Albspirit

Media/News/Publishing

Mediat kineze përcjellin lajmin e ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë

Ndarja nga jeta e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, është përcjellë edhe nga institucionet dhe mediat e Kinës. Qendra e Studimeve Albanologjike në Fakultetin e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Pekin, në shkrimin me titull “Ndërron jetë kolosi i letrave shqipe”, thekson se Kadare është shkrimtari shqiptar me ndikimin më të madh në botë. Veprat e tij të përkthyera e botuara në rreth 45 gjuhë të ndryshme janë botuar gjithashtu nga disa shtëpi të njohura botuese në Kinë, duke e bërë atë një shkrimtar të njohur e të dashur për lexuesit kinezë.

“The Paper”, një platformë mediatike me qendër në Shangai, në një shkrim të gjatë për Kadarenë, numëron disa nga veprat e tij të përkthyera e botuara në Kinë, si dhe çmimet e shumta që ai ka merituar në vende të ndryshme të botës.

Portali i Letërsisë dhe Kulturës “Phoenix”, me qendër në Hong Kong, duke njoftuar ndarjen nga jeta të Kadaresë, përmend disa nga veprat më përfaqësuese të tij dhe nënvizon se kritika letrare e ka krahasuar shpesh atë me Kafkën dhe Kunderën.

Romanet e tij me përshkrime në dukje absurde pasqyrojnë artistikisht realitetin shoqëror. Për fat keq, shkruan ky portal, çmimi “Nobel” e humbi Kadarenë.

Po ashtu, media të ndryshme duke pasqyruar lajmin e vdekjes së Kadaresë, tregojnë edhe për një takim që Yu Hua, një nga shkrimtarët më të njohur kinez, ka pasur me Ismail Kadarenë.

“Në verën e vitit 1998, jam takuar me Kadarenë në Torino. Ishim ulur bashkë në restorantin e Teatrit të Torinos dhe bisedonim me anë të një përkthyesi, ndërsa në mungesë të tij hanim e pinim. Atë kohë, Kadare banonte në Francë. Ai është shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar dhe, si shumë shkrimtarë nga vendet e Europës Lindore, dikur nuk mund të kthehej në atdhe. Kur u takuam ne, nuk ekzistonte më ky problem. Ai mund të kthehej kur të donte, por më tha se nuk kthehet shumë shpesh. Sepse sapo kthehej, shtëpia e tij ziente nga njerëzit, tamam si një kafene, ku mblidhen njerëz të njohur e të panjohur. Gjithmonë do të ishin të paktën 20 vetë”. (Iljaz Spahiu, sinolog)

Please follow and like us: