të gjendjes civile në Los Angeles. Ajo përmban informacione që nuk u shfaqën në asnjë rrëfim gazete për vdekjen.
Certifikata thotë se trupi i Disney-t u dogj në Forest Lawn, Glendale, më 17 dhjetor 1966. Nuk u krye autopsi, por ekziston një firmë që tregon se trupi ishte balsamosur. Në certifikatën e vdekjes nuk thuhet se çfarë u bë me eshtrat.
Walt Disney u dogj, nëse në fshehtësi, dhe ka një varr krejtësisht të zakonshëm. Është e lehtë të merret me mend se si mund të kenë filluar thashethemet e krionikës. Disney kishte një frikë neurotike nga vdekja. Ai donte që njerëzit ta kujtonin të gjallë. Kështu, para vdekjes, organizoi funeralin e tij. Ai saktësoi që publikut të mos i thuhet asnjëherë vendndodhja e varrit të tij. Fshehtësia e plotë ishte e pazakontë; ngeli në mendjet e njerëzve; dhe dikush e bëri lidhjen dhe pyeti veten nëse Disney ishte ngrirë gjithashtu.
Please follow and like us: