Tonine Hido: Para “Përmendores së munguar” të Shpëtim A. Emirit
Thonë që rastësia shpesh bëhet mbret i fatit. M′u kujtua kjo shprehje, pikërisht në shtëpinë-muze të Kadaresë, ku qemë ftuar për promovimin e librit të Shpëtim Alizot Emirit “Përmendorja e munguar”; kjo monografi kushtohet për një personalitet të shquar të mjekësisë shqiptare dhe jetës gjirokastrite, doktorit kirurg gjinekolog Vasil Laboviti, Vasilit të madh, siç njihej e thirrej prej të gjithëve për madhështinë e shërbimit të tij human e profesional, qytetar me fisnikëri të rrallë.
Vetiu më qëndrojnë përpara dy libra pra, për të njëjtin personazh, hyrë prej kohësh në histori. E pra, “Darka e gabuar”, romani i shkrimtarit Ismail Kadare dhe “Përmendorja e munguar”, vepër e autorit të ri Shpëtim Alizot Emiri, djalë i qytetit që mori jetën e tij nga nëna kur e lindi, pritur në Spitalin “Omer Nishani” prej duarve të mikut familjar, dr. Vasilit të madh.
Nuk gjej mëdyshje se titujt e dy librave kundërthënës në pamjen e parë, mbajnë ndonjë “karshillëk” të Shpëtim A. Emirit përballë shkrimtarit të madh. Aspak. Jam e bindur, pasi kam lexuar dy librat vëmendshëm, me ndryshesë botimi pak vitesh.
“Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë, roman, vepër artistike, pëlqyer plot thënie-kundërthënie, sipas shijeve dhe këndvështrimit të lexuesve, mbështetet në ngjarje historike reale, situata dramatike të njohura nga të gjithë, por, natyrshëm, sipas fantazisë, drit-hijeve që detyrojnë autorin të shëtisë në labirinthet imagjinare, duke na çuar dridhshëm n′atë natë të kobshme: pushtimi i qytetit nga nazistët, vrasja e dy oficerëve gjermanë pranë Urës së Nanxës, marrja e 300 burrave peng për t′u pushkatuar para familjarëve dhe gjith banorëve të ngrirë në sheshin e Çerçizit, dënimi për të djegur e rrafshuar gjithçka. Përballë tmerrit muzika e gramafonit thyente provokueshëm heshtjen, por këtë “muzikë” s′e dëgjuan asnjë, qoftë 2-3 metra larg shtëpisë së doktorit; kjo dilte “nëndheshëm” nga imagjinata e Kadaresë (7 vjeçar asokohe) dhe në roman përcillet nga kjo “darkë fatale” me skena makabre në dhomat e shtëpisë-pritëse të Labovitit, (çuditërisht me emra konkretë familjarësh vendosur si në skena të tragjedive antike), falë fantazisë së Autorit, jo realisht. Edhe ngjarjet që vrapojnë në veprën e Kadaresë çojnë, pa rendur të shmanget, në kulmin e përballjes: mes togës së pushkatimit e pengjeve ku shfaqet si ndërmjetës, mbrojtës i pengjeve dhe qytetit dr. Vasil Laboviti, duke fituar mbi bishën, jeta mbi vdekjen. Ngjarjet në roman, vazhdimi i këtij akti sublim, sidomos kanë dramaciltet ngaqë s′mund të shmangin thelbin: Shpëtimi i 300 pengjeve, mijëra jetëve njerëzore e rrafshimit të qytetit nga një vendim sublim sakrifikues, të mençur, human aq dhe patriotik të “dr. Vasilit të Madh”.
Ndërsa monografia e Shpëtim Emirit që promovohet sot është diçka tjetër: për të njëjtin personalitet, krejt prekshëm e jetuar në çdo familje të qytetit, plot mirënjohje (disi heshtur, anashkaluar me apo pa qëllim) vitesh e dekadash; sjell në kujtesën kolektive lokale dhe kombëtare veç 300 dhe qytetit të shpëtuar, 50 mijë jetë dalë nga operacionet e duarve, shpirtit të Doktorit. Shtojmë dhjetëra e qindra gjatë luftës Antifashiste mjekuar nga ai… pafundësisht, në shërbim të jetës, kundër vdekjes, besnik i humanizmit e shërbimit njerëzor e profesional.
Duke mbështetur monografinë e tij mbi fakte, ngjarje, situata dhe referenca konkrete, me emra, vlerësime nga pushtetarë të djeshëm e të sotëm (që heshtin) shtuar dhe kujtimet familjare si miq të çiltër të doktorit, modestisht, jep të vërtetën se Vasil Laboviti dha gjithçka për jetën e të tjerëve, pa kërkuar asgjë.
Kjo linjë plot vlera hapi “serial të begatë” për t′u mbështetur, studiuar, frymëzuar. Doktori është një shkollë në përmasa humanizmi, profesionalizmi, përgjegjësie.
Autori është bindës e tërheqës në ato që thotë. Gjithë shtjellimin, duke bashkuar hijshëm shtjellimin e të tjerëve me qëndrim vetiak përmes një thjeshtësie në rrëfim siguron lakmueshëm “peshoren” mes elokuencës dhe qartësisë së mendimit, krejt besueshëm.
Në Shkodër Spitali Rajonal mban emrin e Jorgji Karamitrit, joshkodran, një mjek i devotshëm që u vra në shkallët e shtëpisë, ku mjekonte dhe shpëtonte ilegalë pa mbarim… Bustin e këtij dëshmori të shërbimit ndaj jetës e lirisë spitali e ka në piedestal.
Nuk jam kundër, nuk kam as tagrin, as nivelin e njohurive për vlerësimin me tituj e dekorata që jepen nga Pushteti lokal gjer në Presidencë; sigurisht mbështetur në meritat e përfituesve.
Ajo që them është një mendim i dyzuar në veten time: Dokto Vasil Labovitit meritat, mirënjohjen ia ka dhënë vetë popullsia e Gjirokastrës me rrethina brez pas brezi, prandaj kur shkonte ai, Vasili i madh, qoftë me shkop i plakur, vetëm, njerëzit ndalonin për t′i bërë vend hapit të Tij të bukur, shoqëruar me përshëndetjen që falte majtas e djathtas sa ngjitej nga shtëpia dhe ngjitej Varoshit… gjer te libraria e mikut të tij të hershëm, të zgjuar e plot humor, Alizot Emirit. Ngjitej Varoshit me kujtimet e një jete fisnike që nga familja dhe shtëpia e Tij kështjellë, ku jetonin me modestinë edhe të punëtorëve të Uzinës Metalike, N.P.V.-së; në shtëpinë-kështjellë jetonte vetë mirësia e bijaria: në katin e parë qe klinika e vogël për urgjenca dhe vizita; në katin e dytë banonte i vëllai, Petro Laboviti me familjen; në një dhomë jetonte halla e dr. Vasilit, një zonjë hijerëndë, shenjtore në shpirt e sjellje; nga një dhomë tjetër doktor Vasil Jorgji me të Ëmën; në një tjetër nëna e doktor Vasilit të madh, Aretia, që ishte mbesë e gjyshit tonë, Vasil Hido; në dhomën tjetër flinte doktori i madh me të shoqen, znj. Agllaia, e cila them ishte strumbullari i tërë dritës bujare të kësaj shtëpie-kështjellë. Përzemërsisht, plot gaz e bujari priteshin në “sofër” njerëz të çdo rangu, kolegë, pushtetarë, njerëz të ardhur për hall, gjer te fqinjtë përballë, Gega nga Kukësi, Kalanderi dhe Senica, veç varoshlinjve të shkolluar e fisnikë.
Prandaj i hapnin rrugën, sepse qe dhe mbetet vërtet një Përmendore shëtitëse, por në bronx, ende.. I tillë mbetet në brezat e punonjësve të spitalit tonë “Omer Nishani”, të cilët i formoi profesionalisht e njerëzisht, pa zhurmë, bujë, mburrje, por vetëm përmes shembullit të Tij si human, mjek, drejtues, i drejtë etj.
Monografia e Shpëtim Emirit hap siparin, më duket mua, duke provokuar e nxitur më tepër me atë që nënkuptohet se sa me atë që shkruhet.
Kjo monografi na thotë: Statusi i shoqërisë me vlerat reale, të padiskutueshme dhe të gjithanëshme ka ngritur piedestalin e dr. Vasil Labovitit, Vasilit të Madh; organet shtetërore, që kanë tagrin për një akt zyrëtar e pohojnë shërbimin “Në emër të popullit”, pse vonohen akoma?!
Me respekt për angazhimin e fisëm të autorit Shpëtim Emiri, uroj të plotësojë me qytetarinë e tij mozaikun e Gjirokastrës në “gurë të çmuar” të tjerë dhe të harruar. Në fund vlerësoj që punime të tilla plot mirësi dhe qytetari të lartë shkojnë dhe për krijuesin krah objektit që i kushtohen.
- 9. 2017