Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Ata mbeten vrasës

Pyetja e dytë, pas së parës “sa rrezik ka për jetën?” qe: “Po si dreqin u krijua kjo masë?” Me këto dy pyetje u mundua e sforcua sistemi nervor i familjes sime dhe siç mësova në radhët e gjata të onkologjikut edhe ai i mijra shqiptarëve të bërë palë në zagushinë sfilitëse të korridoreve të pritjes. Dhe përgjigjet plaseshin atypari plot mllef e frikë bashkë, ushqimet, që hamë, uji që pijmë, ajri që thithim, ilaçet e skaduara që tresim, mërzia e ankthi i çmendur i Shqipërisë që durojmë…

Jo më larg se një javë më parë, në program përpos ekspertëve, mesazhe të panumërta më vinin përgjatë tre emisioneve me temat e helmimit të mjedisit nga mos menaxhimi i mbetjeve, abuzimet me check-up-in, laboratorët, tenderat në shëndetësi, ndërtimet pa kriter, ndotjen e paimagjinueshme të ajrit dhe kequshqyerjen nga mungesa e kontrolleve dhe dështimi me prodhimin vendas.

Vetëm në tri ditë më erdhën si ortek përgjigjet për pyetjen e dytë, meqë historia familjare me tumoret nuk ndihmonte kthjellimin e arsyeve të shfaqjes së tumorit në trupin e sime mëje dhe shumë pacientëve, që po njohim në këtë rrugëtim.

Nëse një hetim mbi vrasjen me paramendim të shqiptarëve, tkurret veç tek monstruoziteti i disa bluzave të bardha, duke dirigjuar ndyrësisht marazin shoqëror drejt “gijotinave” publike joshëse, që i krijojnë përgjegjësit edhe më të mëdhenj për të larguar vëmendjen prej tyre, ky do të qe krim edhe më i madh ndaj një popullsie që tkurret jo vetëm prej ikjeve, por sidomos vrasjeve me paramendim nga përgjegjës me pushtet.

Flisni me policë të ndershëm e do t’ju dëshmojnë se shumica e aksidenteve fatale shkaktohet nga njerëz të droguar, në vendin ku tregëtohen e trafikohen lehtshëm drogat e rënda. Flisni me shkencëtarë të ndershëm e do t’ju dëshmojnë se si ushqimi i kontaminuar, plot kimikate, me konservantë, pesticide, nga tokë e helmuar, i mbjellë në kushtet e babëzisë, nga kafshët e sëmura, importuar pa asnjë kontroll, po vret përditë si armë e shkatërrimit në masë.

Flisni me mjekë të ndershëm t’ju tregojnë se sa pak janë për të përballuar fliksin e lartë të pacientëve, ç’paga kanë, se a ekziston “shëndetësia falas”, se si përditë sfidohen nga privati me paga e çmime të pakrahasueshme, se si privati vret përditë prej pamundësisë së pagesave të larta tek masa e popullsisë së varfër, që nuk gjen derman në publikun gjithmonë e më të sulmuar e dërrmuar si gjithçka publike në këtë vend, që s’ka më as takat e as mjekë se ashtu i leverdis cave. Se si investimet e lëvdueshme në publik dhe korrektesa e mjekëve në sakrificë kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish, por nuk ia dalin dot presionit të mafies farmaceutike, shëndetësore e një sistemi të kalbëzuar korruptiv.

Flisni me farmacistë të ndershëm e do t’ju dëshmojnë sesi barnat e skaduara ripaketohen e shiten nga mafia e ilaçeve pa asnjë pengesë shtetërore, sesi lulëzojnë privatët e farmacive të kontrabandës mu nën hundën e drejtuesve spitalorë e shtetërorë, mu në derë të spitaleve publike. Se edhe mjekimet për kancerin, që shteti i ka monopol dhe ca kriminelë ua privojnë pacientëve për qëllime fitimi, pra edhe vetë mjekimet e importuara nuk janë cilësore. Pra kriminel edhe monopolisti, shteti, që nuk kontrollon cilësinë e ilaçeve, që duhet të shpëtojnë jetë. Ta thonë vetë mjekë e ekspertë: “Blijini jashtë, se nuk bëjnë tonat”! Dhe kjo është vrasje e dyfishtë…

Flisni me stazhierë e infermierë të ndershëm e t’ju dëshmojnë se si dyndet në Tiranë e gjithë Shqipëria, se spitalet e rretheve lëngojnë për mjekë e kushte. Sesi po bëhen gati të largohen drejt Gjermanisë breza të tërë specializantësh, që duan të shërbejnë me devotshmëri e jo të torturohen mes pamundësisë për të shpëtuar jetë njerëzish e për t’u zhvilluar profesionalisht. Flisni me ekspertë të ndershëm rrugësh t’ju tregojnë se çfarë katastrofe konsumohet përditë nga cilësia e tmerrshme e tyre dhe mungesa e sigurisë nga punët e lëna përgjysmë a të bëra si mosozot, pa kontroll.

Flisni me specialistë të ndershëm mjedisi t’u tregojnë se me çfarë mbushim përditë mushkëritë. Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekjeve në rajon si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit, që krijohet nga kombinimi i gazrave të dëmshëm që emetojnë automjetet nga mosdjegia e plotë e karburantit apo cilësia e dobët e tij, nga transporti publik nën standard me një flotë të vjetëruar autobusësh dhe planifikimi i dobët urban e ku qytetarët e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në trafik, sepse metoda më të favorshme transporti dhe efikase për mjedisin nuk ka. Shqipëria mat vdekshmërinë më të lartë nga ndotja e ajrit prej materialeve të ndërtimit pa fre, ngushtimit të qarkullimit të ajrit prej kullave e pallateve, mungesës së gjelbërimit, shkatërrimit të hapësirave të shëndetshme publike.

Flisni me KLSH-në për të mësuar se paaftësia për të matur dhe publikuar të dhëna të sakta për ndotjen e ajrit lidhet, sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit me neglizhencën e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të siguruar fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues të stacioneve të monitorimit të ajrit dhe sesi ato të dhuruara një dekadë më parë nga Bashkimi Europian u lanë të degradohen të paktën gjatë viteve 2019-2022.

Flisni me pedagogë të ndershëm t’ju tregojnë se prej një dekade, nuk ka asnjë studim të publikuar për pasojat e ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve shqiptarë– një detyrë e Institutit të Shëndetit Publik dhe se qëllimisht nuk publikohet, me qëllim, që qytetarët të mos vetëdijësohen për problemet e jashtëzakonshme mbi shëndetin me të cilat po përballen. Flisni me specialistë laboratoresh prestigjoze ndërkombëtare, që kanë bërë matjet e ndotjes vdekjeprurëse në ujin në rubinetat e shtëpive dhe shishet e tregtueshme në vend. Do lebetiteni se çfarë ekspozimi kemi ndaj tumoreve e sëmundjeve fatale.
Flisni me gazetarë të ndershëm t’ju dëshmojnë si kërcënohen, denigrohen e shantazhohen kur kërkojnë përtej show-t mediatik thelbin e arsyes së krimeve të çdo lloji. Se si drejtësia vret përditë me ngadalësinë a mosveprimin e saj mbi autorët e batërdisë së kriminalizimit shoqëror.

Flisni e flisni me njerëz të mençur e të ndershëm të këtij vendi se çfarë po vret shqiptarët në masë e do ndërgjegjësohemi se karakteri i poshtër i ca mjekëve, që privojnë pacientët me kancer nga mjekimi është po ai i qindra përgjegjësve me pushtet vendim-marrës, që po vrasin përditë njerëz duke u shkaktuar diagnoza terminale si një grup i strukturuar kriminal.
Se ia vlen të kryqëzosh kë privon pacientin me tumor nga mjekimi, por po aq duhet gjykuar e kryqëzuar shkaktari i tumoreve në masë. Flisni me mendjet e ndritura të shkencës, do t’jua tregojnë burimin vrastar dhe shkaktarët. Nuk duhet lënë tek mosmenaxhimi i pasojës drejtësia për jetët e njerëzve. Por duhet shkuar në kërthizë të skandalit, sidomos tek shkaku, shkaku, që bredh e kapardiset i lirë e me buzëqeshje kur pacienti përleshet me mjekun.

Sot duhet folur për krime kundra njerëzimit, jo në një luftë ndëretnike, as mes superfuqive, as prej pushtimi e as prej kamikazësh terroristë. Por për vrasjet masive të shqiptarëve prej shqiptarëve. Dhe se “gijotinat” e orientuara publike janë mjeti më efikas për t’i shpëtuar gjykimit në duart e përgjegjësve madhorë, që vrasin gjakftohtë herë me dijeni, herë me korrupsion, herë me paaftësi, herë me indiferencë. Por mbeten njëlloj VRASËS.

Please follow and like us: