Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: Kadare, “Pasaporta” e një kombi

-Në Ditë-Ikjen e Ismail Kadaresë-

Iku në fillimkorriku, sikur ta kishte zgjedhur me dorën e Vet. Iku në fillim muaji si për të shënuar Fillimin e një Pafundësie në Universin Njerëzor. Lajmin do ma dërgonte privatisht Rexhep Uka, me të cilin po hidhnim idenë e një dreke me Kadarenë tek Ferma Uka.Do ta ftonim Shkrimtarin bashkë me Helenën për të rrëfyer diçka të bukur pranë Tiranës, nga ne “të shkollës së Dakos” dhe mendoja të isha tek ajo drekë që nuk u shtrua.

Sot Kadare ka heshtur pa mësuar e pa dëgjuar dëshirën tonë. Do ishte një Drekë e bukur që do na mundojë mua dhe Ukën derisa të nisemi për tu “takuar” gjetkë.Të gjithë sot flasin për një mendje të ndritur që me “fotonet ” e fjalës shqip na ka emocionuar, na ka rrëmbyer në kthina legjendash shqiptare duke na bërë të mendojmë, të drithërohemi dhe jetojmë në “skllavërinë” e fantazisë brilante- Kadare. Ai që na rrëfeu aq bukur për jetën, dashurinë, paqen, ideologjitë, dogmat,intrigën, vdekjen dhe mos vdekjen, ka ikur.Në këtë ditë të parë Korriku 2024, Ai hesht.

Në Nju Jork Times lexoj biografinë-nekrologji të gazetares shqiptaro-amerikane Rusha Haljuci për Kadarenë. Përlotem dhe kujtoj se e kam takuar autoren në qytetet binjake ku më rrëfente se po “punonte për nekrologjinë e Kadaresë”. U drodha nga ai fakt, por gazetarja më tha: “Është praktikë pune.Për njerëzit e mëdhenj nekrologjitë parashkruhen.” Nju Jork Times foli më shpejt se gazetat e Tiranës për Vdekjen e Kadaresë.

Me miqtë e mi në Amerikë, Kanada, Londër e Tiranë,ndaj fjalë ngushëlluese: Iku Kadare. Shkëmbejmë telegrafisht çaste, momente, foto, duke lundruar në Universin e Botës Kadare.

Ai na la “pasaportën” e kombit si monument drite që do lartësohet duke na bërë një identitet i njohur në Botë.

Sot iku Kadare duke “nënshkruar” Pavdekësinë  e Veprës së  Tij në Panteonin e Kulturës e Trashëgimisë Shqiptare!

Minneapolis, 1 Korrik 2024.

Please follow and like us: