Albspirit

Media/News/Publishing

Pjesëtarë të komunitetit serb kremtojnë 635-vjetorin e Betejës së Kosovës

Grupe pjesëtarësh të komunitetit serb u mblodhën sot në Gazimestan afër Prishtinës për të kremtuar Vidovdanin siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, përkatësisht 635 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës.

Në ditën e sotme të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtritë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar osman në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë përvjetorin si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Kremtimi në Gazimestan kaloi pa ndonjë incident, ndërsa policia e Kosovës që kujdesej për sigurinë nuk lejoi që pjesëmarrësit të mbanin mbishkrime nxitëse.

 Peshkopi i Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, Teodosije tha në një liturgji në Manastirin e Graçanicës se Kosova është vend i shenjtë për popullin serb.

“Asnjë deklaratë, rezolutë, asgjë e shkruar nuk mund të jetë më e fortë se kjo që është sot këtu në portën e manastirit të Graçanicës. Me këtë ne tregojmë se këto vende të shenjta janë tonat dhe se ne nuk do të heqim dorë nga vendet tona të shenjta e as nga Kosova jonë”, tha ai.

Ai kritikoi institucionet e Kosovës për siç tha ndalimin e hyrjes në Kosovë të patriarkut serb Porfirije të marr pjesë në kremtime. Autoritetet në Kosovë nuk kanë komentuar këtë pohim.

“Por, ata që mendojnë se me këtë do të arrijnë diçka, përkundrazi, tregojnë se kush janë, çfarë janë dhe cila është kultura e tyre duke e penguar sot kryetarin e kishës sonë të jetë me klerin, murgjit dhe besimtarët në këtë festë të Vidovdanit…”, tha peshkopi Teodosije.

Tridhjetë e pesë vjet më parë në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti serb Slobodan Milosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme, që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave

Tridhjetë e pesë vjet pas asaj dite Kosova ka hyrë në vitin e 17 të pavarësisë së saj të njohur nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Kosova e Serbia janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane, por ende pa ndonjë përparim të dukshëm.

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme Josep Borrell, por pa ndonjë përparim drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, paraqiti tri kushte për të çuar më tutje procesin. Ai këkroi zyrtarizimin e marrëveshjes përmes nënshkrimit, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në Bashkimin Evropian nga ish-kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, në dhjetor të vitit 2023 në të cilën thuhej se Serbia nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës, Kërkesa e tretë ishte dorëzimi i Milan Radojçiçit tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, për t’u përgjigjur për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në veri të Kosovës, me ç’rast u vra një oficer policie.

Kryeministri Kurti tha të premten gjatë mbledhjes së qeverisë se presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të respektoj asnjë nga kërkesat.

“Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Kjo bëhet me pranim në tërësi të marrëveshjes për të cilën kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj. Me zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm disa nene të saj, zbatimi i marrëveshjes do të nënkuptoj formalizmin, tërheqjen e letrës së ish kryeministres (Ana) Bërnabiç do të nënkuptoj seriozitet për fillim të zbatimit kurse dorëzimi i kryekriminelit (Milan) Radoiçiç dhe grupit të tij paramilitar do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, tha kryeministri Kurti.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, është mbajtur mëse nëntë muaj më parë, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe veprime të diplomacisë perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes, e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia

Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.

Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimit evropian.

Please follow and like us: