Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Humbëm, por gjithsesi dolëm të fituar

Të hënën mbrëma kombëtarja e përfundoi rrugëtimin në Kampionatin Europian. Tri ndeshje njëra barazim dhe dy të tjerat humbje. Përkundër këtij bilanci aritmetik, mund të thuash se vërtet humbëm, por gjithsesi dolëm të fituar. E di që tifozët e çartur mund të prishin buzët e të thonë: “Lëri sofizmat, humbja është humbje e fitorja fitore, arrin ose njërën ose tjetrën; shumë, shumë mund të dalësh barazim, por kurrsesi edhe i humbur, edhe i fituar. Dhe në rrafsh formal e mekanik patjetër që kanë të drejtë”. Por, jeta është shumë komplekse e shumë më e gjerë, kaq e gjerë dhe e larmishme sa nuk hyn dot e tëra në skema formale. Tri ndeshjet e kombëtares në këtë fazë të “Euro 2024” sollën një varg përfitimesh për të gjithë shqiptarët që i ndoqën drejtpërdrejtë apo në transmetime televizive.

Të gjitha llojet e sporteve, qofshin të luajtura nga një individ apo një grup individësh, vështirë se mund të krijojnë ndjenjë kaq të fortë përkatësie dhe identiteti sa ndeshjet e kombëtares së futbollit. Në fakt, ka një varg lidhjesh simbolike mes kombëtares dhe vetë kombit. Mund të përmendnim këtu përbërjen e skuadrës: një grusht shqiptarësh të rinj, që si rregull vijnë nga të gjitha trojet amtare, plus nga diaspora. Ky konfigurim mbarëkombëtar bëhet më i perceptueshëm dhe më veprues nga fakti që edhe tifozeria merr po këtë përbërje. Strukturimi i këtillë i skuadrës dhe i tifozerisë bën që gjatë ndeshjeve të përjetosh në rrafsh simbolik, qoftë edhe pavetëdijshëm, realizimin e çështjes ende të pazgjidhur kombëtare: bashkimin e të gjitha trojeve amtare dhe të të gjithë shqiptarëve në një njësi a etnitet.

Ndjesinë e përkatësisë në të njëjtin identitet kombëtar e bën më të gjallë fakti se, si kombëtarja, ashtu edhe tifozeria përdorin simbolet e rrënjosura dhe themelore të kombit si himni, flamuri, ngjyrat kuq e zi, këngë e slogane në gjuhën amtare etj.. Ekzistenca e kësaj shqiptarie simbolike si në fushë, në shkallët e stadiumit, por edhe në fanzonat e shumta, madje sado-kudo edhe në kafene, bën që secili ta ndjejë veten pjesë të së tërës.

Në rastin e “Euro 2024”, ndjesia e përkatësisë shqiptare bëhej edhe më e vepruese ngaqë grupi i stërmadh i sportdashësve ndihej i bashkuar jo vetëm rreth vlerash të trashëguara historike e kulturore, por sidomos e në radhë të parë rreth një vlere të ditëve tona: një futbolli bashkëkohor, të denjë që të konkurronte me dinjitet përballë skuadrash si Italia, Spanja e Kroacia. Krenaria për vlera aktuale shqiptare e bën më vitale ndjenjën e përkatësisë dhe të identitetit shqiptar. Vlerësimet për futbollin, turizmin, bukuritë natyrore etj., që po hasen përditë e më shumë në media të huaja prestigjioze zhbëjnë sado-kudo stereotipin mediatik për shqiptarin e jashtëligjshëm e mafioz të kultivuar gjatë dekadave të fundit. Veç kësaj, krenaria për vlera aktuale balancon sado-kudo manitë për mburrje përgjithësisht boshe për vlera stërhistorike, përgjithësisht të imagjinuara a të shpikura. Përtej ngjyrimeve patriotike, ndjekja kolektive e ndeshjeve të kombëtares merr vlera të shtuara sot, kur përditë e më shumë jemi të prirur të argëtohemi individualisht, të vetmuar para telefonit, ipadit, kompjuterit a televizorit.

Është kënaqësi që e has rrallë e më rrallë t’i ikësh vetmisë, të argëtohesh bashkë me të tjerë dhe të ndihesh pjesë e një grupi krejt të veçantë, ku mund të dalësh nga vetja e të bërtasësh sa të ha gurmazi, si të ishe në një turmë njerëzish parakë. Ndeshjet e kombëtares së futbollit dhe atmosfera që ato gjenerojnë, shumë më fuqishëm sesa në rrafsh logjik, veprojnë në rrafsh emocional. Spektatorët e aktiviteteve të kësaj natyre përjetojnë kalime të befta emocionale nga ngazëllimi në dëshpërim, nga ankthi në shpresë, nga pritja në zhgënjim, nga brohoritjet në skërmitje. Kjo larushi emocionesh dhe sidomos dinamika e shpejtë e rrjedhjes së tyre shërbejnë si një faktor i fuqishëm shkarkimi emocional. Në të njëjtën, kohë ndeshjet e kombëtares vijnë edhe si mjet arratisjeje, tifozi e sportdashësi ikin nga përditshmëria, nga hallet dhe shqetësimet për të harruar thuajse gjithçka, për t’i shpëtuar edhe vetes.

Elementët e shumtë të spektaklit qoftë brenda ndeshjes, qoftë në shkallët e stadiumit, por edhe në fanzona e në kafene bëjnë që sportdashësit të përjetojnë një proces katarsisi, të shkarkohen sado-kudo nga agresiviteti dhe mllefet që kanë përftuar brenda tyre shqetësimet e të përditshmes. Ky shkarkim e purifikim është shërbim i çmuar, vlerë që shtohet në jetën tonë të përditshme duke sjellë më pak stres e më shumë tolerancë e mirëkuptim. Këtyre mund t’u shtosh edhe përfitime të tjera dhe të thuash i sigurt se vërtet humbëm po në shumë aspekte dolëm të fituar.

 

Please follow and like us: