Rexhep Shahu: Lamtumirë gjeni!
Shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave Ismail Kadare sot shkoi në përjetësi në moshën 88 vjeç. Kadare është i vetmi shkrimtar shqiptar i këtij planeti që i flet përjetësisht njerëzimit në 50 gjuhët kryesore të botës. Po bëhet gati një shekull që ai është sundimtari absolut në letrat shqipe dhe do të duhet mbase një shekull tjetër që të vijë një gjeni i ngjashëm me Kadarenë. Kadare është shpëtimtari i shpresave të shqiptarëve, letërsia e tij në diktaturë na bënte të shpresonim për një të ardhme ndryshe. Ai ishte tiran për mediokrit, lehësit, antishqiptarët që cenonin identitetin europian të shqiptarëve. Ishte luftëtar i epërm i betejave e polemikave të serta për çështjen kombëtare shqiptare. Me Skënderbeun, Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin e Ibrahim Rugovën ai i jep dinjitet e krenari pasaportës shqiptare. Veprat e Kadaresë janë lexuar e do të lexohen sa të jetojë libri. Bota do të dalë prej marrëzisë një ditë, do të shpëtojë dija prej celularit e do t’i kthehet librit. Atëhere Kadareja do të bëhet edhe më i fuqishëm. Mbi 20 herë i nominuar për çmimin Nobel dhe zagarët lehën aq shumë kundër Kadaresë sa u shurdhua Nobeli. Por sot e gjithonë çmimi Nobel do të jetë i varfër pa Ismail Kadarenë siç është i varfër për Tolstoin e mjaft gjeni të tjerë. Shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkoi në përjetësi dhe sa të ketë libër e letër ai do ta bëjë krenar kombin e njeriun shqiptar kudo të jetë. Shqiptarët nuk e kemi një Hygo që të mbajë fjalim në vdekjen e Balzakut. Faleminderit përjetë Kadare që na mësove, na emancipove na e fute letërsinë e vogël shqipë në Europë me letërsitë e kombeve të mëdha. Ne jemi komb i vogël me gjuhë të vogël, por fati deshi të kemi një gjeni si Kadare që i flet botës në 50 gjuhët kryesore të saj. Falë Kadaresë nuk do të ketë kurrë mort gjuha e letërsia shqipe. Lamtumirë gjeni.