Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Skëndo: KADARE U NIS LART PËR NË KOPSHTIN E GJENIVE

 

 

Bujar Skëndo me Ismail Kadarenë 

 

Ju i ngritët vetes një memorial planetar me veprën gjeniale të përkthyer në gjuhët e shtatë miliardë banorëve të tokës. Kurse lexuesit tuaj ju ngritën një memorial “jo duarsh”, por fryme e shpirti, të lartë deri në qiell, pikërisht aty ku të presin gjenitë botërorë. Fqinjërove në këtë jetë me Eskilin, humbës i madh, me Danten e pashmangshëm, me Shekspirin e Hamletit, princit të vështirë, me Servantesin e Don Kishotit. Dhe, po ashtu, me Xhorxh Oruellin e Franc Kafkën, të cilët ua kujtove shpesh tërë lexuesve të tu.

Dhe do fqinjërosh sërish atje lart me të gjithë këta, në Kopshtin e Gjenive, ku vendin e nderit e mban, prej 2500 vjetësh, gjeniu i verbër, vetë Homeri…

Askush prej jush atje lart nuk ka marrë me vete asnjë nga kryveprat e veta. Asgjë. Gjithçka e latë dhuratë në tokën mëmë. Të gjitha kryeveprat tuaja, bashkë me dhimbjet, gëzimet, triumfet ua latë lexuesve tuaj. Si një peng? Si një testament suprem? Trashëgimi hyjnore, pa asnjë dyshim, më e çmuara, më e shenjta që njerëzimi ka qysh kur jeta ka lindur në këtë planet të bekuar.

Është tamam sikundër e keni thënë ju. Nuk quhet vdekje. Quhet “jeta jote pa praninë tënde në botë”. Po, është vepra jote gjeniale që jeton nëpër gjenerata e shekuj dhe që në kopertinë mban emrin KADARE!

Kjo është aleanca që gjeniu dhe letërsia e tij gjeniale bën me jetë- vdekjen. Dhe me vdekje- jetën. Prandaj, ndoshta, ke thënë se nuk të tremb vdekja. Ke “zbritur” disa herë atje në Ferr për të zbuluar ëndërrat kriminale të diktaturës komuniste, duart e gjakosura deri në bërryla të “pashallarëve të kuq”… Por edhe sepse jeta këtu lart shpesh kishte qenë më ferr se vetë Ferri.

Luftëtar i lirisë! Gjeni i fjalës së shkruar artistike. Krijues i një vepre voluminoze gjeniale. Njeri i Madhërishëm. Njeri Krenar. Mik i Pashembullt.

Republika e letrave sot është në zi!

Please follow and like us: