ASHAK: Kadare – emblemë e letërsisë bashkëkohore shqipe
Prishtinë, 1 korrik 2024 – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në njoftimin për ndarjen nga jeta të anëtarit të saj të jashtëm, shkrimtarit Ismail Kadare, e cilëson atë si “emblemë të letërsisë bashkëkohore shqipe” dhe si “njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane”.
“Përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe”, vlerëson ASHAK.
ASHAK njoftoi se të mërkurën, më 3 korrik 2024. në orën 11:00, do të mbajë mbledhje komemorative në nderim të figures dhe veprës së Kadaresë.
Njoftimi i plotë:
Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës.
Përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.
Lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) solli te lexuesi ringjalljen e baladave të hershme shqiptare, ndërkaq “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste. Romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”, ndërsa nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist. Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1991 e zgjodhi Kadarenë anëtar të jashtëm të saj, për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë.
Me këtë rast Akademia iu shpreh ngushëllime të thella familjes Kadare, shkrimtarëve, miqve të shumtë dhe institucioneve kulturore dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.