Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: KATËR MOTIVE SHEKSPIRIANE

WILLIAM SHAKESPEARE (1564-1616)
Kjo poezi e Shekspirit është marrë nga tragjedia ‘’Makbeth’’ dhe është përfshirë nga poeti i njohur Laureate Ted Hughes si njëra nga 101 poezitë botërore që njeriu duhet t’i dijë përmendsh gjatë jetës së vet.
Këtë poezi mund ta dëgjoni në linkun që miku im i nderuar, aktori dhe regjizori Mevlan Shanaj, ma dërgoi të lexuar dhe interpretuar prej tij! Eshtë një dhuratë shpirtgjerë që ai ma pat dhënë mua dhe miqve para disa muajve dhe tani u kujtua të na e dërgonte përsëri!
KJO NESËR, NESËR, NESËR
Kjo Nesër, Nesër, Nesër,
Na heq zvarrë me çapa të vegjël nga dita në ditë,
Der’ tek rrokja e fundit e kohës që mbajmë mend,
E të gjitha të Djeshmet mashtrueshëm na kanë sjellë në pritë
Në rrugën e Vdekjes së pluhurt.
Shuaju, shuaju, o qiri jet’shkurtë!
Jeta nuk është gjë tjetër veç një hije që ec a një aktor i mjerë
Që në një orë të vetme fryhet, e pastaj është gjithë pezmatim,
E pastaj harrohet. Jeta është një përrallë,
Q’e tregon një i marrë gjithë tinguj dhe tërbim,
Që nuk thotë asgjë e nuk ka asnjë kuptim.
Shqipëroi: Rudolf Marku
Boris PASTERNAK
1890-1960
HAMLET
Mërmërimat shuhen; hyj nga anësoret,
Përkulur në tunelin që të çon në skenë.
Përpiqem të kap një jehonë në distancë,
Hypje-zbritjet e fatit që në botë marrin dhenë.
Mijëra tejkqyrëse teatri më shohin,
Përmës errësirës më drejtohen në sy;
O Ati im, të lutem bëj të mundur,
Që kupa e helmit tek unë të vijë.
E dua kokëfortësinë e papërkulur tëndën,
Isha gati të luaj at’rol që m’ kërkon;
Por drama të tjera tani luhen në botë,
Më nxirr nga kjo shfaqje sa nuk është vonë!
Aktet e dramës tashmë janë shkruar,
Dhe nga rruga e nisur nuk ka më kthim,
Jam i vetëm, në një det filistinësh tek mbytem;
Jeta nuk qënka mes fushave, një udhëtim!
1941 (përfshirë më vonë në romanin ‘ Doktor Zhivago’)
Shqipëroi: Rudolf Marku
Sadik BEJKO: HAMLETI
Kjo poezi e poetit Sadik Bejko është botuar, nëse nuk më gabon kujtesa, në vitin 1972. Një poezi që tërhoq menjëherë vëmendjen e lexuesve. Ismail Kadare e lavdëroi këtë poezi, duke treguar se si, gjatë vizites së tij në Elsinor, te Kështjella e Hamletit, Danimark, pak muaj më vonë, i kishte ardhur ndërmend vetvetiu pikërisht kjo poezi e Bejkos! Koha kur poetët lavdëronin krijmtarinë e mirë poetike mes kolegësh, dhe kjo nuk përbënte asnjë çudi.
Kur në histori fryjnë erërat
dhe shemben muret e kalbura të botëve,
kur kombet, shtetet shkunden si fletët
në vorbullën e madhe të shqotave,
ti vret naivitetin e shkollarit,
vështron shekujt nga kështjellat bosh,
braktis skenat, del prej ekranit,
nuk pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh”?
Pa i hedh përsipër dashurisë,
shtjella monologësh si savanë:
kënga e fundit e mjellmës Ofeli,
fashitet brigjeve, ujërave në valë.
Dhe ecën mespërmes tragjedisë
nën monologët e ankthët si nën barrë,
shkel e harron ëndrrat e rinisë
në erë e mjegulla kurthesh vërdallë.
Kur në histori fryjnë erërat e janarit,
kur shemben skenat, ekranet mbesin bosh,
ti me shpatën në emër të birit e të atit,
nuk pyet më: të rrosh a të mos rrosh?
Rudolf MARKU
(Poezinë më poshtë e kam shkruar dhe botuar në vitin 1984. Është recituar në një Festival të Poezisë në vitin 1989, në një kryeqytet ballkanik).
AKTORËT SHEKSPIRIANË
Në sallë u shua dhe duartrokitja e fundit
Veç fëmija më i vogël tek dilte kthente kokën pas,
Sikur ta dinte se pikërisht tani është koha.
Pa hequr rrobat e aktorëve, pa çbërë makiazh,
Nga prapa perdesh të rënda dalin aktorët;
Hamleti me vrasësin e të atit shkëmbejnë duhan,
Dhe thonë se plazhin do ta kalojnë bashkë,
Duke ndërruar pikëpamje të njëjta kundër fantazmës;
Makbethi me thikën e Bankos qëron një mollë
Dhe e ndan përgjysëm me mbretin Dunkan,
Romeon e pret një ftesë për divorc,
Me gruan e tij të dashur Xhuljetë,
Dhe të gjithë këto pa perde, pa biletë !
Please follow and like us: