Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo

Sergej Esenin: E SHTRENJTA IME TI RUSI

 

Të përshëndes e shtrenjta ime ti Rusi,

kasollet e qëndisura me muline të artë,

që nuk ke fund dhe as fillim e gjithsesi,

syri të thith veç kaltërsinë, që qielli mbart.

 

Si pelegrin dhe vizitor rri dhe sodis,

stepat e tua pa mbarim fushat e gjera,

dëgjoj kërcitje plepash ndënë tis,

tek thahen dhe veniten në humnera.

 

Aromë e mollës dhe e mjaltit ndër qiri,

përhapet tempujve nga Krishti Shpëtimtar,

dëgjohen himne madhështore me furi,

dhe hyjnë në valle arrat dhe livadhet mbarë.

 

Do rend i vetëm monopatit gjarpërues,

mbi barin tënd të lirë që jeshilon,

dhe do takohemi në kataraktin bubullues,

ku qeshin vajzat me një afsh që vezullon.

 

Dhe kur shenjtori qiellor të më thërrasë,

“Lere Rusinë, pse në parajsë do rrosh”!

Unë do t’ i them: “Na lër me gjithë parajsë,

veç në Atdhe ia vlen që të jetosh”!

1914

Shqipëroi: Arqile Garo.

Please follow and like us: