Albspirit

Media/News/Publishing

Macron: Kadare, shkrimtar nga ata që fjalët ia shkuli heshtjes

Presidenti francez Emmanuel Macron nderoi kujtimin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, duke i kushtuar një mesazh të gjatë, ndarë përmes Pallatit Elysee.

Në mesazh ai theksoi se Kadare jetoi e krijoi si një njeri i lirë, në një vend diktatorial.

Ka qenë pikërisht presidenti francez, Macron, ai që i dorëzoi Kadaresë titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, në 2023.

“Sot vdiq një shkrimtar që mishëroi, me jetën, me veprën dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadare na la këtë të hënë.

Ai ishte një nga ata për të cilët shkrimi është një betejë; ata të cilëve çdo fjalë u shkulet në heshtje, ata të cilëve çdo rresht rrezikon t’u rëndojë procesverbaleve, ata të cilëve çdo roman rrezikon të jetë epitafi i karrierës së tyre. Sepse jetoi dhe krijoi si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte i lirë: Shqipëria Sovjetike e pasluftës, nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.

Por zbulimi i letërsisë i hapi adoleshentit brigjet e një bote të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai përforcoi rezistencën e tij intelektuale. Aq sa indoktrinimi i profesorëve të letërsisë, në Universitetin e Tiranës si dhe në Institutin Gorki në Moskë, tempull i letërsisë zyrtare, nuk zunë vend tek ai. Në vend që të shtonte radhët e “trupës elitare të realizmit socialist”, siç quhej, ai u bashkua me partizanët e stilit të lirë. Romani i tij madhështor i vitit 1963, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u tolerua, sepse tema e tij të zinte ngushtë, vegimet e tij i bënin të dështonin etiketat komuniste: zhvarrosja e ushtarëve nga Lufta e Dytë Botërore para një prifti dhe një ushtari italian, nën një shi të pambarimtë në Shqipëri. Por, romanet, “Përbindëshi”, në vitin 1965 dhe “Dimri i vetmisë së madhe”, në 1973, e bënë atë njeri të përbuzur, sepse atje ai denonconte shtypjen intelektuale të Tiranës së asaj kohe. Dy herë i akuzuar për nxitje rebelimi, ai iu nënshtrua një periudhe punë krahu në fshatra të largët, për të cilën ai shkroi.

Pas “Pallatit të Ëndrrave”, në vitin 1981, hanxhari ra: “armik i popullit”. Ndalohet botimi, ai vendosi të kërkojë azil politik. Kështu ai iu drejtua vendit që kishte qenë i pari që përktheu librat e tij, i pari që u bë i apasionuar pas punës së tij përtej kufijve. Me botuesin e tij, Claude Durand, kreun e shtëpisë botuese Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe në Francë në vitin 1990, një tjetër goditje e forte në murin e diktaturës: në Tiranë, largimi i tij çoi në protestat e para studentore që prej më shumë se dyzet vjetëve.

Që atëherë, nga kryeqyteti i Francës në atë të një Shqipërie të kthyer në demokraci dhe më në fund që i përkiste vetvete, ai e ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve. Nga shëtitjet e tij në Tiranën e rizbuluar, nga kjo tryezë në kafenenë Rostand ku çdo mëngjes vendoste fletoren dhe stilolapsin, lindën tekste pa kohë, në udhëkryqet e miteve dhe botëve, nga imagjinata e piramidës së Keopsit në atë të Tiranës, mes portave të Luksemburgut, brigjeve të Kornuellit dhe mureve të Trojës. Ato na kujtojnë vazhdimisht se Evropa është kontinenti që iu përket të gjithëve, se historia e saj është një histori e përbashkët.

Presidenti i Republikës vlerëson një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në këtë zgjim të madh të popujve që ngriti perden e hekurt dhe nderoi Francën duke e zgjedhur si vendin pritës të krijimeve të tij. Ai u drejton ngushëllimet e tij të përzemërta të afërmve të shkrimtarit, lexuesve të tij dhe popullit shqiptar”, shkroi presidenti francez./ atsh

Please follow and like us: