Eneida Jaçaj: NATO t’i kërkojë llogari Greqisë, për Ligjin e Luftës me Shqipërinë
Shteti helen shkel “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”
NATO t’i kërkojë llogari Greqisë, për Ligjin e Luftës me Shqipërinë, çështja çame, ende e pazgjidhur
Çështja çame mbetet të jetë një nga ngjarjet më të ndjeshme në historinë e kombit tonë, e cila mbart me vete shumë dhimbje, tortura, humbje të mëdha në njerëz, grabitje të pronave dhe nëpërkëmbje të identitetit të popullsisë shqiptare, në Jug të vendit. Ajo që është akoma më e dhimbshme dhe e turpshme, është se në ditët e sotme mbetet ende e pazgjidhur si çështje, duke “legjitimuar” krimet dhe padrejtësinë e shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare çame. Ashtu si në shumë raste të caktuara, edhe këtë herë, ishin Fuqitë e Mëdha ato që u tallën dhe i hapën rrugën padrejtësive në kurriz të popullsisë shqiptare, duke i dhënë dritën jeshile Greqisë për të aneksuar Çamërinë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913. Pas suksesit të shteteve ballkanike ndaj Perandorisë Osmane, Konferenca e Paqes do të shpërndante tokat, duke kënaqur vendet pjesëmarrëse në luftë, në këtë rast edhe Greqinë. Interesat ogurzeza të “kokave” të larta të botës nuk morën parasysh dëmet e mëdha që iu shkaktuan shqiptarëve, duke nisur që nga krimet çnjerëzore e deri te grabitja e pronës. 27 Qershori i vitit 1944 do të shënonte agresionin më të egër të Greqisë ndaj shqiptarëve, kur forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë, burra, gra dhe femijë.
Greqia vijon ende të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, duke mos kërkuar falje publike për 2900 viktimat, për 40.000 vetat e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura. Greqia mashtron edhe me tekstet shkollore, ku iu mëson fëmijëve grekë për 8 mijë varret boshe greke, të hapura prej popullsisë shqiptare, duke mbjellë urrejtje dhe shtrembërim të informacionit te brezat e rinj. Aq më keq akoma kur mban në fuqi Ligjin e Luftës të vitit 1940 me Shqipërinë; ky është paradoksi më i madh se si një vend anëtar i NATO-s i ka shpallur luftë një vendi tjetër po anëtar të kësaj organizate. Nëse SHBA do të ftonte në bisedime krerët e politikës së jashtme shqiptare dhe greke, ky ligj do të hiqej brenda një sekondi. Greqia ka përfituar nga lëshimet që i janë bërë, dhe e përdor këtë ligj sa herë që i duhet për t’i bërë presion Shqipërisë. Greqia ka patur mbështetje të madhe nga SHBA, Britania, Gjermania, të cilat nuk e lanë të binte në kthetrat e ekspansionit rus, ndërsa Shqipëria bëri shumë hapa mbrapa me vendosjen e diktaturës komuniste nga Enver Hoxha. Një Greqi e hapur dhe e zhvilluar ekonomikisht, e kishte më të lehtë të bënte lojë të poshtër politike me Shqipërinë e varfër dhe pa mbështetje. Nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie, kurrfarë interesi, as nga politika shqiptare për të lëvizur gurët në drejtim të çështjes çame. Edhe pse kemi një parti çame në politikë, PDIU, ku u duk se do t’i hapej drita jeshile çështjes më të ndjeshme në Jug të vendit, për t’u ulur në bisedime me krerët e politikës greke, por gjithçka ka mbetur në tentativë për shkak të interesave politike.
Qeveria e kryeministrit Andrea Papandreu, në vitin 1987, e hoqi Ligjin, por Kuvendi i Greqisë e rrëzoi duke bërë një lojë të pistë. Siç dihet edhe nga faktete historike, Greqia i ka shpallur luftë Shqipërisë, pasi Italia i dha ultimatumin Greqisë të pranonte pushtimin. Kështu, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë, më 28 tetor 1940. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë, Konstandin, nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve, pasuri armike”. Njëkohësisht, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”.
Nuk mund të përmendim vetëm masakrën e ushtrisë greke, me gjeneral Napolon Zerva, të viteve 1944-1945, por duhet të theksojmë se genocidi në Çamëri ka filluar që në vitin 1913, 1918, 1924, 1936. Greqia mohon njohjen e pakicës kombëtare shqiptare dalë nga Marrëveshja e Lozanës 1923-1924. Sipas studimeve, vetëm në Greqinë e Veriut, në 1913, ka patur rreth 100 fshatra që flitej gjuha shqipe, ndërsa sot kemi rreth 40 fshatra që ende flitet shqip. Bëhet fjalë për Kosturin, Follorinën, Edesën, Selanikun e deri në Evros në kufirin greko-turk të Trakës. Greqia është një nga shtetet më raciste, e cila duhet të fillojë punën nga vetja, dhe më pas të kërkojë falje për krimet ndaj shqiptarëve dhe t’u kthejë atë që u takon.