Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Dritarja e Marin Shkrelit

Fragment nga romani
Ti – nëse ishe italian, i përkisje botës romake, qytetërimit shpirtëror të krishterë, që ka krijuar një ngrehinë artistike mahnitëse, i përkisje Virgjilit e Dantes, Petrarkës e Buzzatit, pizzave e espresso-s, qyteteve magjepse, si Venediku, Firencja e Roma, që kishin shtangë me bukuri sa e sa shkrimtarë, i përkisje jetës së futbollit e modës, por nëse ishe shqiptar, ç’ishe ti, çfarë barre mbaje me vete?
Marinit i skuqen faqet, i bëhet sikur të ndodhet në ato orët e hershme të historisë, tek shikonte i frikësuar mësuesin përpara me thupër në dorë dhe e pyeste me zë të lartë: kush je ti? Dhe ai atëherë mendohej e mundohej ta kuptonte vërtet kush ishte ai?
Sepse, në jetën e tij kishin parakaluar shumë jetë, lëkura e tij ishte përplot lakore kohësh, ku kishin parakaluar gjithfarë njerëzish.
Fol, idiot, i tha vetes dhe një përvëlim i lëviz nëpër trup, si një insekt që e pickon dhe ia nduk lëkurën, fol idiot.
Marini kujton: gjyshërit e mi me dokumente ishin osmanë, prindërit jugosllavë edhe unë disa vite si fëmijë kam mbajtë një pasaportë të tillë, jugosllave. Pastaj, ne u bëmë pjesë e atij identiteti të dhunshëm serb, me letra, tani jam kosovar, nesër, mendon vet me vete, nesër kush do të jem?
Marini shijon ndjenjën e pakëndshme të krizës identitare të shqiptarit, që zgjohet perëndimor e bën ditë si oriental e bie në gjumë në ëndrra kozmopolite, të shqiptarit që përherë e përkundin të tjerët në një djep, që as ai s’e di kush ia ka ndërtuar.
A do të jemi një ditë njerëz?
Jo, kjo s’është pyetje që duhet bërë.
Dhe një marramendje përpak sa s’e rrëzon përtokë.
Në të vërtetë, ai e urren forcën që përfaqësojnë kufijtë në jetën njerëzore, ngaqë i pandeh si barrë e tmerrshme për të e për njeriun e lirë, për Njeriun që në thelb dëshiron të jetë Njeri. Por, në rajonin e tillë, njerëzit ngjisheshin nëpër maratona urrejtjeje, josheshin që të bëheshin me etiketa e identitete dhe harronin të luftonin për atë thelbin e ekzistencës: identitetin njerëzor.
Please follow and like us: