Tonine Hido: “Alizot Emiri, njeriu, libràri e gàzet fisnike”
Më duhej të gjeja kohën “brenda vetes”, gjatë këtij muaji për t’iu thënë ç’përjetova duke lexuar librin “Alizot Emiri, njeriu, libràri e gàzet fisnike” (libri i dytë), edhe në çastet e pakta që u pamë në promovim.
Ju përgëzoj çiltër nga zemra, me nderimin më të madh, kur mban lart aq bukur, në vendin që i takon të vlertin babain tuaj, mikun e bashkëqytetarin tonë të paharruar, Alizot Emiri. Sipas meje, ky thelb nderimi mbetet kryefjala e librave që shkruat për të: një reflektim dinjitoz i gjithçkaje fali deri në fund të jetës, mbushur dashuri, përkushtim familjar e shoqëror, plot qytetari të natyrshme dhe fisnike, me të cilat mbështeti dhe pasuroi traditën përmes punës e humorit. Shkurt, ai la pas thelbin etik të asaj që lë gjurmë të thella, të cilat flasin për këdo. U ndjeva mirë, kur ju pashë vëllezërit, me familje dhe peshonit rëndësishëm, në përfytyrimin tim si e moshuar, besimtare, shoqërova vetin në ato çaste buzëqeshjen e Alizotit nga “lart”, që me krenari të përmbajtur vazhdon t’iu bekojë, në “arën” që mbolli.
Na bëtë edhe ne të privilegjuar, duke na çmuar “unin”.
I nderuar Shpëtim, më lejoni të vazhdoj mendimet e mia modeste, të pathëna në promovim për arsye kohe dhe synimit që shpesh e devijon imponueshëm mjedisi. Si çdo lexues, së pari filloj me ndjeshmërinë që përftohet gjatë lëçitjes fjalë më fjalë të librit, duke titulluar sipas titullit tim “Takim me Alizotin”. Më mbajti lidhur, mos të hiqja dorë, për ta shijuar gërmë për gërmë, s’e teproj po të them që shumë fjalëve, konteksteve a pasazheve të gjata u jam rikthyer, sepse copëza jete më vinin të freskëta, natyrshëm, me çiltërsi konstante, gjer në fund, për shumçka. Bindshëm them që keni ridimensionuar ”oazet” plot humor të hollë, e të paramenduar mirë nga “origjinali”, por i vazhdon dhe vetë me kujtimet, interpretimet, referencat e burimeve, ndaj të cilave krijohet “gaz mbi hare”, si në valle dasmash, ku vargu i gjatë kërcimtarësh bëhet dyshe, treshe, që të gëzojnë pafund. Është një spirale konike, shtresa – shtresa, mbështetur mbi një bazë të fortë terreni lokal, elitar, tradicional. Mirazhi që fal leximi, sipas meje, ndodh falë një shkrirjeje harmonike midis “vatrës” origjinale të ngjarjes dhe trajtimit, interpretimit që bëni ju me një skenë perfekte, ku thirren aktorë të kohës, të cilëve regjizori u ka dhënë përmasa mbresëlënëse, të besuara. Prandaj, shpreha që promovimi i librit e kishte vendin pikërisht në shtëpinë–muze “I. Kadare”, ngaqë tërësia e temave, subjekteve, portreteve, jetës, thënapathënave gjallon mistershëm në veprat e shkrimtarit, si “Kronikë në gur”, “Qyteti pa reklama”, “Darka e gabuar” etj; mund të them që, po t’i lexonte Alizoti ca nga të fundit, me siguri do t’i vazhdonte me stistjet e mençura piperdjegëse për ngjarje, situata dhe personazhe të veçanta… Ndjeshmëria gjatë leximit buron edhe nga fakti që secili në Gjirokastër ndjehet i përfshirë: në rrugët që kalojmë, ngjarjet e dëgjuara, qoftë jetuar në fragmente, kujtime personale dhe të lexuara, nga që libri juaj, fund e krye ka “majanë” gjirokastrite; bën bukë gazi, mirësie, ndikimi në çdo shtëpi. Pa sforcim, si frymë jete hyn “personazhi” kryesor i mirëpritur nga të gjithë, për librat e mendjen e bukur që ka, për t’u thënë që në jetë peshorja nuk rëndon nga postet, paraja, krekosja, ligësia etj. Sa larg tyre!…
Është kuptimplotë fakti që njohim nga jeta, por na e sjell dhimbshëm edhe libri: Heroi ynë, dënuar për hiçmosgjë si “armik i popullit”, nga “koha” duhej mënjanuar, përbuzur, se mund të qe i “rrezikshëm”, qoftë pas daljes në “liri – të burgosur”, mes “skllevërve të lumtur”. Përkundrazi, heroi i librit çmohet e nderohet, si njeri i mirë që s’pushoi të qënurit “repart i gatshëm” për gallata, duke “shkundur thesin e miellit plot humor”. Librat-lule mblodhën bletët e çdo zone. Libraria e tij ishte, mbeti dhe do të kujtohet si qendra e shpirtit, mendimit e fjalës së vërtetë qytetare. E quajnë “institucion”, “personazh proverbial”, “enciklopedi”, etj. etj. dhe të gjitha më duken pak. Është “Muze” më i sofistikuar, nga ç’kalojnë me të qeshura duke lexuar, e kujtuar, e kaluar cekët, disa. Mjediset, shtëpi e rrugëra allasoj ku ecin fletët e librit, lokale dhe fasada, pezule, sheshe të nominuara vendçe, gjer te “masivi” guror që shtangu frymën e qytetit, hyjnë si pavione tepër interesante që duhen shtuar si ornamente të strukturës së qytetit, për të cilat bashkë me të tjerat Gjirokastra çmohet e mbrohet si pjesë e trashëgimisë elitare prej UNESCO-s. Kjo do t’u shtonte shumë pikë brezave, vizitorëve të huaj e vendas në njohjen edhe shijen e qytetit, po qe se ciceronët shoqërues, mësuesit, mediat lokale do t’i njihnin, t’i ndjenin vërtet, vlerat shpirtërore, krijuese të personazheve, të marrëdhënieve shoqërore.
Kur të ndalen vizitorë, por edhe nxënës shëtitje rrugëve, para “Librari – kartoleri Emiri”, në “Klubin e gjahtarëve”, “Qafën e pazarit” etj. do të shkriheshin gazit po t’iu tregoje grimca pikante dhe do të zgjatnin orët e ditët e qëndrimit, sepse qytetin e bën “Muze”, jo vetëm paraqitja materiale (sigurisht s’mohojmë këtë veçori të artizanëve në kalldrëmet e dyqanet), por këto flasin e marrin vlerë të shoqëruara me pasurinë shpirtërore të banorëve që krijuan e jetojnë këtu.
Artistët e shumtë gjirokastritë kanë përjetuar e përjetësuar në shkrime, pikturë e skulpturë pamje, godina, rrugë dhe kalanë, por do të frymëzoheshin edhe nga libri Juaj për momente të veçanta. Paniku i grumbullit të njerëzve nga frika e masivit në rrokullisje, zgjidhje groteske e Alizotit, me propozimin “serioz” për pushtetarët e hallakatur, kujdesi për kecin në minderin e vogël etj. etj. pa fund në dijet e holla të hapjes së “xhepave” plot kujtime që na keni hapur bujarisht në librin tuaj aq të bukur. Kush ta bëjë, do të thoni ju, me siguri do të vazhdoja mendimin edhe unë: muret, shurdhmemecët autoritarë?! Gjynah!!
Në vazhdim të ndjesive që përfton leximi i librit tuaj është nderimi për çdo kategori njerëzish a persona të veçantë, pa urrejtje dhe kur jua kanë bërë borxh; hakmarrje, “pjatë e ftohtë” nënkuptohet në situatat e veçanta (burg, hetuesi, konfiskim, dialogje llum-elitë) trajtohen me filozofinë e të mënçurve: “u marrofsh dhe i tregosh”, duke krijuar skena “prestigjoze” mesazhesh, që kthejnë përmbys marrëdhëniet pompoze të pushtetarëve, njerëzve pa tru, qoftë ziliqarë dhe dashakeqë me “heroin”, familje, qoftë në mjedise të hapura, ku komikja buron nga dramatikja, grotesku i vuajtjes në “degë” që s’u kthye kurrë…
Pasazhe të panumërta, personazhe nga më të çuditshmit me veçoritë përkatëse, janë galeri të pasura karakteresh të ciët natyrshëm i fiksoni për atë që përfaqësojne.
Vendi në tribunën e nderit të kujtimeve pë gjyshen dhe nënën tuaj të urtë; për vëllezërit e motrën (Imen në këmbë të babait); dr. Vasil Labovitin – lapidar i rrallë mirësie dhe shërbimi, miq e shokë që shkrinë mirësinë e tyre me jetën e humorin e mençur të Alizot Emirit, të vënë para një vetëreflektimi për bëmat tona, për marrëdhëniet shoqërore që kemi vetë ne, gjatë kohëve.
Sepse, natyrshëm, lexuesi pas përjetimeve të çasteve gazmore, qoftë dramatike që sjell libri, vë përballë ngjarjeve dhe personazheve, të piktuaruara mjeshtërisht, veten e tij. Në shumë çaste, sipas meje, gjatë leximit, njerëz të ndryshëm, personazhe apo të ngjashëm me ta, dhe janë skuqur.
Kjo është vlerë tjetër e librit.
Kjo “tryezë” plot pasuri njerëzore, etike, morale, plot të dhëna për Qytetin-Muze të Gjirokastrës, shijohet së tepërmi për strukturën “e gatimit” edhe “shërbimit”.
Kryesorja qëndron te thjeshtësia e rrëfimit memorialistik. Kjo thjeshtësi bëhet një peshore mes elokuencës e qartësisë së mendimit, për çdo nivel arsimor lexuesish, për veriorë dhe jugorë. Për secilin “xhep”, humori dhe mesazhi, ruhet kodi në “kasafortën” gjuhësore. Një mrekulli e lakmuar shumë: shprehje plot lirshmëri, çiltërsi, natyrshmëri; asnjë sforcim, pa synime dukjeje mburrshëm. Ashtu siç matni përgjegjshëm çdo projekt ndërtimi, gjer në hollësi – model specialisti, keni matur shprehjen e fjalën e dialektit gjirokastrit, çka vulos ngjyrimin lokal. Kjo shërben të merret shumë natyrshëm prej lexuesit, si në një mjedis miqsh, n’ambjentin përkatës. Më befasoi risia gjuhësore në disa drejtime:
së pari, marrin jetë forma gramatikore të ngurta (pjesëza ndajfolje etj.), duke u kthyer në të pandryshueshme, kjo pasuron edhe prirjen e dytë për të krijuar kompozita të pranueshme, si “u njatjetjetuan”, “drekëfesta”, “gjelkërkuesit”, “hetues-xhelatët”, “lot-pikuar”, etj etj.
Bien në sy lehtësisht fjalë tipike të zhargonit qytetas (edhe turqizma e greqizma), që kanë fituar të drejtën e asimilimit në të folmen gjirokastrite. Janë shumë të këndshme, 63 të tilla (veç shumë të tjerave), të cilat bëjnë të ndjehesh si në shtëpinë tënde, kudo qofsh. Këto fjalë a shprehje, mjeshtërisht, i keni përdorur sipas grupmoshave të personazheve. Fjalët ndërthuren, po kaq natyrshëm në fjali, fraza, portretizimi, urime, mallkime, të cila, në tërësi të librave tuaj, do të nderonin një “ekspeditë gjuhësore” për studentët në fakultetin e shkencave shoqërore, por edhe studiues të folklorit, ose trupa teatrorë në repertorë specifikë, dihet se mjeti që identifikon personazhet është kryesisht e folmja e tij. Pa lejen tuaj i propozova shefes së folklorit në Universitetin “E. Çabej”, të shikojë mundësinë e një prezantimi studimor për këto libra. Tërë materiali që trajtoni është mbresëlënës, por në veçanti ka pjesë që dalin nga humori, qoftë dhimbje të çastit kalimtar; janë pjesë, ngjarje, për subjekte novelash, dramash e më gjerë: skena e burgosjes, hetuesisë, pasojave në jetën familjare dhe shoqërore vlejnë si qindra shkrime të botuara për këtë temë. Pjesa për kecin që pritej të ushqente fëmijët kur “kupa e qumështit mbushej me lotët e tyre” mbetet plot brishtësi të paharruar. Përfytyroj një komedi nga brumi për rrezikun e rrokullisjes së shkëmbit në gjithë dinamikën e trajtuar krejt jetueshëm prej jush etj. Them se për çdo kohë leximi i librit tuaj mbetet i pëlqyer, sepse edhe tani, dhe nesër do të ketë nuse politike, të ardhur nga lart kokëboshë etj. e përjetimet e ngjashme do të na çojnë te Alizot Emiri që s’vdes, ngaqë la pas amanetin më të bukur, djemtë dhe vajzën, gjithë sharm fisnikërie e mençurie, si rrënjë.
Gjirokastër, 25. 10. 2016.