Zana Tako: Brenda një përqafimi të madh…
Zana Tako me Ismail Kadarenë
Ëndrra e njeriut është të jetojë i lumtur. Brenda kësaj lumturie zgjedh atë që i vlen më shumë. Por ëndrra nuk ngjan me një sënduk ku mbledhim sende me vlerë e që i ruajmë në kohë.
Ëndrra është çast, është minutë. Bukuria e çastit nuk varet nga zgjedhja që bën njeriu. Nuk është as rastësia, as pritshmëria, por çasti është mysafir që troket në derën e shpirtit kur do ai. Ndoshta na gjen edhe të papërgatitur për ta pritur, por ardhja e këtij mysafiri është e ëmbël, se zgjon kur jemi fjetur.
Lajmëtari i shpirtit nuk është kalorës që kalëron nëpër fusha të shkreta, por është motiv që prek, që shijon, i jep ëndrrës krahë, e ajo qëndron si një flutur krahëshkruar mbi petalet e shpirtit, duke na dhuruar jetë, rini, buzëqeshje, mbledhur me fjongo përqafimi ku mblidhen dashuritë e zemrës, të pandara.
Ndasitë e tkurrin shpirtin, e njeriu nuk mund të dojë me shpirt të tkurrur.
Njeriu nuk ka krahë të mëdhenj për t’i përqafuar të gjithë, por ka shpirt të madh për të dashur brenda një përqafimi të madh, ku mblidhen e gëzojnë të gjitha dashuritë!
Please follow and like us: