Alfred Mirashi Milot, shpirti krijues që farkëtoi çelësin e hapjesë së dyerve të kohrave
Nga Albert Vataj
Për piktorin dhe skulptorin, Alfred Mirashi Milot, për farkëtarin e çelësit që i çel botës shpirtin e artistit, fama është fakt, modestia i mbetet vlerë e lartësuar në njerëzoren e një krijuesi, vepra e të cilit është Golgota drejt “kryqëzimit”. Ai ka zgjedhur të mbetet ai, fati i fituar me thonj e me dhëmbë, e shkuara e ngulitur thellë në kujtesën e atyre përvojave ngjethëse të sfidës, për të guxuar më shumë se sa mundet, për të merituar gjithçka që është shpërblim dhe meritë e dinjitetshme.
Prolog
Bota, shtëpia e fatit të përbashkët, s’mundi të ishte e tillë në kohën që mbeti e huaj, pas drynave të kyçur, pas dyerve të rënda, e kodeve mistike të historisë, fateve, sfidave, sakrifikimeve, gjakimeve dhe ndalimeve. Ngado jetën tonë e rrethojnë mure, ndalime, pengesa, pakalueshmëri, caqe, kufinjë, privime, mosdakordësi. Gjithçka e jona është e kyçur. Fati i trisht i rebelimit biblik e përndjek kurajën tonë të çmendur që nga Kopshti i Edenit, deri te Molla e Kafshuare e Steve Jobs. U orvatëm nëpër kohë me ngulmin për të zotëruar botën, për të shtytur tej caqet e së mundshmes, por gjithçka e jona mbeti e kyçur deri në ditën kur një artist do të nxirrte nga thellësia e deteve të mistershme, e nga rebusi antik i enigmave, të rrëmbente me shpirtjen e një anteu, çelësin e çeljes së gjitha dyerve. Alfred Mirashi Milot është artisti që do të guxonte me ide dhe me art, t’i jepte botës çelësin e hapjes së portave, të dëshmonte me pushtet Prometheu, fuqinë e sundimit mbi errësirën, si mbi mundësinë që i nënshtrohet çdo vullneti sovran drite. Ai nxori nga zgafellat e kohës, të drejtën legjitime për të merituar një botë pa kufizime, një tashmëri që kapërcen të gjitha pengimet, për të përftuar të drejtën për të zotëruar çdo mundësi përmes lirisë. Përballë çdo dere, porte… çdo kyçjeje, Alfred Mirashi jep një çelës dhe çdo pengimi artisti i ofron plotpushtetin e fuqisë së idesë dhe artit, gjithsiështë e tansiplotë, shpirtin që i blatohet çdo perëndie dhe vullnetit që i jepet çdo force besimi.
Alfred Mirashi Milot, “Skulptori i Vitit” 2021 në Kiev
Siç edhe mund ta keni mësuar, së fundi, Alfred Mirashi Milot fitoi çmimin “Skulptori i Vitit” 2021 në Kiev, një vlerësim ky që e ngre artistin shqiptarë në panteonin e korifenjve të artit, anipse pa mundur ta lartësojë sa na mbetet borxh, në vetëdijen e kombësve të tij.
Artisti shqiptaro-italian, Alfred Mirashi Milot, ai që zgjodhi rrugën e rrezikut përmes eksodit biblik, për të mbërritur ëndrrën, jeton dhe punon në Firence. Ai shquhet mbi të gjitha për veprat e tij të jashtëzakonshme të skulpturave monumentale, cak që prejvjen nga një përvojë e gjatë dhe e suksesshme në pikturë ku edhe udhëpriu krijuesin s’brendshmi. Së fundmi, Miloti është duke realizuar në Avellino, “Çelësi i Montevergines” një vepër gati 50 metra, e cila me shumë gjasë është një nga skulpturat më të mëdha në Evropë, të bëra prej çeliku Corten. Çelësat e tij të deformuar shprehin intensitet, nerv dhe puls të tendosur në ngulmin e shpirtshëm për të nënshtruar çdo pengim, për të luftuar në çdo fushëbetejë, për të triumfuar mbi çdo pamundësi. Me instalacionet e tij, Alfred Mirashi i dërgon një mesazh botës rrathekrah se: “Nuk duhet t’i mbajmë dyert tw mbyllura. Të gjithë duhet të kenë mundësinë të realizojnë ëndrrat e tyre”. Çelësat e tij si instilacione ka marrë statusin si “Çelësi i Bashkimit ”, një forcë kjo që synon të zgjojë shpresat, për dialog të hapur, drejt një progresi në themel të aspiratës së paqes së popujve.
Njerëzorja e një artisti të mbuluar me lavdi
Alfred Mirashi Milot është një artist i përmasave globale, por edhe qytetar i një universi të papërshkrueshëm njerëzor. Modestia e tij nuk e zbeh yllin e famës, përkundrazi, bën që ai të shkëlqejë gjithnjë e më rrezellitës në qiellin e mrrolet të narcizizmit që ka kapluar botën tonë dhe ëndjen e shpirtit për pafundësi. Dukshëm atë forcë në shpirtjen e tij drejt krijimit, e udhëprinë një dritë, lindur në skaj të një bote të varfër, që shndriti përmes diejve që ndezi ai në ëndjet që i shndërroi në ëndrra. Ai, Alfred Mirashi Milot, të vetmin çelës që kyç ka atë të kujtesës, atë të së shkuarës, e cila shpesh nuk i bindet, por i del stuhishëm përmes penelit dhe shpirtit, për t’i dëshmuar më shumë se atij, botës, se zemrat e dlira e vullnetet e paepura, janë të vetmet forca që arrijnë të mposhtin çdo ndalim, t’ia dalin çdo sfide. Artisti te Alfred Mirashi Milot, do të guxonte më shumë se me art, me ide, dhe në kryeradhën e kësaj ndeshjeje gladiatorësh është prejardhja e tij, e cila edhe pse i është bërë barrë dhe pengim, ai kurrë nuk e ka hedhur, por e ka mbajtur sado e rëndë që ish, dhe e ka përfaqësuar si një thirrje gjaku, dhe jo si një shprehje e mbështetjes dhe pranimit, që dukshëm nuk ka shënuar ndonjë shtysë në atë që ai ka arritur. Dhe është pikërisht vendlindja e tij ajo që u bë shkas që nga thellësia e një forcë krijuese, ai të zgjonte një uragan talenti dhe ti tregonte botës, se ikanakët e fatit të trisht nuk janë barbarë, por një komb i qytetëruar, një identitet që ka guxuar të përfaqësohet në botën e madhe me njerëz të mëdhenj të dijes, artit, besimit, penës, parmendës dhe penelit.
Dimensioni i shpirtit krijues
Alfred Mirashi Milot nxori nga thellësia e kohës të drejtën për të merituar një botë pa ndalime. Miloti, ky shpirt i paepur mëkimi artistik, kjo vullnesë e lartësuar në bekimin e hyjnisë së denjë për sakrificë, ka “farkëtuar” çelësin që hap çdo portë dhe mbyll çdo pengim, çelësin që hap zemrën e tij dhe ia tregon botës si provë e fuqisë transformuese që ka ndjenja, forcës mrekullibërës që mëkon arti. Ai beson në atë që ka sakrifikuar një jetë… dhe është arti që ai bën, krijimi, me të cilin ai përfaqësohet, ajo çfarë e ngre në eterin e vlerave, ajo çfarë e dëshmon artistin tek ai.
Përballë çdo kyçi, Alfred Mirashi Milot, ka një çelës dhe çdo porte të mbyllur, ai ofron fuqinë e idesë dhe artit, jep një çelës për kuptimësinë e botës, për një mundësi dhe shans, për një detyrë dhe të drejtë, për ç’burgosjen e idesë dhe mendimit, zbërthimin e çdo misteri dhe rebusi. Dhe është arti i tij, ajo ligjshmëri që ngre në vepër krijimtaria, ligjërim që mbërrin te lutja e duarve që zgjaten dhe zemrave që duan.
Artisti dhe arti i tij
Alfred Mirashi Milot, artist, vepër, krijim, shpirtje hovesh për guxim, vullnet i mbrujtur dhe mëkuar me bujarinë e një zemre dritur në mirësi… ka një qasje sa unike aq dhe origjinale. Dhe e gjithë kjo, pas së cilës ai ngulmon në një përpjekje titanike për të kapluar, atë çfarë ëndrra e tij ka projektuar, është sfidë të asaj që beson dhe sprovë të asaj që ai mundet. Bota e ka rrokur me adhurim dhe vlerësim aktin e hyjt të krijimit të shqiptarit, Alfred Mirashi Milot dhe ai është ngjitur në podin e fituesit, i dinjitetshëm dhe meritues për atë që ka arritur, për veprën që e përfaqëson, për vlerat që e bëjnë atë të ndihet i realizuar dhe ne të jemi krenar. Ai flet dhe vepron me art, me një fuqi të tillë transformuese, sa ti japë botës çfarë ajo ka më shumë nevojë, liri dhe mundësi, shpërblim për çdo përpjekje, nderim për çdo arritje, altar për çdo besim.
Epilog
Miloti çel një botë dhe kyç një mendësi, duke na ftuar të gjithëve të tregojmë, se edhe ne sikurse ai, kemi në duar një çelës që na mundëson hapjen e një dere dhe dhurimin e një shansi. Ai që dha një shpirt për të çelur zemra, ai na mëkoi se ëndrrat tona janë dyer dhe hyrja brenda tyre janë ajo çfarë ne meritojmë si shpërblim të asaj që guxojmë. Arti në duar e Alfred Mirashi Milot, është një skeptër pushteti i arsyes që i qaset botës si çelës. Tablotë dhe skulpturat e tij monumentale janë forca shprehëse, me të cilën ai ka arritur të mbruj një emër vlerash krijuese, gjithashtu të përligj çdo të drejtë tonë, të ndihemi krenar dhe të obligohemi mirënjohës.